LAJMI I FUNDIT:

Tetë xhudistë kosovarë në kampin olimpik në Austri

Tetë xhudistë kosovarë në kampin olimpik në Austri

Tetë xhudistë kosovarë janë duke u paraqitur në kampin olimpik i cili organizohet nga Federata Evropiane e Xhudos, e që po mbahet në Mittersill të Austrisë.

Ky kamp llogaritet më i madhi në botë për xhudistë. Në të paraqiten mbi 680 xhudistë nga 30 vende të ndryshme.

Nga Kosova në kampin e Austrisë marrin pjesë xhudistet Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Leutrime Krasniqi, si edhe xhudistët Akil Gjakova, Korab Morina, Fatos Tabaku e Zymer Zekaj.

"Këtu bëhen përgatitjet e para të ekipeve që pretendojnë normën olimpike për ‘Rio 2016’. Në Austri është duke u kalitur një ekip i cili pretendon Lojërat Olimpike të Rios. Planin dhe strategjinë e kemi përgatitur, edhe pse po presim që Komiteti Olimpik i Kosovës të mendojë dhe të veprojë. Por deri më tani drejtuesit e KOK-ut janë në gjumë dimëror", ka thënë për Koha Ditore, përzgjedhësi i Kosovës, Driton Kuka.


"Përderisa të gjitha komitetet olimpike të shteteve që pretendojnë suksese tanimë i kanë të gjitha planet e detajuara, në Kosovë kjo po vonohet. Po presim se çka do të ketë konkretisht për sportin i cili Kosovën e ka bërë shtet me normë olimpike, që është ëndërr për shumë shtete në botë", ka shtuar Kuka, i cili udhëheq delegacionin kosovar në kampin që po mbahet në Austri. /Telegrafi/