LAJMI I FUNDIT:

Të hënën vazhdojnë bisedimet për ndarjen e mëtejme të posteve

Të hënën vazhdojnë bisedimet për ndarjen e mëtejme të posteve

Partitë që janë pjesë e shumicës parlamentare mohojnë të kenë filluar bisedimet lidhur me ndarjen e posteve të zëvendësministrave si dhe të instititucioneve publike që janë nën kompetenca të Qeverisë. Të kontaktuar nga “Shenja”, LSDM, BDI dhe Aleanca për shqiptarët, mohojnë të jetë biseduar lidhur me ndarjen e këtyre posteve, duke i quajtur spekulime emrat të cilat tanimë po qarkullojnë nëpër opinion si persona të mundshëm për postet zëvendës ministrore në disa ministri.

Nga LSDM thonë se në momentin që do të ketë bisedime për këto tema, opinioni do të jetë i informuar në kohë.

“Nuk ka akoma diçka të tillë. Kur të ketë diçka, do të jeni të informuar. Ato janë vendime publike, kështuqë opinioni do të jetë i informuar në kohë”, thonë nga LSDM.


Ndërkaq, Rafiz Aliti nga BDI, si njëri ndër emrat e përfolur për postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, e quajti spekulim faktin që edhe ai është i përfolur lidhur me këtë çështje, ndërkohë që për të njëjtat, siç tha ai, nuk është biseduar aspak.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se bisedimet lidhur me këtë çështje do të fillojnë prej të hënës. Ndërkaq emrat e deritanishëm i cilësoi si spekulime mediatike.

Siç informojnë partitë e shumicës parlamentare, diskutimet rreth eshalonëve të dytë dhe të tretë të qeveritarë, pritet që të fillojnë në fillim të javës së ardhshme. Gjatë këtyre bisedimeve, partitë do të merren vesh për postet e zëvendësministrave dhe drejtorë të institucioneve publike në kuadër të qeverisë.