LAJMI I FUNDIT:

Synojnë konsensus rreth temave të mëdha

Synojnë konsensus rreth temave të mëdha

Përfaqësuesit e partive politike janë shprehur optimiste se po shkojnë drejt rrugës për gjetjen e një konsensusi për temat e mëdha, siç janë dialogu, ushtria, integrimet evropiane, reforma zgjedhore dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Këto qëndrime i shprehën liderët politikë pas takimit të dytë të organizuar nga PDK-ja, në të cilën nuk morën pjesë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.

Nikoqiri i kësaj tryeze, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, theksoi se janë në drejtimin e duhur për të arritur konsensus nacional për çështjet e mëdha.


Ai tha se në takimin e sotëm, janë marrë vesh që kryetarët e grupeve parlamentare do ta marrin rolin e përgatitjes së tryezave të partive politike të ardhshme në bazë të radhitjes se cila parti e thërret tryezën, por në ato takime do të përcaktohen edhe prioritet.

Veseli shtoi se do t`i trajtojnë temat e caktuara, qoftë për formimin e ushtrisë së Kosovës, dialogun me Serbinë, agjendën e reformave evropiane, konsensusi nacional për asociacionin dhe reformën zgjedhore.

Kreu i PDK-së u shpreh optimist se këtë vit do të ndodhë liberalizimi i vizave dhe do t’i hapet perspektiva Kosovës për statusin kandidat në BE.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu gatishmërinë e subjektit të tij që të jenë pjesë e tryezave dhe të diskutojnë për temat që dakordohen, por edhe për ato që s’pajtohem.

“Janë disa tema kyçe, të cilat ka nevojë për diskutime të ndërsjella, është një marrëveshje obliguese Kosovë-Serbi apo dialogu, janë integrimet evropiane, ushtria, reforma zgjedhore, pra plotë tema, kam shprehur gatishmërinë që të vazhdojmë më tutje me qenë pjesë e tryezave. Ne si AAK nuk kemi pasur një platformë të përgatitur si parti politike, për shkak se meqë ka një platformë të institucioneve, të qeverisë ne mendojmë që kontributin deputetët tonë mund ta japin edhe në Kuvend. Pra, mbesim të hapur që platformën për dialog në Kuvend të kontribuojmë dhe të përkrahim atë”, tha Haradinaj.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, e vlerësoi të rëndësishëm faktin e arritjes së një konsensusi për gjëra të mëdha.

Sipas tij, duhet të arrihet konsensus për tema të mëdha, meqë kjo Qeveri nuk e ka shumicën as për tema të vogla.

Megjithatë, Veliu tha se LDK-ja është e gatshme t’ia bëjë Qeverisë numrat për temat nacionale, por jo për tema ditore.

Edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Fatmir Limaj, shprehu gatishmërinë e partisë që ai drejton për tryeza të tilla për të arritur një konsensus për temat që kërkohen. Ai tha se në tryezën e sotme ka pasur propozime konkrete.

Ndërkaq Ilir Deda nga Alternativa, theksoi se temat e mëdha kërkojnë konsensus nacional të partive politike.

Por, sipas tij, konsensusi nuk do të thotë bashkëqeverisje, pasi opozita vazhdon të jetë opozitë për temat që ata vazhdojnë t’i shohin si të këqija, por dialogu, bashkësia e komunave me shumicë serbe, duan patjetër konsensus. /Telegrafi/