LAJMI I FUNDIT:

Surroi: Pas 10 dhjetorit, pavarësia e Kosovës duhet të bëhet realitet

Surroi: Pas 10 dhjetorit, pavarësia e Kosovës duhet të bëhet realitet

Pas dorëzimit të raportit të Treshes ndërmjetëse te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, pavarësia e Kosovës duhet të bëhet realitet, ka thënë anëtari i Ekipit të Unitetit njëherësh kryetar i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, në konferencën ndërkombëtare te Komisionit Trilateral Evropian në Vjenë.

Kosova, sipas Surroit, ka kaluar mjaft nga një transicion në tjetrin dhe nuk ka më nevojë që edhe pas 10 dhjetorit të nisë një të ri.

Surroi, në këtë konferencë që është mbajtur të shtunën në kryeqytetin austriak, ka folur para 350 liderëve të dalluar botërorë të mbledhur në Komisionin Trilateral.

Ai ka potencuar se, institucionet në Prishtinë, do të ndërmarrin hapin për ta bërë Kosovën shtet sovran dhe të pavarur para Krishtlindjeve.


Në seancën për Kosovën, ka folur edhe përfaqësuesi i BE-së i Treshes ndërkombëtare të Grupit të Kontaktit për statusin e Kosovës, Ëolfgang Ischinger, analisti i njohur për çështje të Ballkanit, Tim Judah, si edhe ish-ministri i Jashtëm serb, Goran Svilanoviq.

Komisioni Trilateral është organizatë e themeluar më 1973 nga David Rockefeller, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet SHBA-së, Evropës dhe Japonisë.