LAJMI I FUNDIT:

Supremja liron nga akuza biznesmenin e akuzuar për mashtrim ose dëmtim të kreditorëve

Supremja liron nga akuza biznesmenin e akuzuar për mashtrim ose dëmtim të kreditorëve
Foto: Arkiv

Gjykata Supreme ka nxjerrë aktgjykim, përmes së cilit ka aprovuar kërkesën e avokatit Basri Jupolli për mbrojtje të ligjshmërisë, duke refuzuar njërën akuzë ndaj biznesmenit Jeton Sadiku, i ngarkuar për mashtrim ose dëmtim të kreditorëve, dhe duke e liruar nga akuza për pikën tjetër të po kësaj vepre penale.

Supremja ka konstatuar se është shkelur Ligji Penal kur Sadiku është shpallur fajtor për dy pika të dispozitivit të veprës penale “Mashtrimi apo dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”, kjo pasi rezulton se në veprimet e tij nuk qëndrojnë elementet e asaj vepre por të veprës penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” dhe se në rrethanat e ricilësimit të veprës penale, konstaton se është arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, andaj ka refuzuar aktakuzën për këtë pikë të dispozitivit. Kurse, për pikën tjetër, konstatoi se nuk janë përmbushur elementet qenësore të veprës penale në fjalë, andaj shpalli aktgjykim lirues.

Vendimi i Supremes, me të cilin u ndryshuan aktgjykimet e kundërshtuara të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe Gjykatës së Apelit, është marrë më 23 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Ndryshe, aktgjykimi tre pjesësh (dënues, refuzues dhe lirues) ndaj Jeton Sadikut dhe tre të akuzuarve të tjerë A.J., N.K. dhe I.Z., ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 18 mars 2022.

Kurse, Gjykata e Apelit me vendimin e 4 nëntorit 2022, kishte vërtetuar aktgjykimin dënues, me të cilin biznesmeni me shtetësi angleze Jeton Sadiku, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për dy pika të aktakuzës për veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” dhe u dënua me dy vite burgim.

Apeli, me këtë vendim kishte vërtetuar edhe refuzimin e akuzës ndaj A.J., për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, lirimin nga akuza të të njëjtit për “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”, si dhe lirimin nga akuza të N.K. dhe I.Z., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Sadiku, avokati Basri Jupolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit Penal, me propozim që Gjykata Supreme të aprovojë si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe i akuzuari të lirohet nga akuza ose aktgjykimet të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

“Në kërkesë, mbrojtësi i të dënuarit Jeton Sadiku, pretendon se gjykata e shkallës së parë gjatë shqyrtimit gjyqësor edhe përkundër faktit që mbrojtja e të dënuarit dhe palët e dëmtuara kanë deklaruar se janë paguar dhe nuk kanë më pretendime, siç shihet edhe nga aktgjykimi i kundërshtuar gjykata prapë ka vendosur që i dënuari duhet të sanksionohet me dënim me burgim, pa pasur fare palë të dëmtuar dhe pa pasur kërkesë pasurore juridike nga ndonjë palë në procedurë”, thuhet në vendimin e Supremes.

Më tutje, në kërkesë avokati Jupolli kishte theksuar se gjykata nuk ka marrë fare për bazë kontestimin nga mbrojtja dhe i akuzuari se cilësimi juridik i kësaj vepre që nga fillimi ka qenë gabim, sepse pala e dëmtuar sipas nenit 289 të KPRK-së është dashur që të jetë riorganizuar apo falimentuar, e që në rastin konkret nuk ka ndodhur, por përkundrazi në procedurë civile palët e dëmtuara janë kompensuar në tërësi nga i akuzuari Sadiku.

Sipas vendimit të Supremes, në kërkesë, mbrojtja po ashtu kishte theksuar se në kuptim të mashtrimit të kreditorëve, ligjvënësi ka paraparë që mashtrimi mund të ndodhë vetëm në një kohë të shkurtër pas ngjarjes e jo kur shoqëria “Coresteel” Sh.p.k. mbas një viti të marrjes së mbitërheqjes nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT), pasi ka rënë në vështirësi financiare, të konsiderohet mashtrim.

“BKT ka një strukturë organizative dhe është e pamundur që të mashtrohet si institucion dhe mos pagesa e kredisë apo mbitërheqja në asnjë mënyrë me asnjë dispozitë ligjore nuk paraqet vepër penale ku konsiderojmë se gjykata ka bërë shkelje të ligjit penal”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes.

Tutje, mbrojtja ka konsideruar se kanë munguar elementet e veprës penale nga ky nen, për faktin se vepra penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, shprehimisht kërkohet që të jetë ndërmarrë mënyra e kryerjes specifike, e cila konsiston atë se kryerësi është dashur t’i kryejë pagesë borxhi një kreditori në dëm të kreditoreve të tjerë, andaj në rastin konkret sipas mbrojtjes mungon kundërligjshmëria.

“Mbrojtja ka pretenduar që në rastin konkret kemi po ashtu edhe parashkrim absolut të ndjekjes penale dhe gjykata do të duhej që për këtë çështje, në pajtim me nenin 363, par.1, nënpar.1.3 të KPRK-së, të nxjerr aktgjykim refuzues”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Andaj, Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Jeton Sadiku, ka konstatuar se kërkesa është e bazuar.

Supremja ka konstatuar se është shkelur Ligji Penal në dëm të të dënuarit Jeton Sadiku, kur është shpallur fajtor për dy pika të dispozitivit të veprës penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, par.3 lidhur me par.2, e lidhur me nenin 31 të KRRK-së, sepse duke marrë parasysh provat e administruara nuk rezulton që Jeton Sadiku ta ketë kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin nën pikën e dytë të aktgjykimit të Themelores, por sipas vlerësimit të Supremes, në veprimet e Sadikut qëndrojnë elementet e veprës penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” nga neni 344, par.2 të KPRK-së.

“Në rastin konkret është vërtetuar se i akuzuari Jeton Sadiku – në cilësinë e Drejtorit të Kompanisë Coresteel Sh.p.k., me seli në Vushtrri, me qëllim të pengimit të realizimit të kërkesave pasurore nga ana e kreditorit Banka Kombëtare Tregtare – Dega në Kosovë, ka tjetërsuar mallin dhe produktet tjera, të cilat në bazë të kontratës mbi pengun, ishin lënë peng, me qëllim të sigurimit të kredisë”, thuhet në vendimin e Supremes.

Por, Supremja ka vlerësuar dhe konstatuar se i akuzuari Sadiku, në këtë rast, me këto veprime i ka konsumuar të gjitha elementet e veprës penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” nga neni 344, par.2 të KPRK-së, e jo elementet e veprës penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, par.3 lidhur me par.2 e lidhur me nenin 31 të KRRK-së.

Në rrethanat e ricilësimit të veprës penale në “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër”, Supremja ka konstatuar se në rastin konkret ndjekja penale është parashkruar, respektivisht ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe rrjedhimisht, Supremja ka refuzuar akuzën në lidhje me këtë pikë të dispozitivit.

Tutje, sa i përket pikës tjetër të veprës penale të njëjtë, pra “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve”, për të cilën pikë Jeton Sadiku është shpallur fajtor me aktgjykimin e shkallës së parë dhe është dënuar, Gjykata Supreme ka gjetur se pretendimi në kërkesë se me këto aktgjykime është shkelur Ligji Penal në dëm të të dënuarit është i bazuar, për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor sipas dispozitivit të tretë të aktgjykimit.

Kjo ngase, sipas Supremes, me aplikimin e drejtë të Ligjit Penal, Sadiku do të duhej të lirohej nga akuza, pasi në këtë rast nuk janë përmbushur elementet qenësore të veprës penale në fjalë.

“Nga shkresat e lëndës dhe nga aktgjykimi i shkallës së parë rrjedh se i dënuari më datë 26 shkurt 2014, për t’i shkaktuar dëm kreditorit Bankës Ekonomike në Prishtinë, në cilësinë e Drejtorit të Kompanisë “Coresteel” Sh.p.k., me seli në Vushtrri, ka lidhur marrëveshjen kryesore mbi huanë dhe marrëveshjen mbi pengun në Bankën Ekonomike në Prishtinë, në cilësinë e huadhënësit në shumë prej 480 mijë euro si dhe shtojcën mbi marrëveshjen mbi pengun në vlerën e mallit prej 825.108.00 € dhe pajisje me vlerë 25.441.300 €, ndërsa personi (i pandehur) David Hulme si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i Kompanisë “Coresteel” Sh.p.k., ka qenë garantues i kësaj marrëveshje dhe që të dy e kanë ditur se katër parcelat të cilat janë lënë hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka, me ç’rast është realizuar kredia në shumë prej 480 mijë euro, obligimet nuk janë realizuar as përmes kolateralit të lënë peng dhe të dëmtuarës nuk i janë paguar obligimet sipas marrëveshjes, ndërsa shuma prej 496,433,48 €, kreditorit Bankës Ekonomike i është paguar në procedurën e likuidimit”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Supremja ka vlerësuar se nga shkresat e lëndës dhe aktgjykimet, me asnjë provë nuk është vërtetuar se në veprimet e të dënuarit Jeton Sadiku qëndrojnë veprimet inkriminuese që i përmbajnë elementet e veprës penale për të cilën i dënuari është shpallur fajtor, pasi nuk është vërtetuar se i njëjti e ka mashtruar apo dëmtuar kreditorin, Bankën Ekonomike.

Supremja ka konstatuar se në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për mashtrimin e kreditorit, sepse për parcelat të cilat janë lënë hipotekë, kreditori për ato hipoteka ka patur qasje dhe mundësi që të verifikojë se a janë në hipotekë apo janë të liruara nga hipoteka.

Tutje, sipas vendimit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se kreditori nuk ka mundur të mashtrohet lidhur me këto hipoteka dhe duke u bazuar në këto rrethana, rezulton se nuk është vërtetuar se i dënuari Jeton Sadiku ta ketë kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor sipas dispozitivit të tretë të aktgjykimit të Themelores.

“Andaj me këtë rast, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi që të ndryshojë aktgjykimet e instancave më të ulëta, përkitazi me këtë vepër penale, dhe të dënuarin Jeton Sadiku ta lirojë nga kjo vepër penale”, thuhet në vendimin e Supremes.

Kështu, shkalla e tretë ka konstatuar se në aktgjykimet e kundërshtuara Ligji Penal është aplikuar në dëm të të dënuarit, andaj me aplikimin e drejtë të Ligjit Penal i dënuari duhet të lirohet nga akuza, sepse veprës penale për të cilën është shpallur fajtor i mungojnë elementet e lartcekura që e përbëjnë këtë vepër penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Mitrovicës aktakuzën ndaj Jeton Sadikut, A.J, N.K dhe I.Z, e kishte ngritur më 30 korrik 2015, e cila më pas ishte konfirmuar dhe procesi gjyqësor kishte filluar qysh në mars të vitit 2016.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Jeton Sadiku, si pronar i kompanisë “Coresteel SHPK” dhe “Coresteel DMCC”, ka mashtruar dhe i ka shkaktuar dëm kreditorit “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër- Britani e Madhe, duke lidhur disa marrëveshje ashtu që gjerë më 25 shtator 2014 kreditorit “Standard Bank” nuk i është paguar sipas marrëveshjes shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

Me këto veprime, Jeton Sadiku, akuzohej për veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, par. 3 lidhur me par. 2 të KPRK-së.

Në lidhje me këtë pikë, Themelorja e kishte liruar nga akuza Sadikun, dhe Apeli kishte vërtetuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka gjetur se mungon elementi i “mashtrimit të kreditorit” pasi subjekti “Standard Bank” (PCL) me seli në Londër nuk e ka pasur cilësinë e kreditorit në raport me “Coresteel SH.P.K.” me seli në Vushtrri, e po ashtu mungon edhe elementi i “shkaktimit të dëmit”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, Prokuroria akuzonte Jeton Sadikun, se në cilësinë e pronarit të kompanisë “Coresteel” dhe A.J, si zyrtar ligjor dhe agjent i regjistruar në këtë kompani, në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë mashtruar dhe i kanë shkaktuar dëm kreditorit Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

Siç thuhet në aktakuzë, Jeton Sadiku dhe R.S, më 18 prill 2013 kanë lidhë marrëveshje për mbitërheqje dhe mbi pengun me BKT në vlerë prej 250 mijë euro dhe janë obliguar se minimumi i pengut që duhet të ruhej sipas kërkesës së kreditorit ka qenë 500 mijë euro dhe janë vonuar në kthimin e mbitërheqjes në shumë prej 250 mijë euro përfshirë këtu edhe kamatat, kurse kanë shfrytëzuar kolateralin e lënë peng-zink Ajax Bath: 157,860 700 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 268 mijë euro, Warehouse Stock 178,018 tons @ 1700 euro/ton, në shumë prej 302 mijë euro, metal 99.99% ZN MIN, Lme Brend i regjistruar, tarifa e kodit 79011100 me vlerë të tregut 570 mijë euro.

Ndërsa, D.H dhe A.J, sipas aktakuzës kanë qenë në dijeni për dëmtimin e kreditorit dhe shfrytëzimin e kolateralit të lënë peng dhe shitjen e tij, por që nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim parandalues dhe me këtë kanë kontribuar në kryerje të veprës penale.

Me këtë, Jeton Sadiku dhe A.J, akuzoheshin se në bashkëkryerje me të pandehurit R.S dhe D.H, kanë kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, par. 3 lidhur me par.2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I të dispozitivit.

Jeton Sadiku, akuzohej se më 16 shkurt 2014, në cilësinë e drejtorit të kompanisë së lartcekur ka lidhë marrëveshje mbi huanë dhe mbi pengun me “Bankën Ekonomike” në cilësinë e huadhënësit në shumë prej 480,000.00 euro, ndërsa D.H, si menaxher i shitjes dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë “Coresteel SHPK” ka qenë garantues i kësaj marrëveshje dhe që të dy e kanë ditur se parcelat që janë lënë hipotekë nuk janë liruar nga hipoteka, me ç’rast është realizuar kredia në shumën prej 480 mijë euro dhe të dëmtuarës nuk i janë paguar obligimet sipas marrëveshjes.

Me këtë, Jeton Sadiku, akuzohej se në bashkëkryerje me D.H, ka kryer veprën penale “Mashtrimi ose dëmtimi i kreditorëve apo debitorëve” nga neni 289, par. 3 lidhur me par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së në bashkim real me veprën penale nën pikën I dhe II të aktakuzës.

Tutje, prokuroria i ngarkonte Jeton Sadikun dhe A.J se më 31 dhjetor 2012, Sadiku, kishte përpiluar një dokument të falsifikuar në lidhje me regjistrin që ruhet në bazë të ligjit-autorizimin dhe kërkesën për ç’regjistrimin të hipotekës në emër të “Standard Bank” drejtuar Komunës në Vushtrri-Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Zyra Kadastrale Komunale në Vushtrri, se Jeton Sadiku si huamarrës ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshjet me kreditorin, siç theksohet në pikën I të dispozitivit, edhe pse nuk është paguar shuma totale prej 26.156.060,26 euro.

Ndërsa, A.J, akuzohej se me dije i ka përdorur ato dhe me T.M.A ka shkuar në Komunën e Vushtrrisë, pastaj dokumentet e falsifikuara janë prezantuar në Zyrën Kadastrale e cila më pas ka nxjerrë vendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, të datës 10 janar 2013.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e i akuzuari Jeton Sadiku në bashkim real me veprën penale nën pikën I, II e III të dispozitivit.

Ndërsa, dy të pandehurit tjerë, N.K dhe I.Z, akuzoheshin se si zyrtarë për gjeodezi dhe kadastër në Komunën e Vushtrrisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të përfitojë dobi i pandehuri Jeton Sadiku. Aty thuhet se N.K, si drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, ndërsa I.Z, si përgjegjës i sektorit në Kadastër, edhe pse kanë qenë të obliguar sipas ligjit që të kontrollojnë dhe verifikojë dokumentet e nevojshme se a plotësohen kushtet për lirim të hipotekës së kredimarrësit “Coresteel SHPK” me pronar Jeton Sadiku, a i ka përmbushur të gjitha obligimet ndaj kredidhënësit “Standard Bank PLC” në Londër, ketë nuk e kanë bërë. Aty thuhet se të njëjtit kanë nënshkruar aktvendim mbi lirimin (shuarjen) e hipotekës, pa i përmbushur obligimet kredimarrësi.

Prokuroria i ngarkonte ata se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 e lidhur me nenin 31.

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori