LAJMI I FUNDIT:

Sulmi në kufi me Kinën vret 16 vetë

Sulmi në kufi me Kinën vret 16 vetë

Sulmues të paidentifikuar kanë vrarë 16 policë gjatë një sulmi në një postë kufitare në rajonin mysliman të Kinës, Xinxhang, njoftoi media shtetërore. Sulmuesit vozitën me një kamion drejt postës kufitare në Kashgar dhe hodhën dy granata duke plagosur edhe 16 pjesëtarë të patrullës kufitare të njësisë policore.

Në të kaluarën Kina ka folur për atë që quan një kërcënim terrorist nga militanë myslimanë në provincën Xinxhang, por korrespondenti i BBC-se në Pekin thotë se ka sjellë shumë pak fakte për të mbështetur këto pretendime.

Në një zhvillim të mëhershëm një grup militant islamik nga rajoni mori përgjegjësinë për sulme me bomba që lanë pesë vetë të vdekur. Grupi premtoi sulme gjatë Lojërave Olimpike që pritet të fillojnë ditën e premte.

Përmes një lajmi të shkurtër agjencia kineze e lajmeve Xinhua tha se dy sulmuesit janë arrestuar në vendngjarje. Ata e kishin përdorur kamionin për të çarë postën e policisë rreth orës 08:00 të mëngjesit të së hënës.


Xinxhang është provinca ku jetojnë ujgurët. Separatistë ujgurë kanë zhvilluar një fushatë të nivelit të ulët kundër pushtetit të Kinës.

Grupet për të Drejtat e Njeriut thonë se Pekini është duke shkelur të drejtat e ujgurëve. /bbc/