LAJMI I FUNDIT:

Studentët e Shqipërisë komuniste: Shkonin në Lindje për t’u shkolluar, linin vajzat vendëse shtatzënë!

Studentët e Shqipërisë komuniste: Shkonin në Lindje për t’u shkolluar, linin vajzat vendëse shtatzënë!

Ata pak studentë që patën privilegjin të diplomoheshin jashtë shtetit gjatë regjimit komunist, ishin objekt i vëzhgimit të rreptë të shërbimit të fshehtë.

Një raport sekret i Ministrisë së Brendshme është vetëm njëri prej atyre dokumenteve që shoqëronin periodikisht praktikën e panjohur të kontingjenteve që arsimoheshin në të ashtuquajturat vendet mike.

Në të përshkruhen me detaje të dhënat e rrjetit agjenturor për qëndrimin politik dhe sjelljen morale të studentëve dhe kursantëve që studionin në shkollat dhe universitetet e huaja. Përtej të përgjithshmes pozitive, klishe-standard kjo e komunikimeve zyrtare të këtij lloji, raporti në fjalë sjell në vëmendjen e udhëheqjes politike rastet e dhjetëra studentëve që kanë manifestuar cektësi politike, shfaqje borgjezo-revizioniste dhe tendenca për t’u arratisur.


Shqetësuese për autorët e dokumentit vlerësohej prirja e mjaft studentëve rezidentë në Poloni, RDGJ dhe Çekosllovaki, për të përqafuar mënyrën e jetesës së vendeve perëndimore, se gjoja aty, sipas tyre, “ka demokraci të vërtetë dhe jeta është më e pasur me liri dhe dëfrime për rininë”.

Raste të tilla, të argumentuara si ndikime të drejtpërdrejta të propagandës borgjezo-revizioniste, syri i vëzhguesit ka konstatuar edhe në grupin e të rinjve që studionin në Rumani, Bashkim Sovjetik, Bullgari etj. Shumë nga këta studentë, shtjellon dokumenti i Sigurimit, kanë rënë në kurthin e vajzave imorale, të cilat me intimitetin dhe miqësinë e ofruar me tepri, janë përpjekur t’i bëjnë pjesë të rrjeteve të huaja agjenturore.

Lista me emrat dhe historitë personale të këtyre të fundit, është pjesa më intriguese e dokumentit që konfirmon faktin se çdo njëri syresh ka qenë hap pas hapi në vëzhgimin e pandërprerë të Sigurimit të Shtetit.


DOKUMENTI

“Tepër sekret”

Nr. Oz/2.58…………….Tiranë më 18.04.1959

Lënda: Raport informativ mbi qëndrimin e njerëzve tanë jashtë shtetit, mbi sigurimin e ambasadave dhe ruajtjen e sekretit shtetëror.

Komitetit Qendror të PPSH

SH. Mihal Prifti

Në vendet e demokracive popullore dhe në BS, gjatë vitit akademik 1957-1958 ka nisur studimet një numër rreth 1440 studentë dhe kursantë, të shpërndarë si më poshtë: 504 në vendet e demokracive Popullore, 873 në Bashkimin Sovjetik dhe 63 në Republikën Demokratike të Gjermanisë.

Qëndrimi politik i tyre në krahasim me vitin 1957 në përgjithësi ka qenë i mirë, sidomos në gjashtëmujorin e dytë si rezultat i masave të marra, ndërsa në tremujorin e parë, në disa vende, elementi armik ka qenë më i theksuar gjatë vitit të kaluar.

Këta janë munduar që me propagandën e tyre të influencojnë te studentët, të fusin ideologjinë borgjeze dhe mënyrën e jetesës së perëndimit, duke propaganduar se gjoja në vendet kapitaliste ekziston një demokraci e vërtetë, bëhet jetë më e mirë, ka dëfrime etj.

Kështu, te disa, kjo propagandë ka lënë gjurmë dhe ata janë ndikuar, duke propaganduar muzikën ose mënyrën e jetesës dhe botëkuptime të huaja. Në viti 1958 ka pasur individë që kanë dëshirë për luks dhe dëfrime pak a shumë të tepruara. Mjaft studentë kanë pasur korrespodenca me vendet e Perëndimit, kryesisht SHBA-të.
Qëllimi i saj ka qenë të marrin plaçka dhe dollarë, të cilat kanë ndikuar në mënyrën e të veshurit në modelin amerikan; është krijuar simpati për ato vende, duke folur se Amerika është parajsa. Gjithashtu, ka pasur konstatime për një jetë më të shthurur, duke u dhënë pas dëfrimeve që preferojnë muzikë dhe jetë të shthurur, ku më të theksuara janë dukur te studentët në Poloni, RDGJ dhe Çekosllovaki, të cilët kanë shkuar me vajza me qëndrim imorale.

Ka pasur nga ata që kanë folur pro muzikës, veshjes, kulturës dhe jetesës në vendet perëndimore dhe janë shprehur kundër jetës në vendet me demokraci popullore. Disa prej tyre kanë lënë pas dore mësimet, të cilëve u është prerë bursa. Nga përpunime të ndryshme në vitin 1958 del se zbulimet e huaja kanë punuar më shumë në drejtim të studentëve tanë, duke përdorur metoda të ndryshme, si p.sh.:

1-Propaganda Kjo ka qenë më e zhvilluar, sidomos në RDGJ dhe në Poloni. Vajzat me të cilat shoqërohen djemtë tanë, u flasin atyre për jetën e mirë në vendet e Perëndimit dhe jetën e varfër në vendet me demokraci popullore. Studenti Thimi Petro në RDGJ ka krijuar marrëdhënie me një vajzë që flet shumë mirë për Perëndimin. Gjithashtu, nga zbulimet e huaja, sidomos ai amerikan, në emra dhe adresa të ndryshme, u janë dërguar gazeta dhe revista reaksionare studentëve tanë.

Këto gazeta vetëm në një rast u kanë rënë në dorë studentëve, të cilët menjëherë ia kanë dërguar përfaqësisë tonë. Gjatë këtij viti kemi pasur raste që studentëve të sëmurë, Prenjo Ymerit dhe Ismail Sulo, u janë vënë fletushka me përmbajtje reaksionare në krevat dhe u janë bërë thirrje për t’u arratisur në Perëndim. Një pjesë e madhe e studentëve vendas që banojnë së bashku me studentët tanë dëgjojnë vazhdimisht stacione perëndimore. Por, dashje pa dashje, edhe studentët tanë i dëgjojnë këto dhe ka raste që influencohen nga propaganda armike.

2-Nxitja për arratisje: Zbulimet armike kanë bërë çmos që të bindin studentë dhe qytetarë të ndryshëm nga tanët për t’u arratisur. Për këtë qëllim ata kanë përdorur edhe vajzat për t’i bindur për t’u arratisur. Kështu ka vepruar një vajzë gjermane për arratisjen e Isa Dervishit, ajo u afrua dhe krijoi lidhje me studentin Hetem Lika, po kjo i propozoi Pandeli Mones për t’u arratisur dhe së fundi përdori metodën e kërcënimit, duke i thënë se jam me barrë etj.

Armiqtë me anën e këtyre vajzave e paraqesin jetën në Perëndim si parajsë, u premtohet ndihmë dhe thonë se edhe aty ndërtohet socializmi. Kështu veproi një doktor ndaj një studenti të sëmurë, Ismail Sulos, duke i thënë: “Sikur të thonë shko në Perëndim, a vete atje? Sepse edhe në Perëndim ndërtohet socializmi, se atje jetohet për bukuri”. Studenti kish mbajtur qëndrim të mirë dhe kish kundërshtuar.

Në muajin shtator 1958, kur sportistët ushtarakë ishin në Lajpcig, një student i vendit që mëson gjuhën shqipe atje interesohej për oficerët tanë, ai u njoh me një kapiten dhe desh të njihej edhe me të tjerë, këtij oficeri ai i foli keq për vendin e atjeshëm dhe lavdëronte Perëndimin, bile e ftoi ta merrte edhe në shtëpi. Më vonë u morën masa karshi studentit dhe e larguan nga grupi i sportit, mbasi ishte marrë si përkthyes.

3- Komprometimi: Kjo metodë është përdorur më tepër në vitin 1958, sidomos për studentët tanë në RDGJ dhe, në raste të rralla, në vendet me demokraci popullore. Me qëllim komprometimi, elementi armik me anën e vajzave ka dhënë dhurata të çmuara të Perëndimit, ose dhënie të hollash. Për t’u përmendur është rasti i vajzës së Isa Dervishit, e cila jo vetëm atij, por edhe studentit Hetem Lika dhe më vonë Pandeli Monës, u jepte dhurata dhe të holla që nuk justifikoheshin me rrogën e saj.

Po kështu, vajza e Neshat Hodobashit dhe nëna e saj (familje me qëndrim të keq politik, i ati i saj i arrestuar në Perëndim) i jepnin këtij, përveç stofra, radio e gjëra të tjera. Kur Neshati desh ta linte këtë vajzë, ajo i kujtoi dhuratat dhe se gjoja kish mbetur me barrë. Kështu që ai nuk i preu marrëdhëniet me të dhe iu pre bursa.

Gjithashtu, kemi pas raste ku vajza të ndryshme, me qëllim mbeteshin me barrë, ose bënin sikur mbeteshin me barrë dhe këtë e përdornin si material komprometues karshi studentëve tanë, duke i detyruar që të vepronin si të donin ato, se ndryshe do njoftonin Selinë, Universitetin etj., dhe si rrugëdalje u propozonin shkuarjen në Perëndim.

Kjo i ka ndodhur Pandeli Monës, Ismail Sulos dhe Dhimitër Karanxhës. Siç shihet gjatë këtij viti, veprimtaria armiqësore ka qenë e madhe dhe si rezultat kemi pasur edhe dy arratisje. Nga faktet që përmendëm, del se gjendja moralo-politike e studentëve nuk ka qenë e kënaqshme dhe për këtë qëllim nga KQPPSH dhe Ministria e Arsimit u morën masa, duke u prerë bursën 27 studentëve dhe duke paralajmëruar edhe 25 të tjerë.

Këto masa bënë efekt sidomos te studentët në Poloni dhe RDGJ. Si rezultat i masave në fillim të vitit të ri mësimor 1958-1959 dhe pas seminarit që u organizua me të gjithë studentët e vjetër dhe të rinj në Tiranë, vërehet një përmirësim i dukshëm në radhët e tyre, të cilët në mbledhje dhe konferenca të ndryshme kanë goditur dhe demaskuar shfaqjet e ndryshme të punës së armikut. Kështu p.sh. Bashkim Jupi, student i vitit të tretë në Poloni, i cili bëri autokritikë të shëndoshë dhe goditi të metat dhe dobësitë që ai kishte si person.

Studentët në përgjithësi kanë mbrojtur dhe përkrahur vijën e Partisë. Në krahasim me të kaluarën vërehet përmirësim i mirë në lidhje me qëndrimin moral, por edhe në anën mësimore. Por, me gjithë masat e marra, prapë se prapë kohët e fundit te disa studentë ka pasur shfaqje të huaja, shthurje në jetë dhe dobësi në mësime. Nga ana tjetër, ekziston një kuriozitet për të dëgjuar radio-stacionet e Perëndimit, sidomos muzikën. /Panorama/

Në trend Lajme

Më shumë
Përplasjet për doracakët

Përplasjet për doracakët "Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues", tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

Arsim
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Kronika e Zezë
Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Lajme
Kalo në kategori