LAJMI I FUNDIT:

Sot, finalja e Kupës së Kosovës

Sot, finalja e Kupës së Kosovës

Stadiumi i kryeqytetit sot pasdite pritet të jetë arenë e nxehtë futbolli. Ferronikeli dhe Hajvalia do të konfrontohen në finalen e madh të Kupës së Republikës së Kosovës.

Skuadra nga Drenasi dhe skuadra nga periferia e kryeqytetit, gjatë gjithë këtij sezoni në garat e Kupës së Kosovës, kanë treguar performancë mjaft të mirë, duke siguruar ‘vizën’ për finalen e madhe të kësaj garë prestigjioze në futbollin tonë.

Ferronikeli dhe Hajvalia të përgatitur dhe të motivuar maksimalisht synojnë që të rrëmbejnë trofeun e Kupës, e për të dy skuadrat do të ishte e arritja më e madh në historinë e këtyre dy klubeve të Kosovës.

Trajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi i ka thënë KosovaPress-it se të përzgjedhurit e tij janë të gatshëm për sfidën me Hajvalinë.


Sipas tij, Ferronikeli finales do t’i qaset pa ndonjë presion, pasi që skuadra e tij, tashmë e ka siguruar ekzistencën në elitën e futbollit tonë. Krasniqi thotë se atmosfera në klub para duelit me Hajvalinë është jashtëzakonisht e mirë dhe optimist për një paraqitje të mirë.

“Në ndeshjen finale do të hyjmë pa ndonjë ngarkese, pasi që tani kemi kaluar me sukses barazhin, e që mendoj se padrejtësisht jemi gjetur në atë pozitë”, ka thënë Krasniqi.

“Atmosfera para finales është e shkëlqyer. Ju kam thënë lojtarëve të mi që finales t’i hynë pas asnjë ngarkese dhe të jenë sa më të relaksuar. Ne jemi përgatitur mirë dhe shpresoj se do të ja dalim me sukses kësaj ndeshje. Favorit në këtë ndeshje nuk ka, por shpresoj se do të kemi një paraqitje dhe të arrijmë qëllimin tonë”, tha Krasniqi.

Ndryshe, optimist për trofeun e Kupës së Kosovës, është shprehur edhe homologu i Krasniqit, Sunaj Keçi, trajneri i Hajvalisë.

I pari i bankinës së Hajvalisë, mendon se s’ka favorit në finale të tilla. Ai thotë se skuadra e tij ka bërë përgatitjet e duhura për duelin me ekipin nga Drenasi, e që sipas tij, Ferronikeli është një skuadër cilësore.

“Sigurisht se është një ndeshje e rëndësishme, për faktin se luajmë finalen e Kupës. Ne kemi qenë të ngarkuar me shumë më ekzistencën në Superligë, të cilën me kohë e kemi arritur. Për herë të parë ndaj Ferronikelit do të jemi komplet dhe shpresoj se do të kemi një paraqitej të mirë. Gjasat për fitore janë 50-50, sepse edhe Ferronikeli ka një skuadër mjaft të mirë”, ka theksuar Keçi.

Finalja mes Ferronikelit dhe Hajvalisë nis në orën 17:00. /KP/Telegrafi/