Jeta sjell sfida nga më të ndryshmet. Ato trokasin çdo kohë dhe papritmas bëhen pjesë e jetës. Fëmijët vijnë në jetë pa e ditur se çfarë i pret. Disa e kanë fatin të jetojnë në familjen e tyre, e disa sfidohen me “familjen” pjesë biologjike e së cilës nuk janë. “Sos Fshati i Fëmijëve” është preha dhe familja e re ku gjejnë strehim fëmijët e braktisur e të lënë pas dore.
Në momentin e hyrjes tonë në shtëpinë e tyre, fëmijët sapo ishin zgjuar nga gjumi. Me një fytyrë engjëllore e të pafajshme sikur urojnë mirëseardhje në folenë e tyre.
“Foshnjat të cilat vijnë tek ne janë nga çdo anë e Kosovës. Ata vijnë përmes Qendrës për Punë Sociale. Janë foshnja të braktisura qysh në lindje. Për momentin i kemi dy shtëpi me nga 12 foshnja të moshës deri trevjeçare. Ata kanë kujdes 24 orësh. Stafi që këtë detyrë e kryen prej vitit 1999-2000, e do punën ndaj i përballon sfidat. Sepse, përveç qëndrueshmërisë fizike këtu kërkohet edhe qëndrueshmëria emocionale. Këta fëmijë vijnë secili me një histori të veten, ndaj duhet të jesh i fortë që t’i përballosh obligimet”, ka thënë për Telegrafin, drejtoresha e “SOS Fshatit të Fëmijëve” në Prishtinë, Ora Bytyqi.
Ora Bytyqi
Për këto foshnja ekzistojnë tri mundësi rehabilitimi: mundësia e parë është që të adoptohen, mundësia e dytë është të shkojnë në një familje strehuese, ndërsa rasti ideal është që këto foshnje t’ju bashkohen familjeve të tyre biologjike.
Sipas drejtoreshës, synimi është që këto foshnja të rrinë sa më shkurt tek “SOS Fshati i Fëmijëve”.
“E quajmë si qendër me qëndrim të shkurt dhe të mesëm. Ne nuk merremi me adoptimin, pasi kjo është në kompetencat e Departamentit të Qendrës për Punë Sociale. Por, jemi si urë lidhëse në mes të Qendrës për Punë Sociale dhe familjes, përderisa foshnja është tek ne. Është Qendra për Punë Sociale ajo që e zgjedh familjen dhe ne jemi ata të cilët i njoftojmë ata. Bëhet takimi i parë, por fëmija nuk merret menjëherë. Është një procedurë derisa fëmija të adaptohet me familjen adoptuese e të bëhet ai kalimi nga këtu tek ata”, shpjegon ajo.
Ndjenjat në raste të tilla janë të përziera. Sepse, stafi gëzohet që fëmijët do të rriten në një familje, por megjithatë ka mërzi nga ky largim, sepse janë mësuar me ta.
“Sado që mundohesh të jesh profesionale , emocionet të kaplojnë”, thotë Bytyqi.
“SOS Fshati” ka pediatren që punon aty e që kujdeset për shëndetin e fëmijëve. Me fëmijët qasja është individuale, jo si grup, sepse qëllimi është që secili fëmijë t’i ketë të realizuara të gjitha kërkesat, varësisht prej moshës, mënyrës së të ushqyerit, lojërat me ta etj.
“Përveç fëmijëve të braktisur në lindje, kujdesemi edhe për fëmijët të cilët për një arsye apo një tjetër kanë humbur kujdesin prindëror. Fëmijë të tillë, së bashku me foshnjat, i kemi gjithsej 74”, shtoi ajo.
Gjatë vizitës sonë, fëmijët shprehën buzëqeshe e edhe një dozë turpi. Aty janë edhe tri motra të strehuara. Më e madhja është në klasën e gjashtë. Ato jetojnë tek “SOS-i” që dy muaj. Meqë janë rehabilituar në shtëpinë e re, vijojnë mësimet në shkollën pranë objektit. Motra më e madhe tregon përkujdesje ndaj më të voglave, por edhe ndaj “vëllezërve” që gjetën në atë shtëpi.
Hatixhe Sadikaj
“I mbaj afër motrat e mia dhe vëllezërit e mi të cilët i gjetëm këtu. Këtu është mirë”, thotë vajza.
Në shtëpinë e re të këtyre fëmijëve përkujdeset edhe një grua që e quajnë “SOS Nana” apo “Tete”. Ajo është Hatixhe Sadikaj. Fëmijët janë të kënaqur me të, sidomos me ushqimet që ua gatuan ajo.
“Teta është e mirë. Edhe ushqimin na e bënë të mirë”, thonë fëmijët.
Që ta kenë jetën si gjithë fëmijët e tjerë, fëmijët dalin në shëtitje, e nëse shkëlqejnë në shkollë për ta do të realizohet edhe një premtim!
“Na ka premtuar Teta se nëse marrim nota të mira në shkollë, kemi për të shkuar edhe në det”, thonë fëmijët e entuziazmuar.
“Unë kam vullnet të madh të merrem me ta. Edhe pse kam pushime, shpesh nuk do i shfrytëzoj. Dua të merrem me ta, që këta të mësojnë dhe të kuptojnë”, ka thënë Teta për Telegrafin. “Jam e lidhur shumë, por nuk e shprehi tërësisht këtë. Duhet një si politikë, sepse ata janë të vegjël e mund edhe të lazdrohen. Pra, nuk lirohem shpejtë”.
Ajo e ka edhe ndihmësen e saj, “SOS Tezen”, e cila e ndihmon që t’i rrisë fëmijët në mënyrën më të mirë që mundet, e pse jo edhe t’i lazdrojë pak si Teze që është.
“Me një bashkëpunim të mirë e të ngushtë, ia arrijmë që këta fëmijë të ndihen si në shtëpinë e tyre”, thotë Teta.
Kjo shtëpi e këtyre fëmijëve është streha e lumturisë që mund të gjejnë këta të braktisur. Drejtoresha e “SOS Fshatit” tregon se si shkojnë aty këta fëmijë dhe se çfarë ndodhë me ta dhe jetën e tyre.
“Shteti është ai që vendosë që këta fëmijë të mos jetojnë me prindërit e tyre. Këta fëmijë janë të moshave të ndryshme, të cilët kanë humbur kujdesin prindëror. Ne krijojmë familje, të cilat i quajmë ‘SOS Familje’. Ideja e është që këta fëmijë të rriten në një ambient familjar e të mos jetë kurrsesi të institucionalizuar”, sqaron ajo.
Për kujdes rekrutohet një grua që ka qenë e martuar apo nuk që nuk ka qenë; që nuk ka obligime tjera e që gjithmonë ka pasë dëshirë të ketë fëmijë po nuk e kishte këtë fat.
“Rekrutimi shkon gjatë, deri në një vit. Sepse, ne asaj ia besojmë deri në gjashtë fëmijë. Secila shtëpi i ka rregullat e veta. Edhe ne i kemi rregullat tona. Ajo duhet të mësohet me to derisa ne të vijmë në një përfundim se është e gatshme që të kujdeset për të gjashtë fëmijët që do të jetojnë si një familje”, tregon Bytyqi.
“SOS Nana” dhe fëmijët kanë përkrahje të madhe edhe nga stafi psiko-pedagogjik. Kjo shtëpi ka psikolog, pedagog dhe punëtor social të cilët punojnë aty. Por, Nanës i ndihmon edhe “SOS Tezja”, që t’i llastojë pak, por në aspektin e mirë të fjalës.
Fëmijët që jetojnë në këtë ambient, shkojnë në shkollë, thërrasin miqtë si në shtëpinë e tyre, e edhe shkojnë tek miqtë.
“Ideja është që këta fëmijë të rriten si çdo fëmijë tjetër, sepse ata nuk kanë faje që nuk jetojnë më prindërit e tyre. Ne duam të ndjehen si çdo fëmijë tjetër”, thotë drejtoresha.
Pos braktisjes, ka raste kur prindërit nuk janë të aftë të kujdesen për fëmijët, i keqtrajtojnë ata apo janë p.sh. në burg.
“Me fëmijët dhe Qendrën për Punë Sociale ne i vizitojmë prindërit në burg, sepse mendojmë që këta fëmijë duhet t’i dinë rrënjët dhe prejardhjen e tyre. Ndërsa, një ditë u takon trashëgimia. Ndaj, nuk është e arsyeshme të privohen nga kjo e drejtë”, thekson Bytyqi.
Drejtoresha e “Sos Fshatit” tregon se momentalisht aty janë shtatë “SOS familje’”me nga gjashtë ose pesë fëmijë. Familjet e tilla do të zgjerohen.
“Kemi pasë raste kur një ‘SOS familje’ i ka pasë shtatë fëmijë biologjikë që nuk kemi dashur t’i ndajmë, sepse edhe ashtu kanë përjetuar mjaftë trauma”, thotë ajo. “Një ‘SOS familje’ mund të jetë një fqinj i imi apo i dikujt dhe jo domosdoshmërisht duhet ta dinë që fëmijët e asaj shtëpie nuk jetojnë më prindërit e tyre po me një grua e cila quhet ‘SOS Nana’”.
Kur këta fëmijë rriten dhe zhvillohen emocionalisht, nga mosha 14-15 vjeçare; kur ata janë të gatshëm të mendojnë për të ardhmen, atëherë kalojnë në “Shtëpinë e Rinisë”. Sipas drejtoreshës, “Shtëpia e Rinisë” nuk gjendet në ‘SOS fshatin e fëmijëve’, por nuk është as larg saj.
“Aty jetojnë të rinjtë dhe të rejat së bashku. Në njërin kat janë vajzat e në tjetrin djemtë. Në katin e parë është kuzhina, dhoma e ditës, dhoma ku kanë lojërat e ditës… Aty i kemi edukatorët që punojnë nga tetë orë. Ata kanë përkujdesje dhe aty përgatiten për të ardhmen e tyre se çfarë do të studiojnë apo çfarë do të punojnë”, thotë ajo.
Sipas saj, të jesh 18-vjeç kjo nuk përcakton zhvillimin dhe aftësinë për t’u pavarësuar, ndaj pas “Shtëpisë së Rinisë” është një program i gjysmë-pavarësimit ku ata përgatiten të jetojnë vetë, por gjithnjë duke pasë mbështetje.
“Vazhdojmë t’i mbështesim edhe në tri vitet e ardhshme. Ata jetojnë vet, paguajnë qera, punojnë e studiojnë . Ne i përkrahim financiarisht: vitin e parë me diku rreth 75 për qind të qeras e të ushqimit; vazhdojmë me 50 për qind në vitin e dytë dhe në vitin e fundit me diku 25 për qind. Kështu, gradualisht, ata shkëputen nga ‘SOS Fshati’”, thotë Bytyqi.
“SOS Fshati i fëmijëve” në vitin 2013 ka hapur edhe Qendrën Këshilluese për banorët e komunitetit, me shërbime falas.
Visar Sadiku dhe Vatra Abrashi
“Unë punoj më fëmijët të cilët janë hiperaktiv e kanë problem në shkollë; që ngecin në lexim, në ndonjë lëndë apo në sjellje. Kryesisht fëmijët janë të ciklit të ulët. Zakonisht prindërit vijnë para realizimit të seancës: bisedojmë me ta për të ditur vështirësitë dhe problemet që kanë me fëmijët e tyre. Më pas i identifikojmë nevojat e tyre e krahas kësaj e bëjmë edhe një plan-program se si do të jenë fazat në të cilat do të punojmë së bashku. Plani u jepet edhe prindërve. Kështu krijojmë edhe bashkëpunim më të mirë me mësueset e shkollave. Në momentin që ato e marrin vesh që nxënësi I tyre vjen këtu, shpesh dërgojnë raporte se si fëmija sillet në klasë, se cilat janë cilësitë e tij, se cilat janë nevojat. E, kjo natyrisht se lehtëson punën tonë”, thotë pedagogia Vatra Abrashi.
Psikologu Visar Sadiku thekson se nevojat e fëmijëve janë të ndryshme.
“Nevojat janë në suaza ditore. Ne punojmë vazhdimisht. Takimet realizohen brenda javës me fëmijët e po ashtu edhe me prindërit. Natyrisht, duhet të konsultohemi edhe me pedagogët dhe punëtorët socialë të cilët e kanë përcjellë rastin nga fillimi. Pra, që të marrim sa më shumë informata rreth fëmijës “, thotë ai.
Nazan Mustafa
Që 11 vite në “SOS Fshatin e Fëmijëve” punon edhe pedagogia Nazan Mustafa. Ajo ndihet e lumtur për punën që bën, meqë thotë se po investohet në një kategori të ndjeshme.
“Jo vetëm profesioni më lidh me këta fëmijë, por edhe dashuria e dhembshuria që kam për ta”, thotë ajo.
Sipas drejtoreshës së “SOS Fshatit”, aktiviteti i tyre shtrihet edhe jashtë Prishtinës për të parandaluar braktisjen e fëmijëve.
“Me vite ‘SOS Fshati’ e ka parë të nevojshme që të punojë me familjet që të parandalohet braktisja e fëmijëve. Në këto raste punojmë me fëmijët, me prindërit e me rrethin. Qëllimi është që ta fuqizojmë familjen, që ata të kenë mundësi që të kujdesen për fëmijët e të ruhet mirëqenia e tyre”, thotë Bytyqi, e cila thekson se në katër lokacione kanë në mbikëqyrje 400 fëmijë e 130 familje. “Ky projekt është i nevojshëm në gjithë Kosovën, por ne punojmë aq sa kemi fonde”.
Që fëmijët e “SOS Fshatit” të kenë qasje edhe me fëmijët tjerë, në vitin 2002 është bërë hapja e një çerdhe fëmijësh.
“Kemi edhe çerdhen këtu, me qëllim që fëmijët e ‘SOS Familjeve’ të shoqërohen me fëmijët e lagjeve”, shpjegoi ajo.
Sa i përket financimit, drejtoresha tregon se ata mbështeten nga ‘SOS Norvegjia’, por me një shumë simbolike edhe nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
“Në fillim tërësisht jemi financuar nga ‘SOS International Austria’. Sot financohemi nga ‘SOS Norvegjia’. Synimi është që kjo organizatë të kalojë komplet në përkrahjen e institucioneve vendore, sepse tekefundit ne kujdesemi për fëmijët e këtij shteti dhe japim shërbime për këtë shtet. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale na ndihmon me një shumë simbolike. Por, përderisa e kemi vendosur një bashkëpunim, shpresoj që në të ardhmen kjo përkrahje të rritet”, tha ajo.
Fati i këtyre fëmijëve ka rënë si fjollë bore në tokë. “SOS Fshati”. Secili njeri human shpreson që një ditë ata ta gjejnë ngrohtësinë prindërore e familjare, apo që së paku numri i braktisjeve të fëmijëve të jetë sa më i vogël. Prindërit nuk duhet ta humbin jetën që kanë krijuar. Sepse, e ardhmja varet nga ngrohtësia familjare që ata do të kenë në fëmijëri. /Elfije Boletini/Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëReagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë
Denisa Kele për kriptovalutën "Trump”: Bleva pak, kishte 10 milionë kërkesa në sekondë
Zbardhet pas 27 vitesh vrasja e dy vëllëzërve shqiptarë në Beograd
Babai i 3-vjeçarit të dhunuar fizikisht nga edukatorja: Nuk e fal gjakun e fëmijës, mos më kërcënoni
Politikani serb: Vuçiq ka ndarë para për të blerë votat e 5 mijë serbëve për Listën Serbe
Dervishi: Ervis Martinaj kishte sasi të madhe të kriptovalutave kur u kap
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Çfarë është La Niña, a do të ndryshojë motin e Evropës dhe a do të sjellë probleme?
Eskalon deri në prekje fizike debati mes Gjestit dhe Loredanës për cigaret në BBVA
Një ditë para finales së Big Brother - Alaudin Hamiti jep disa informacione për publikun
I tha se Eglit i shkëlqenin sytë më shumë për të, Gjesti i drejtohet Aldos: A po sheh që ta dridhi, ua kam mbaruar kulaçin
Denisa Kele për kriptovalutën "Trump”: Bleva pak, kishte 10 milionë kërkesa në sekondë
Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë