LAJMI I FUNDIT:

Smrekonica, streha më e mirë për një të burgosur! (Foto)

Smrekonica, streha më e mirë për një të burgosur! (Foto)

Grilat janë treguesit konkret të vendeve të izoluara. Në shumicën e rasteve të trishtojnë nga pamja që ofrojnë...

Qendra Korrektuese në Smrekonicë nuk të jep pamjen e një burgu kur hyn në brendësi të saj, pavarësisht që perimetri i jashtëm rrethues të fut dridhmën për një vend të egër.

Ishte ora 12:00, kur të dënuarit u rreshtuan para oborrit për t’ju bërë numërimi para se të shkojnë për të drekuar. Në fytyrat e tyre nuk shihje trishtim të plotë, por përkundrazi tek ta ekzistonte një qetësi.


Një i burgosur vjen nga qyteti i Gjilanit. Është i ri në moshë, ndërsa thotë që dënimin nuk e ka merituar. Sipas tij, nuk kishte arsye bazë pse të dënohej.

“Jam i dënuar për trafikim me emigrant. Këtë po e thotë gjykata. Tri vjet më dënuan. Tash më ka mbetur edhe një vit. Në fillim e kam vuajtur dënimin në burgun e Dubravës. Kam bërë kërkesë dhe më pas më sollën këtu”, fliste i dënuari i cili thotë se është i zhgënjyer nga drejtësia.

Të krahasosh tretmanin me burgun e Dubravës dhe atë të Smrekonicës, sipas tij, është si nata me ditë.

“Dhomat këtu janë shumë të mira. Atje je i mbylltë. Ushqimi është katastrofë, se është burg i madh. Me stafin këtu kalojmë shumë mirë, s’kemi pasur asnjëherë problem. Janë shumë korrektë edhe pse ata e kanë punën e vet e ne tonën”, tregoi ai për Telegrafin.

Sa i përket dënimit të tij, thotë se ka shumë mesazhe për t’ia drejtuar opinionit.

“Kemi drejtësi selektive. Kush nuk ka dënohet, kush s’ka e han. Si thotë një shprehje: ‘S’e ke lekun, s’e ke byrekun’. Për dënimin në të cilën ndodhem është punë hakmarrje nga Prokuroria. Jam dënuar me dënimin e tjetërkujt. Kur do Prokuroria të mbulojë maskarallëkun e vet, e hamë ne. Nëse më vjen rasti, kur ta mbaroj dënimin do të iki jashtë vendit. E kisha ndërruar identitetin e të gjitha. S’ka mbetur të thuash ‘jam shqiptarë’”, shprehu mllefin e tij i dënuari.

Një tjetër është dënuar për mos pagesë të energjisë elektrike.

“I kam heq dhe i kam vendos vet siguresat e rrymës. Jam dënuar me 700 euro gjobë. S’kam pas mundësi të paguaj energjinë elektrike dhe jam dënuar me 35 ditë burg”, tregoi i dënuari, gjersa tregonte për gjendjen e rëndë ekonomike në të cilën ndodhej familja e tij me nëntë anëtarë.

“Jemi nëntë anëtarë. Askush s’punon në familjen time. Jemi rast social. I kam dy fëmijë që po shkollohen, të shkëlqyer me mësime”, tha ai, gjersa akuzonte shtetin për varfrin në të cilën ndodhet. “Shtetit me i lyp bukë, ai të sjell burg”.

Ky i dënuar, i cili është nga Komuna e Drenasit, është i kënaqur me kushtet e burgut të Smrekonicës.

“Të krahasosh me burgjet tjera, ky është i hapur. Edhe pse të mirat nuk kanë skaj”, shton ai, teksa mendjen e kishte tek familja, se si është duke u ushqyer jashta telave të këtij burgu.

Edhe sipas një të dënuari tjetër, ambienti dhe kushtet në burg janë të mira.

“Mendoj që stafi na trajton mirë. Këta i kanë detyrat, ne i zbatojmë. Ky i plotëson kushtet që të jetë një burg. Nuk krahasohet me burgjet tjera, si ai i Dubravës. Kemi mundësi për shëtitje, për dalje. Jam i burgosur për aksident trafiku që gjashtë muaj. Po kaloj mirë. Ushqimi është i mirë dhe me rregull. Më kanë mbetur edhe dy muaj”, thotë ai, teksa në sytë e tij shihej pendimi për veprën e kryer.

Disa nga të dënuarit qëndronin në oborrin e burgut, e të tjerë pastronin dhe ndihmonin rreth shërbimit në kuzhinë. Kishte edhe nga ata që qëndronin në dhomat e tyre duke shikuar televizor.

I dënuari i radhës, i intervistuar nga Telegrafi, ishte nga qyteti i Podujevës, ku si i ri ishte dënuar për rrëmbim. Ai thotë se meqë shteti ia ka caktuar dënimin, duhet të pajtohet me fatin.

“Sa i përket stafit, janë shumë korrektë. Kanë sjellje jashtëzakonisht të mira. Ata nuk na trajtojnë si të burgosur, por më shumë si shokë. Burgu i plotëson kushtet. Ushqimi është shumë i mirë dhe pastër. Këtu jam afro 15 muaj, pasi pjesën tjetër të dënimit e kam kaluar nëpër burgje tjera. Jam i akuzuar për rrëmbim nga viti 2005, nga EULEX-i”, thotë ky 34-vjeçar, i cili po ashtu shprehet se e ka një kërkesë për Ministrinë e Drejtësisë. “Nuk ka shumë punë brenda institucionit. Është obligim me rregullore që të punohet deri në orën 16:00. Këtu mundet me pasë punë për 20 të burgosur që të merren me higjienë, kuzhinë etj. Andaj, kërkoj nga Ministria që të na angazhojë të punojmë për komunitet. 70 për qind të pagës le ta marr shteti, e 30 për qind ne. Kështu na shtohet vullneti”.

Ai shprehet se tek Pallati i Drejtësisë, disa të burgosur kanë rregulluar karriget e gjërat tjera.

“Pse mos të na marrin neve, por paguajnë punëtorë e harxhon shteti. Të aktivizohemi ose në pastrim të qytetit, ose diku. S’ka nevojë të marrin kompanitë tender, ku ne mund t’i bëjmë të gjitha ato. Kërkojmë më shumë punë që të jemi më aktivë se shumë pasivë po rrimë”, tha ky i burgosur të cilin edhe shumë pak muaj e pret drita e plotë e lirisë.

Të dënuarit merren edhe me sport, siç është fitnesi, futbolli, pingpongu etj. E, këtë na e thotë një tjetër i dënuar nga Podujeva, që vuan dënimin për aksident me fatalitet.

“Kemi mundësi për aktivitete sportive. Kam qenë në burgun e Dubravës për 12 ditë, po këtu është ndryshe”, tha ky djalosh i ri në moshë, të cilin pendimi për veprën e kryer e përcillte ngado.

Gjersa të dënuarit kishin ditën përpara për të drekuar, Telegrafi bisedoi edhe me drejtorin e Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Xhevdet Maçastena, i cili shpjegoi se të dënuarit janë të gjinisë mashkullore dhe se maksimumi i dënimit është deri në dy vjet.

Xhevdet Maçastena

“Kapaciteti i burgut të Smrekonicës është për 200 të dënuar të rritur të gjinisë mashkullore, me vendime të formës së prerë të gjykatave kompetente të Republikës së Kosovës”, tha ai gjersa shpjegoi se të miturit dhe gjinia femërore e vuajnë dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Po ashtu, ai tha se në Qendrën Korrektues në Smrekonicë i kanë të përfshire të gjitha veprat penale që parashihen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, duke filluar nga ato më të rëndat e deri tek kundërvajtjet e ndryshme.

“E kemi fjalën edhe për dënimet e gjata, mirëpo këtu ekzekutohen mbetjet e dënimit që janë dy vite dhe dënimet më të shkurta se dy vite”, ka thënë Maçastena.

Gjendja numerike e të burgosurve, sipas tij, ndryshon çdo ditë.

“Aktualisht i kemi 171 të dënuar. Por, kjo gjendje ndryshon. Gjatë ditës mund të ketë pranime të reja, e mund të ketë lirime të reja. Ka të dënuar nga të gjitha qytetet dhe vendbanimet e Republikës së Kosovës. Ka edhe të kombësive të ndryshme”, tregoi ai, teksa shton se nuk kanë pasur deri tash të dënuar serbë.

“Të dënuarit e nacionalitetit serb e vuajnë dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, në Gjilan e edhe në Prishtinë”, shton Maçastena.

Drejtori i Burgut të Smrekonicës tregoi se aktualisht janë 64 persona të stafit që ushtrojnë veprimtarinë në QKS.

“Ka staf të uniformuar dhe staf civil, por pjesa dërrmuese është staf i uniformuar”, tha tutje ai.

Burgu, sipas tij ofron kushte të mira të akomodimit, si të ushqimit, ato higjienike , trajtim solid shëndetësor etj. Kutitë e ankesave gjenden brenda objektit të QKS-së, por sipas Maçastenës kanë numër të vogël të ankesave ndaj tyre, meqë ato zakonisht janë adresuar për Ombudspersonin e për Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave themelore të Njeriut.

“Një burg i hapur nuk do të duhej të kishte barriera fizike, mos të ketë barriera fizike, mos të ketë roje të armatosura, të mos ketë grila. Mirëpo, realisht barriera e jashtme është mos të kemi hyrje të qytetarëve nga jashtë”, shpjegoi ai. “Të dënuarit janë shfrytëzues të beneficioneve, 99 ose të them 100 për qind. I kryejnë vikendet në shtëpi. Shkojnë e kthehen pa përcjellje. Edhe brenda perimetrit nuk kanë përcjellje permanente të stafit”, u shpreh Maçastena.

Zymer Jashari

Zymer Jashari, mbikëqyrës i lartë për programe dhe regjime për të dënuarit për 33 vite rresht, tha se për momentin ballafaqohen me mungesën e pajisjeve të veglave të punës.

“Të dënuarit kanë nevojë të punojnë dhe ne kemi mungesë për vegla për rrymë, për instalimin e ujit, për ndërtime të objekteve etj. E kemi një tokë prek dy hektarëve dhe veglat na mungojnë. Ndaj, të burgosurit i angazhojmë me aktivitete kulturore e sportive”, tha ai.

Sipas tij, aty s’kanë pasur të burgosur të dhunshëm sepse tretmani është i hapur, e i dënuari vjen i klasifikuar se i fiton të gjitha beneficionet.

Oficeri korrektues, Fehmi Sadiku, punon që nga viti 2009 në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Ankesën e njëjtë e kishte si të kolegut të tij për mjete të punës.

Fehmi Sadiku

“Të dënuarit duhet të angazhohen në punë. Ato elementaret ekzistojnë, por jemi të varur nga burgu i Dubravës me mjetet tjera’, u shpreh oficeri Sadiku. “I dënuari i ka privilegjet e veta dhe në momentin që ai i humb ato privilegje ai menjëherë transferohet në burg tjetër. Ata janë kyçur në rrjedha të rehabilitimit, nga momenti që ata vet shkojnë e kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Vështirësi nuk ka në institucionin tonë. Jemi të angazhuar në risocializim të tyre dhe nuk kemi ngarkesë. Lajmërohen organet e Policisë së Kosovës nëse i dënuari nuk kthehet me kohë nga vikendi familjar. Detyrë e jona është vetëm që ta lajmërojmë Policinë dhe ata merren me rastin”.

Në këtë kompleks hasëm tek një objekt tjetër të ndarë në dy dyer. Njëra ishte për fitnes e tjera për lexim. Bibliotekën e QKS-së e shfrytëzonin të dënuarit që herë pas here merrnin libra të cilat i kthenin sërish. Një i dënuar mbante inventarin e librave.

“Këtu ne marrim libra, i lexojmë dhe i kthejmë. Është një bibliotekë e vogël. Librat kryesisht i kemi të siguruara nga shërbimi korrektues, disa nga bibliotekat, e disa nga njerëz të vullnetit të mirë”, shpjegoi ky i dënuar i cili në duart e tij mbante një fletore ku regjistronte secilin të dënuar me emër se kush ka marrë libër e kush po e kthen.

“Në fund të një stuhie na mbeten në mendje jo fjalët e armiqve tanë, por heshtje e atyre që i mendonim miq”, thotë ai. /Elfije Boletini/Fotografitë: Ridvan Slivova/Telegrafi/