LAJMI I FUNDIT:

S’kanë lidhje me futboll

S’kanë lidhje me futboll

Musa Selimi u bë trajneri i katërt që u ndërrua në klubet e Superligës, pas vetëm gjashtë xhirosh. Trajneri gjilanas u shkarkua nga drejtuesit e Dritës, pa pritur e pa kujtuar. Ai thotë se është fatkeqësi që klubet kosovare udhëhiqen nga njerëz që nuk e kuptojnë këtë sport dhe që gjenden në krye të klubeve vetëm për interesa personale.

Pas vetëm gjashtë xhirosh të zhvilluara në Superligë, katër trajnerë e kanë lëshuar postin e tyre, qoftë si rezultat i dorëheqjes apo shkarkimit.

Rafet Prekazi e la Trepçën, Gani Sejdiu u nda me Trepçën ’89, Fadil Rama me Drenicën dhe së fundmi mori fund eksperienca e Musa Selimit me Dritën.

Rasti i tretë ishte paksa i çuditshëm, pasi gjilanasit nuk po shkonin keq, duke e pësuar humbjen e parë të sezonit, fundjavën që shkoi nga Hysi.


Me vendimin e kryesisë ka mbetur gojëhapur trajneri i deritashëm, të cilit as që i kishte shkuar mendja se do të ‘pushohej’ nga puna.

Ai i ka kritikuar drejtuesit e klubit gjilanas, respektivisht Ismajl Rashitin dhe Saqip Shalën, të cilëve thotë se nuk ju dolën kalkulimet, siç ata deshën.

“Kjo është shumë e çuditshme prej anës së këtyre dy njerëzve. Ishte një vendim i njëanshëm dhe i pakuptimtë. As që jemi takuar për të ma kumtuar vendimin, apo për t’i diskutuar problemet. Atë ma dhanë vendimin vetëm përmes telefonit”, deklaroi fillimisht për Express trajneri i deritashëm i klubit gjilanas.

“Atyre duket se nuk u kanë dalë kalkulimet, për t’i plotësuar pikët që kanë planifikuar t’i grumbullojnë në vjeshtë, për të bërë kalkulime dhe rregullime të ndeshjeve në pranverë. Sigurisht, me një strukturë të tillë të njerëzve, nuk do të doja të kem punë më. Këta dy njerëz nuk ia duan të mirën klubit siç ia duan të tjerët. Drita sot s’ka kryesi. Duhet të intervenojë edhe Kuvendi Komunal. Në këtë mënyrë, klubi nuk do të ketë suksese kurrë”, vazhdoi Selimi.

Ai zotohet se e kreu punën me një përkushtim të madh, duke punuar maksimalisht me ekipin, për të nxjerrë rezultate të kënaqshme. Selimi i falënderoi tifozët ‘Intelektualët’ për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme.

Ai ndër të tjera shton se Drita ishte njëra prej ekipeve më pak të përforcuara në verë. Ish trajneri i Ferronikelit shton se vetëm Fitim Llapashtica ka qenë përforcim nga ekipet e Superligës, e që futbollisti ka qenë vonë me përgatitje dhe nuk ka mundur të llogaritë në të, ndërsa tregon se gjysmën e ekipit e kishte juniorë.

Selimi mendon se u shkarkua shumë herët, pasi thotë se është dashur të pritet xhiroja e 10-të, për të nxjerrë përfundim se si po shkojnë punët dhe se, nëse do të ishte nevoja, do të largohej vetë, po qe se s’do të kishte rezultate.

Ai e konsideron fatkeqësi për klubet e futbollit kosovar, që sipas tij udhëhiqen nga njerëz që nuk kuptojnë nga futbolli, por mendojnë për interesa personale dhe kërkojnë rezultate me çdo kusht.

“Hiç një apo dy klube, shumica prej tyre i kanë të njëjtat probleme. Drejtuesit e klubeve nuk mendojnë në staza të gjata, por presin mrekulli vetëm nga një njeri. E unë them se trajneri nuk ka shkop magjik, pasi ai nuk mund të futet në lojë dhe ta sjell rezultatin. Ne po e shohim se nga çfarë njerëz po udhëhiqen klubet”, vijoi ai.

Selimi madje e përmend një fakt se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vërejtje apo paralajmërim nga kryesia, e cila ka vendosur mbrëmë për shkarkimin e tij, duke e emëruar menjëherë trajnerin e ri, Milaim Zuzaku.

Trajneri i deritashëm i Dritës zbulon edhe një fakt interesant. Ai tregon se herën e kaluar kur e kishte udhëhequr ekipin gjilanas, ishte shkarkuar nga posti i trajnerit, por drejtuesit e klubit kishin kërkuar nga ai që të thoshte se ka dhënë dorëheqje.

Në rastin e fundit, ai nuk kishte bërë kontratë, e cila do ta mbronte në rast të prishjes së parakohshme të saj, duke iu besuar pikërisht këtyre njerëzve. Dhe në fund, mbeti i zhgënjyer keq nga ta.

“Kam menduar se tash kanë ndryshuar, për atë edhe e kam pranuar ofertën për ta drejtuar ekipin. Por, po shihet se ata janë të njëjtit. Mendojnë për interesa personale dhe për asgjë tjetër”, thekson Selimi, i cili shpreson që në të ardhmen Drita të ketë strukturë udhëheqëse më cilësore dhe organizim më të mirë, me njerëz tjerë sigurisht.

Ai tregohet i gatshëm që në të ardhmen ta drejtojë ndonjë klub tjetër kosovar, por jo me drejtues të tillë siç i ka Drita. Selimi e kishte rikthyer Ferronikelin dhe Gjilanin në Superligë, ndërsa punon në zejen e trajnerit prej vitit 1997.

Viteve të pasluftës, trajnerët ishin ‘viktimat’ më të mëdha në futbollin kosovar. Jo domosdoshmërisht, nëse një ekipi nuk i ecin punët mirë, fajet i ka trajneri. /Express/Telegrafi/