LAJMI I FUNDIT:

Sigali e Peja drejt fitoreve të reja

Sigali e Peja drejt fitoreve të reja

Këtë vikend zhvillohet xhiroja e nëntë e ETC Superligës së Kosovës në basketboll e ku padyshim përballjet kryesore do të jenë ajo që zhvillohet në Malishevë ndërmjet Trepçës dhe Pejës si dhe ajo që do të luhet në Prishtinë ndërmjet Sigal Prishtinës e Bashkimit. Pejanët edhe këtë vit janë duke kaluar nëpër një formë mjaft të mirë në kampionat, pasi që aktualisht kanë vetëm një humbje nga Sigal Prishtina dhe kanë një koshaverazh prej plus 213 pikëve.

Edhe basketbollisti i Pejës Drilon Hajrizi është i bindur se Peja do të vazhdojë suksesshëm edhe më tutje në garat kampionale. Në ndeshjen ndaj Trepçës ai pret vetem fitore. “Jemi të përgatitur maksimalisht edhe për sfidën ndaj Trepçës dhe mendoj se aktualisht Peja ka një ekip më të mirë sesa Trepça, prandaj edhe jam i bindur në fitore.

Në Trepçë kam kaluar vitet më të mira të karrierës sime dhe të luaj ndaj Trepçës dhe para Torcidës padyshim se do të jetë një ndjesi e veçantë” ka thënë Hajrizi, i cili po ashtu ka shtuar se shpreson që shumë shpejt Trepça t’i tejkaloj problemet dhe të ngritët aty ku e ka vendin. I të njëjtit mendim nuk është bashkëlojtari i dikurshëm i Hajrizit tek Trepça, Gazmend Asllani, i cili beson se Trepça ka ekip që ta mposht Pejën.

“Kemi pasur kohë të mjaftueshme gjatë tërë javës të përgatitemi për këtë lojë të vështirë. Peja ka një ekip mjaft të mirë, por me kalimin e kohës ne po arrijmë të komponohemi dhe fitorja ndaj Pejës nuk do të ishte kurrfarë befasie” ka thënë Asllani. Ndeshje interesante padyshim pritet të jetë edhe ajo ndërmjet nënkampionit aktual, Sigal Prishtinës dhe Bashkimit e cila zhvillohet sot në sallën 1 Tetori. Sigali është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme si në arenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare dhe nuk pritet ta hasë në vështirë as ndaj Bashkimit.


“Mendoj se sfida ndaj Bashkimit nuk do të jetë edhe aq e vështirë pavarësisht faktit se ne nuk e nënçmojmë asnjë skuadër. Prapë se prapë mendoj se duhet t’i qasemi me seriozitet takimit në mënyrë që të mos befasohemi” ka deklaruar Alban Veseli, basketbollist i Sigal Prishtinës. /Zëri/Telegrafi/

ETC Superliga – java 9

e shtunë

Sigal Prishtina – Bashkimi, 17:15

e diele
Trepça – Peja, 16:00
Besa – Drita, 18:00
Kastrioti – RTV21, 19:00