LAJMI I FUNDIT:

Sigal Prishtina përsëri në Ligën Ballkanike

Sigal Prishtina përsëri në Ligën Ballkanike

Klubi më i trofeshëm në vendin tonë, Sigal Prishtina do të jetë pjesë e Ligës Ballkanike edhe në edicionin e ardhshëm.

Kështu i ka thënë KosovaPress-it, drejtori i përgjithshëm i klubit prishtinas, Florian Miftari. Sipas tij, 80 për qind kryeqytetasit do të jenë pjesë e BIBL-së.

Sigal Prishtina dhe Peja, ishin dy skuadrat e para të vendit tonë që në sezonin që lamë pas përfaqësuan Kosovën në Ligën Ballkanike.

Prishtinasit në sezonin e parë në BIBL treguan përformancë mjaft të mirë, madje Sigal Prishtina ishte edhe organizatore e ‘final-fourit’. Sigal Prishtina sezonin e parë në BIBL e mbylli në pozitën e katërt.


“Po, Sigal Prishtina do të jetë edhe në sezonin e ardhshëm pjesë e Ligës Ballkanike. Ende zyrtarisht nuk është vendosur pjesëmarrja jonë në Ligën Ballkanike, por 80 për qind do të jemi aty edhe në edicionin e ardhshëm”, ka thënë Miftari.

Sigal Prishtina do të jetë edhe më e fuqishme

Ish basketbollisti i njohur thotë se Sigal Prishtin a i ka realizuar objektivat në këtë sezon të garave. Sigal Prishtina përveç paraqitjeve improsinuese në Ligën Ballkanike, rrëmbeu Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe në fund të sezonit titullin e kampionit e riktheu në kryeqytet.

“Jemi të kënaqur me rezultatet dhe trofetë e arritur në sezonin që lamë pas. Objektivat tona i kemi realizuar”, tha Miftari.

Ai është i bindur se Sigal Prishtina në sezonin e ardhshëm do të jetë edhe më e fortë. Miftari e ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve në skuadër, pasi që sipas tij, Sigal Prishtina nuk do të llogaris në dy basketbollistët e huaj.

“Derisa në krye të klubit do të jetë Blerand Stavileci dhe njerëzit e duhur të basketbollit, atëherë në sezonin e ardhshëm do të jetë një Prishtinë edhe më e fuqishme. Dhjetë ditë do të jemi në pushim, e pastaj do të nisim punën për sezonin e ardhshëm. Dy nga lojtarët e huaj nuk besoj se do të jenë pjesë e jona në edicionin e ardhshëm, sepse ata vuajnë nga lëndimet dhe rikuperimi i tyre zgjatë shtatë deri në tetë muaj. Ndërkaq, sa i përket lojtarëve vendore përveç me Edmond Azemin që kemi edhe një vjet kontratë, më të tjerët do të ulem të bisedojmë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit”, ka theksuar Miftari.

Ai është i bindur se Sigal Prishtina do të tregojë përformancë edhe më të mirë në kampionatin e ardhshëm. /KP/Telegrafi/