LAJMI I FUNDIT:

Shpirti yt mos daltë nga unë!

Shpirti yt mos daltë nga unë!
Ali Podrimja (1942-2012)

Nga: Blerim Valla

Tani kur u bën 12 vjet nga ikja në amshim e tij dhe kur jemi afër ditëlindjes së tij të 82-të, Ali Podrimja fatkeqësisht u harrua shpejt, siç janë harruar edhe shumë klasikë të letërsisë e kulturës tonë, intelektualë e poetë elitarë, atdhetarë të pakopromisë që i përkisnin epokës iluministe të Kosovës – epokë kjo që i parapriu çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Por, sikur po harrojmë se qëmoti jetojmë në kohën e antivlerave në letërsi dhe të shkatërrimit të kulturës sonë nga vet ne!

Lexo po ashtu: Njeriu i dy mileniumeve

Mbase vijnë kohëra të tjera në Kosovë, kur Ali Podrimja do ta cilësohet si poet i vlerave dhe nga më të përkthyerit shqiptar, por edhe si një nga kërcyesit e parë që hidhej (në vitet e 1960-‘70) nga Ura e Fshejtë e Gjakovës në Drinin e Bardhë. Deri atëherë do ta kujtojmë vetëm me poezitë dhe librat që ai i ka lënë, padyshim ndër më të mirët në poezinë moderne shqiptare e të cilat me kalimin e kohës u shndërruan në himne për liri e dashuri.


Lexo po ashtu: Te guri i Ali Taljanit …

Ali Podrimja, përmendore e shpirtit dhe e dhimbjes njerëzore, ishte ai që më mësoi ta shijoj dhe ta shkruaj poezinë. Jo vetëm mua, por edhe shumë poetë të tjerë atëherë të rinj që sot madje kanë bërë emër në letërsinë shqipe!

Ali Podrimja lindi në Gjakovë më 28 gusht 1942, ndërsa vdiq më 21 korrik 2012 në qytetin Lodëve në Francë ku më 18 korrik 2012 ishte zhdukur gjatë një festivali të poezisë. Pas kërkimeve të shumta, më 21 korrik 2012 u gjet trupi i pajetë i tij. (Konstatimi i autoriteteve franceze ishte ky: “Vdekja e Ali Podrimjes nuk ka asnjë shkak të jashtëm, asnjë gjurmë të dhunës të shkaktuar nga jashtë ose në mjedisin ku ai ka lëvizur ato ditë. Ai nuk është rrëzuar, nuk ka asnjë lëndim në trup. Është fjala për vdekje të natyrshme”.)

Qysh në vitin 1982, në botimin e parë të tij librit antologjik, Lum Lumi, Ali Podrimja kishte shkruar poezinë Parisi, vendlindja, ku artistikisht kishte “paralajmëruar” vdekjen e vet në Francë. Çfarë “rastësie” apo me të vërtetë poetët janë elita dhe mendja më e ndritur e kombit.

Lexo po ashtu: LUM LUMI

***

PARISI, VENDLINDJA

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.

Ma jep besën, Lum Lumi
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

***

Lexo po ashtu: EPIKA

Ali Podrimja ka shkruar më shumë se njëzetë vëllime me poezi. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën Jeta e Re. Kurse, librin e tij të parë, Hija e tokës, e shkroi në vitin 1960 kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake, Thirrje. Ndërsa, me veprën e tij, për mua më të mirë dhe më të njohur, Lum Lumi (1982), ai e shënoi kulmin e tij si poet. Ky libër bëri kthesë të madhe në letërsinë bashkëkohore të Kosovës.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: Thirrje (1961), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971), Folja (1973), Credo (1976), Sampo 2 (1980), Drejtpeshimi (1981), Lum Lumi (1982), Fundi i gëzuar (1988), Zari (1990), Në bisht të sorrës (1994), Buzëqeshje në kafaz (1995), Ishulli Albania (2003), Pikë e zezë në blu (2005) etj.

Lexo po ashtu: Dhimta universale nga humbja, shpërbemja …

***

BUKURIA[1]

Zgjata dorën në livadh lulen me këputë
“Mos-– fqiu im i dashur më bërtiti –
– do të vyshket!

Qita hapin, kalin e bardhë me mbërri –
– vashën e ëndërruar kaherë.
“Mos! – përsëri m’u gjegj fqiu.
Unë qava me mall edhe atëherë.

Hodha dorën në gjithësi me pikëllim –
Çel e mshel sytë dritë m’u bë.
“I lumi ti!” – dikush më bërtiti në përqafim
e kurrgjë tjetër s’pashë as ndjeva.

Sot e atë ditë, kudo e kërkoj fqiun tim të mirë.

***

Ali Podrimja dhe Blerim Valla

PA TY[2]

Poezi nga: Blerim Valla

Unë ende
Po mundohem
Si t’i lexoj vargjet tuaja
Po mësohem
me vdekë si ti
Diku afër Lumit
skaj Erenikut!

Aty ku nuk harrohet dhimbja
Vendlindja ku ngjallet
në çdo varg
Diku mes shpirtit
Mes dashurisë
Aty ku poetët
Nuk vdesin kurrë!
Po mësohem
të vrasë vetminë
Shpirtrat e këqij
Domethënien e vdekjes
mos ta kuptojë
Si mos me u tretë vitet!
Shpirti yt
mos daltë nga unë!

________________ 

[1] Poezi e shkruar në vitin 1960, kur Ali Podrimja ishte 18-vjeçar – gjimnazist në Gjakovë.
[2] Poezi e shkruar në 12-vjetorin e vdekjes së poetit Ali Podrimja (Gjakovë,  21 korrik 2012).