LAJMI I FUNDIT:

Shpëtim Idrizi, futbollisti më i mirë i vitit

Shpëtim Idrizi, futbollisti më i mirë i vitit

Futbollisti i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, është zgjedhur lojtari më i mirë për vitin 2012.

Shpallja e më të mirëve është bërë nga trajnerët e Superligës së Kosovës në futboll. Sipas trajnerëve elitare, futbollisti i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, ka fituar kurorën e më të mirit në futbollin e Kosovës me 82 pikë të tubuara, duke e lënë pas Besnik Krasniqin (Prishtina) me 78 pikë dhe Fillim Guraziun (Hajvalia) me 66 pikë.

Golashënuesi më i mirë u shpall Berat Hyseni (Drenica) me 17 gola, ndërsa portier i dalluar Enis Manxholli i Trepçës ‘89.

Futbollisti me perspektivë u shpall Argjend Malaj i Prishtinës, derisa futbollisti më i mirë në diasporë u shpall Valon Behrami. Klubi më ‘fair-play’ u shpall Istogu.


Klubi më i mirë në konkurrencën e femrave u shpall KF Kosova e Prishtinës, ndërsa futbollistja më e mirë Qëndresa Krasniqi (KFF Prishtina). Futbollistja më me perspektivë u shpall Blerina Musa (KFF Trepça ’89).

Në futsall epiteti i klubit më të mirë i takoi FC Liburni Gjakovë, ndërkaq Ramadan Alaj u shpall lojtari dhe shënuesi më i mirë.

Gazetari më i mirë sportiv u shpall Azem Brovina i Radio Kosovës. FFK-ja ndau mirënjohje për MKRS-në, Raiffeisen bank dhe Air Prishtina.

Në këtë ceremoninë sportive ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë nga Federata Shqiptare e Futbollit në krye me presidentin Armando Duka.

Në fjalën e tij presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, shpalosi sukseset, por edhe vështirësitë e mangësitë që e karakterizuan futbollin e Kosovës përgjatë vitit 2012. Ndërsa duke folur për angazhimin drejt ndërkombëtarizimit, tha se kjo gjë ka mbetur peng i politikës. Duke shprehur indinjatën e thellë për vendimin e FIFA-s rreth modaliteteve, duke theksuar edhe një herë se këto janë të papranueshme, ai deklaroi se do të vazhdohet më kërkesa ndaj UEFA-s dhe FIFA-s që të gjenden zgjidhje të pranueshme deri në anëtarësimin e plotë të FFK-së. /Telegrafi/