LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtari që ruajti fëmijërinë si amanet…

Shkrimtari që ruajti fëmijërinë si amanet…

Nga: Xhahid Bushati

Odhise K. Grillon, si shkrimtar, e njoha që në fëmijëri. Kështu që fëmijëria ime pati privilegjin të bëhej edhe më e bukur, sepse herë pas here e shtegtonte drejt fantazisë e ëndrrave lodërtare, zëri i shkrimtarit të madh nga Vunoi.

Çuditërisht, pas shumë e shumë vitesh, shkrimtari Grillo do t’i rikthehej fëmijërisë së tij dhe do ta shenjtëronte atë nëpërmjet një cikli poetik, që do të ishte i pranishëm në librin “Mollëkuqja e fëmijërisë”, ku: “Një nga motivet kryesore në këtë libër, siç del edhe nga vetë titulli, është fëmijëria. Kthimi i poetit në të vërteton se largimi nga ajo nuk mund të ndodhë kurrë. Vendlindja dhe fëmijëria janë kujtime të cilat njeriun e shoqërojnë në jetë. Ato nuk shlyhen, sidomos kur janë të lidhura me njëra-tjetrën.”


Vëllimi poetik “Mollëkuqja e fëmijërisë” do të ishte dhe libri i fundit në gjallje të tij.

Dhe, kujtoj nga ky libër, në mes të tjerave, edhe këto dy fragmente poezish: “Më presin mijëra çerdhe/ të fshehura diku…/ Po çerdhja me kujtime/ ku është vallë, ku?/ Këtu mes qiparisash/ ajo çdo vit më pret…/ Si çerdhja me kujtime/ asnjë fole nuk ngjet!”, apo edhe atëherë kur koha e fëmijërisë përmes simbolikës së asaj kandrrës së vogël, bëhet kujtesë e pleqërisë: “Po unë sytë nuk i mbyllja dot,/ se luaja me mollëkuqen e fëmijërisë,/ ajo si në ëndërr më del edhe sot,/ kur eci me tri këmbë, duke trokitur trak e trok!/ Mbështetur te shkopi i pleqërisë”.

Pikërisht, edhe me këtë libër (atëherë i sapodalë në qarkullim) më lidh dhe ai takim i paradites në një nga lokalet e qendrës në Tiranë. Takimi (shpesh e risjell nëpër mend dhe e rijetësoi) ishte jo i zakontë, kishte humor e të qeshura, dhe zgjati si orar më shumë se herët e tjera. Më vonë, nga ajo çka mësova për atë që ndodhi, kishte qenë takimi… i fundit me mikun tim dhe poetin e shquar të letërsisë për fëmijë e të rinj Odhise K. Grillo.

Në ato shumë biseda të atij lokali mësova edhe lajmin se, pas një jave Odhiseja së bashku me Vangjelonë, të shoqen, do të niseshin për në SHBA, ku kishin një pjesë të shpirtit të tyre, tek e bija, Ani (nuk e harroj dritën që dritësonte sytë e Odhisesë! Dritë prindërore, dritë malli, dritë ëndrre e shumëpritur!).

Në fund të takimit, para se të përshëndeteshim, Odhiseja me humorin e tij karakteristik më tregoi se miku i tij i ngushtë, shkrimtari humorist Dionis Bubani i kishte dhënë si dhuratë rreth 50 e ca fije format A4, për t’i kujtuar se, duhej të vinte patjetër me një vepër të re. Por…

Dua ta përsëris trishtueshëm se, ishte biseda e fundit e një takimi të fundit… Kur e përmend, nuk dua ta besoj. Nuk e pashë më. As nuk do ta shihja..! Nuk dua ta besoj…

Por… shpesh, për arsye të studimeve të mia në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shfletoj herë pas here librat e tij. Sikur më shfaqet i “gjallë”, aty, pas një gërme, pas një shkronje, pas një vargu, pas një… Dhe kam menduar gjithnjë se kjo është përjetësia e veprës dhe pavdekësia e shkrimtarit. E zë të bisedoj me të… Më saktë kam nevojë të bisedoj me të… Dhe bisedoj vazhdimisht me të… Siç thotë liriku i shquar i letrave shqipe për fëmijë Xhevat Beqaraj: “Po Odhisenë nuk e kemi më, e mallin do ta shuajmë me kujtimet që i ruajmë për të e me librat e shumtë, se shumë shkroi ai e, në çdo gjini që provoi veten, mbetet një krijues i denjë i letërsisë për fëmijë.”

Mbase biseda nis edhe nga biografia e shkrimtarit, aty ku zë fill rrënja, historia, pema gjenealogjike apo tradita e tij familjare… Po e nis kështu: Çuditërisht njoha një shkrimtar që thoshte: “… pat (ëm) një fëmijëri pa libra.” E, që, në vazhdim thoshte: “I lexuam e i rilexuam me dhjetra herë ato katër – pesë libra të përkthyer të Kolodit, Kërellit, Molnarit, De Amiçisit, Gajdarit. … Të gjithë këto libra, që nga viti 1945 e gjer më sot (origjinalë e përkthime, në prozë e në poezi) jo vetëm i kam lexuar e rilexuar por për çdo njërin prej tyre kam shënime e mendimet e mia për të mirat dhe dobësitë që kanë. Herë pas here u kthehem librave e shënimeve dhe shoh gjërat që më interesojnë, veçanërisht ato që lidhen me botën e të vegjëlve dhe me probleme të mjeshtërisë. Kështu mësoj në të dy drejtimet, nga të gjithë shkrimtarët.”

Të gjitha këto detaje që përmend krijuesi Grillo, fare mirë, dhe nuk gabojmë t’i quajmë “të pathënat”, të cilat i di vetëm shkrimtari, të cilat nuk duhet të mbeten mister për lexuesin, ato duhen ditur. Ato duhet të shpalosen, sepse, kështu, plotësojnë më mirë portretin e shkrimtarit; individualiteti i tij krijues merr një hapësirë më dimensionale.

Në fillim të kësaj sprove, përmenda Fëmijërinë time. Jo më kot. Jo se ajo ishte vetëm hershmëria më e lumtur e jetës sime; por edhe për një fakt tjetër që lidhet pazgjidhshmërisht me të: shkrimtari Odhise Grillo shkroi gjatë gjithë jetës së tij për fëmijët. Dhe më ngjan absulutisht e vërtetë: Çdo vit i jetës së tij “u zbardh” dhe “u thinj” për letërsinë për fëmijë. Korpusi i veprave të tij dhe botimet e pafund tregojnë se, i deshi shumë fëmijët, jetoi me ta, jetoi për ta, zemra gjer në çastin e fundit rrahu për ta… Kjo mbase është arsyeja që, si shkrimtar në çdo krijim që sillte, tregonte njëherazi edhe përpjekjet e tij që ta njihte sa më mirë e sa më thellë botën dhe psikikën e fëmijëve, tregonte edhe talentin e tij. Një refleks të tillë e gjejmë edhe te kjo poezi që po citojmë: “I thotë malit: – Shtrihu! –/ Dhe ai shtrihet,/ I thotë fushës: – Ngrihu! –/ Dhe ajo ngrihet,/ I thotë gjolit: – Thahu! –/ Dhe ai thahet,/ I thotë gurit: – Çahu! –/ Dhe ai çahet,/ I thonë ditës: – Zgjatu! –/ Dhe ajo zgjatet,/ I thotë zemrës: – Hapu! –/ Dhe ajo hapet.// Një gjë fëmija të kërkojë/ Në çast ndryshon/ Sikur të ish lojë!

Ndaj, çdo libër që mbante emrin e Odhise K. Grillos ishte me vlera e cilësi artistike, ndonëse thoshte: “… librat për fëmijë, nga volumi i mban edhe zogu në sqep, por jo nga vlerat…”; por, ama, vazhdonte prapë të thoshte: “Sado të pasura e të bukura të jenë mbresat e kujtimet që mbart shkrimtari nga fëmijëria e vet, ato janë shumë të varfra e të kufizuara në krahasim me botën e madhe e të pasur të fëmijëve bashkëkohorë.”