LAJMI I FUNDIT:

Shkolla të futbollit me bollëk, rezultate pak

Shkolla të futbollit me bollëk, rezultate pak

Kosova mund të mburret me numrin e madh të shkollave të futbollit dhe interesimin e fëmijëve për lojën e futbollit, por assesi nuk mund të mburret me rezultatet qe po dalin nga to.

Sot futbolli ynë çdo herë e më shumë po ka rënie në cilësi dhe interesim. Sipas ish-futbollistit, Arsim Abazi, në Kosovë ka shumë shkolla dhe numri i tyre veç sa po rritet, por askujt nuk i shkon ndërmend të shikojë se çfarë rezultate po dalin nga to.

“Është vërtet e çuditshme kjo që po ndodh. Kemi kaq shumë shkolla të futbollit dhe shumë pak flitet për kushtet që kanë këto shkolla. Nuk dua t’i përfshij të gjitha, por disa prej tyre udhëhiqen nga njerëz që kurrë me futboll nuk janë marrë. Përveç kësaj ato nuk plotësojnë as kriterin themelor, nuk kanë fushë të madhe dhe punojnë nëpër fusha të vogla të mbuluara”, tha Abazi për Zërin.

“Unë përcjell shumë futbollin e grupmoshave, dhe më vjen keq kur shoh një fëmijë 16-17 vjeçar që nuk di as të pozicionohen në fushë, nuk e di as çka po luan. Kjo krejt si pasojë e punës nëpër shkolla të cilat fëmijët i stërvitin nëpër fusha balloni”, tha Abazi që përveç në Kosovë ka bërë karrierë edhe në Maqedoni dhe në Turqi.


“Shumica e këtyre shkollave hapen për përfitime personale. Sot shohim rënie të cilësisë, nuk kemi lojtarë që nxirren në sipërfaqe, krejt kjo shkas i këtyre shkollave që punojnë me jo profesionistë. Vetëm në Ferizaj kemi 8 shkolla private, secila nga to i ka përafërsisht 100 -150 fëmijë, ku shifra totale arrin mbi 1000 fëmijë dhe nga ta mos të dalin 1 ose 2 futbollistë të mirë, është vërtet për të ardhur keq. Unë kisha kërkuar nga ata që i licencojnë këto shkolla, që kriter kryesor ta kenë fushën e madhe, ndryshe nuk mund të funksionojë. Unë e pëlqejnë shumë punën me fëmijë, por pikërisht pse nuk kam fushë të madhe nuk hap shkollë, pasi që e di që aty rezultate nuk ka”, vlerësoi ish-trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, i cili më pas e morri shembull edhe kampin e fundit të organizuar nga Milan junior Camp që u zhvillua në Ferizaj.

“Aty u pa që fëmijët tanë ushtrojnë nëpër fusha të ballonit e jo në fushë të mëdha. Fëmijët kishin talent, por ata nuk e kuptonin lojën e futbollit të madh, mungonin pasimet e gjata, vrapimet e gjata, vendosja e tyre. Këto gjëra mësohen në fushën e madhe e jo në ato të vogla”, shtoi Abazi, i cili ka kritikuar edhe punën e klubeve të cilët përqendrimin më të madh e kanë te skuadra e seniorëve dhe jo të kategoritë e reja. /Telegrafi/