Shkaqet e pasojave të (pa)evitueshme!
Askush nuk e konsideron problem pse Dielli lind në lindje dhe perëndon në perëndim, e as pse ai verës ngrohë më shumë sesa dimrit. Këto ligje natyrore janë plotësisht të pritshme, dhe kur kujtojmë se rrjedhat e tyre përveçse nuk i përcaktojmë ne, ato si të tilla neve nuk na bëjnë dëm, ne edhe po të mundnim, nuk do të bënim përpjekje t’i ndryshojmë. Por, krejtësisht ndryshe ngjanë me dukuritë psikike, sociale, ekonomike, kulturore, historike e politike. Duke qenë se këto procese jemi ne ata që i përcaktojmë, përgjegjësitë për pasojat dhe ndryshimet pozitive të tyre i bartim veçse ne njerëzit si e vetmja qenie humane e planetit Tokë. Dhe, duke qenë se vërtetë është kështu, padyshim se dhimbjet janë më të mëdha për ato pasoja që në thelb janë të evitueshme, por që vese të tilla si neglizhenca, pakujdesia, lakmia, interesat e ngushta, mungesa e vullnetit dhe profesionalizmit, ndërgjegjshmërisë dhe përgjegjshmërisë që i kaplojnë institucionet politike në veçanti dhe qytetarët në përgjithësi, efektet sociale të pakëndshme, lehtë mund t’i bëjnë të determinuara dhe rrjedhimisht të paevitueshme. Kur shohim se një pasojë e natyrës sociale ka ndodhur, origjina e saj është sfondi tek i cili duhet të gjurmojmë, në mënyrë që t’i kuptojmë shkaqet e vërteta, në bazë të së cilave jepen rekomandimet e nevojshme, respektimi i të cilave në rrethana të reja por të ngjashme me të kaluarat, do t’i bënte të panevojshme dhe të evitueshme shumicën dërmuese të pasojave të padëshiruara.
Vrasja tronditëse e drejtorit të drejtorisë së arsimit të Komunës së Prishtinës, është një alarm shokues që duhet t’i preokupojë të gjithë ata qytetarë që ia duan të mirën këtij vendi, e veçanërisht udhëheqësit e lartë të institucioneve të arsimit dhe institucioneve të tjera relevante. Kaosi që është duke mbretëruar në arsim, i cili ka kohë që vërehet se është politizuar, korruptuar dhe kapluar nga nepotizmi (rrjedhoja këto të cilat natyrisht se vijnë si pasojë e një vargu faktorësh prej më të ndryshmëve, nga ata politik që e kanë rënduar situatën ekonomiko sociale, e deri tek ata psikologjik që janë pasojë e kësaj krize, për tejkalimin e së cilës zgjedhën metoda tërësisht antiligjore ) – duket se është një korrelacion më i përafërt që ka çuar në këtë ngjarje të rëndë, tërësisht të shmangshme.
Disproporcioni mes kërkesës së madhe dhe ofertës së vogël është një faktor ekonomiko-social, që përçon sinjale tek mentaliteti psikik i individëve, e që ushtron presion të vazhdueshëm te të gjithë ata që hyjnë në kategorinë e “kërkesës”, qëndrimi i gjatë në të cilën presionin e bën të padurueshëm, me ç’rast vet protagonistët, për të dalë nga aty zgjedhin forma nga më të ndryshmet, ndërsa një numër i tyre fatkeqësisht nuk hezitojnë t’i përdorin edhe ato mjete që cenojnë lirinë e të tjerëve.
Tregu shumë i vogël i punës në Kosovë, nevoja e domosdoshme e njerëzve që të bëhen pjesë e tij, numri i madh i maturantëve, shumica e të cilëve mbesin jashtë Universitetit publik dhe atyre private, ndërsa ata që bëhen pjesë e tyre, pasi t’i përfundojnë studimet mbesin pothuajse të gjithë jashtë këtij tregu, janë disa indikatorë që me kalimin e kohës po e bëjnë përherë e më të vështirë sistemimin e qytetarëve në tregun e punës. Pasi që ky treg përveçse është i vogël është edhe shumë i dendur, ai detyrimisht lë jashtë vetes një numër të madh studentësh (përveç qytetarëve të tjerë, numri i të cilëve është edhe më i madh), të cilët të dëshpëruar nga kjo situatë e rëndë ekonomike zgjedhin rrugë të ndryshme për tejkalimin e saj. Një pjesë e tyre emigrojnë jashtë vendit – kryesisht në vendet perëndimore, një pjesë gjejnë punë jashtë profesioneve të tyre, një pjesë e vogël sistemohen në sektorët punues për çka janë të kualifikuar, një pjesë tjetër merren me dukuri devijante, e një numër kryesisht i vogël, por megjithatë tejet shqetësues, bëjnë “zgjidhje” që kanë të bëjnë direkt me jetët, ose të tyre ose të ndonjë “fajtori” tjetër, ndërsa pjesa tjetër që e përbën shumicën, janë kandidatë potencial t’i bashkëngjiten ndonjërit prej këtyre grupeve.
Pranimi i studentëve pa kritere, ose me kritere joprofesionale, lë pasoja nga më të ndryshmet, që fillojnë nga rënia e prestigjit të të qenit student, dhe më pas “student i diplomuar” (status ky të cilin po e fitojnë edhe ata që nuk e meritojnë, e që kjo në një të ardhme të afërt mund t’ia ulë vlerën studimeve në Kosovë, ndërkohë që pamundësia për të studiuar jashtë vendit është evidente për shumicën e qytetarëve) e deri te zgjedhja e mjeteve naive, të ulëta e kriminale për arritjen e disa qëllimeve, realizimin e “domosdoshëm” të të cilave në situata rënduese dhe kritike, nuk përjashtohen mundësitë që disa qytetarë të provojnë ta justifikojnë me Diplomën që e posedojnë, të cilën e marrin si dëshmi se kërkesa e tyre duhet të përmbushet, e disa të tjerë do të përpiqen të “qërojnë hesapet” me ato subjekte që i shohin si fajtorë, pavarësisht se zinxhiri i “fajtorëve” është shumë më i gjatë dhe kompleks sesa ata e mendojnë, por që këputja e tij, për ata përbën “shfryrje të një mllefi” të akumuluar, të cilin s’mund ta përballojnë dot.
Arsimimi dhe edukimi është një tregues shumë i rëndësishëm i zhvillimit të një vendi, dhe në këtë kuadër, vendi ynë, veçanërisht Ministria e Arsimit dhe Rektorati i UP-së gjenden në mes të një udhëkryqi dalja nga i cili nuk është e lehtë të arrihet. Të pranohen studentë, pjesës më të madhe së të cilëve nuk mund t’iu sigurohen vende pune, apo të pranohen një numër relativisht i vogël studentësh, të cilët të kualifikuar dhe me profesionalizëm mund të përfshihen në tregun e punës – është dilema komplekse që i preokupon këto institucione. Natyrisht, kjo është një pyetje që kërkon analizë shumë më të thellë sesa mund të bëhet përmes një shkrese, por që, në mes dy opsioneve të mundshme: nxjerrjen e një numri relativisht të kufizuar studentësh, por të specializuar dhe nxjerrjen e një numri të madh studentësh “të diplomuar” por të papërgatitur për t’u ballafaquar me tregun e punës, nga një këndvështrim, më e arsyeshme del të jetë zgjedhja e opsionit të parë, ngaqë numri i madh i studentëve të pa kualifikuar nuk i bën nder asnjë Universiteti, por nga një këndvështrim tjetër, nën justifikimin “më mirë pak sesa hiç” edhe opsioni i dytë gjen mbështetje.
Situata e rëndë ekonomike tek një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës e ka krijuar një përshtypje pjesërisht të gabuar se gjithsesi duhet të jesh student që të punësohesh. Si rrjedhojë e kësaj, Universiteti publik, e sidomos universitetet private, në vend të tempujve ku përgatisin specialistë të degëve të ndryshme, janë shndërruar, mbase jo vetëm për fajin e tyre, në strehë ngushëllimi për ata të dëshpëruar që synimet reale nuk i kanë aty. Kjo përshtypje e gabuar ka prodhuar duke kushtëzuar edhe një përshtypje tjetër shumë më të gabuar, atë se në fakultet duhet regjistruar jo për të studiuar por për ta përfunduar sa më parë që të jetë e mundur. Një logjikë e tillë nuk ka se si të mos prodhojë një numër të madh gjysmë analfabetësh me diploma, të cilët në rastin më të mirë do t’i bashkëngjiteshin kontingjentit të atyre njerëzve që pa vullnetin e tyre kanë mbetur analfabetë, megjithëse pa diploma. E kur kemi parasysh se të gjithë të diplomuarit ligjërisht kanë plotësisht të drejtë të japin mësim në shkolla fillore dhe të mesme, brenga për të ardhmen e arsimit në Kosovë bëhet edhe më serioze.
Universiteti i Prishtinës dhe universitetet/kolegjet private duhet vazhdimisht ta promovojnë dijen, ngritin cilësinë dhe t’ua ofrojnë mundësinë e studimit të gjithë qytetarëve pa dallim, por, për të nxjerrë kuadro të kualifikuar, kriteret për, së pari pranimin, e pastaj vlerësimin gjatë studimeve, duhet të respektohen dhe zbatohen në mënyrë rigoroze. Kjo mund të tingëllojë mjaft pesimiste dhe demotivuese për studentët e ardhshëm, por e vërteta është se rigoroziteti në vlerësim është dëshmuar se aspak nuk i dëmton studentët (të paktën në periudha afatgjatë, të cilat janë qëllim i çdo shteti që synon zhvillim), përkundrazi i nxitë ata që të jenë më profesionalë dhe i bën më të përgjegjshëm gjatë studimeve, dhe kështu nxirren kuadro të specializuar dhe jo vetëm “studentë të diplomuar”.
Më shumë se nxjerrja e kuantitetit duhet të na brengosë mos nxjerrja e kualitetit. Konkurrenca në kualitet dhe jo kuantitet duhet të jetë synimi ynë. Një shoqëri e edukuar dhe e arsimuar, për t’i parandaluar pasojat, paraprakisht merret me evitimin e shkaqeve që i prodhojnë ato. Megjithëse është e ditur se problemet që po na shoqërojnë janë shumë më të thella sesa vetëm (mos) pranimi i studentëve në fakultete pa kritere të duhura (megjithëse ky është një indikator shumë relevant që e përcakton të ardhmen e një vendi) edhe kjo çështje përbën një problematikë, pasojat e së cilës nuk reflektohen menjëherë, por manifestohen në raste të krizave të ndryshme socio-ekonomike.
Kambana ka rënë, këtë duhet ta marrim shumë seriozisht. Situata e rëndë ekonomike, politike, sociale e psikologjike po përkeqësohet vazhdimisht. Manifestimi i akteve negative që vijnë si pasojë e këtyre problemeve po e vështirësojnë dhe kërcënojnë jetën e qytetarëve gjithnjë e më tepër. Maksima makiaveliste “qëllimi arsyeton mjetin”, të cilën një numër jo i vogël njerëzish po e demonstrojnë në praktikë për shkak të perceptimeve të gabuara se mungojnë alternativat e duhura, përbën një shqetësim të madh për të ardhmen e shoqërisë tonë. Ky mentalitet duhet të ndryshohet. Këtë duhet të provojmë ta ndryshomë të gjithë së bashku. Hartimi i strategjive arsimuese/edukuese dhe masat parandaluese të efekteve devijuese duhet të ndërmerren sa më shpejtë, ndërkohë që ligji i drejtë duhet të jetë i pamëshirshëm për ata që e shkelin atë.
(Autori ndjek studimet Master në Sociologji – UP)
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNdizet atmosfera në aeroport, mbështetësit e Kurtit hedhin valle me tingujt e tupanit
KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 50.91 për qind e votuesve në diasporë
Superkompjuteri ka parashikuar se kush do të dalë fitues në derbin e Madridit
Bisedë e tensionuar mes Flick dhe yllit të Barcelonës – lojtari po konsideron largimin
Koalicioni për Kosovën Fituese mbajti tubimin përmbyllës në Pejë, Haradinaj: Kosova foli, po 137
Aeroplanët e fuqishëm luftarakë francezë shihen për herë të parë mbi Ukrainë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
"Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare
Netanyahu mohon shtetin palestinez: Le ta krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite
Votimi në diasporë: A ka rrezik për manipulim në transportin e zarfeve zgjedhore?
Trump: Izraeli do t'ia dorëzojë Gazën SHBA-së pas luftimeve
Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit
Tom Jones qëndroi me dashurinë e fëmijërisë deri në vdekjen e saj, por martesa e tyre 59 vjeçare u shoqërua me shumë tradhti