LAJMI I FUNDIT:

Sfida me dhe pas barrikadave?

Pas 12 vjetëve po duket se diçka do lëviz në veri. KFOR-i pas përpjekjeve të shumta dhe të stërzgjatura po e bën punën që do të duhej ta bënte realisht shumë më herët. Në fakt kjo që po ndodh në veriun e vendit e udhëhequr dhe e dirigjuar direkt nga krerët e shtetit serb tregoi edhe njëherë se Serbia po vazhdon të mbetet në mentalitetin e vjetër shovinist, mentalitet që ballkanasve në përgjithësi, e shqiptarëve në veçanti iu solli tragjedi dhe luftëra të shumta.

Ndonëse presidenti serb Tadiq dhe elita e re politike atje u pa dhe u besua sidomos nga evropianët si një elitë që është e gatshme të ndryshojë mendësinë e dhunës dhe agresionit ndaj fqinjëve, Tadiq për asnjë moment nuk e tradhtoi ëndrrën që kishin dhe po vazhdojnë ta kenë serbët se ’Kosova është zemra e Serbisë’.

Në gjithë këtë luftë nervash që po vazhdon të bëhet për heqjen e barrikadave në veri mua po më preokupon një pyetje, e që sipas mendimit tim nuk është e lehtë t’i jepet përgjigje: çka është më e vështirë, të hiqen barrikadat e vëna në rrugë apo barrikadat që janë ngulitur në kokat e qytetarëve serbë atje për dekada me radhë me mitizimin e Kosovës?


Kjo do të jetë sfida më e rëndë dhe më e gjatë gjithsesi. Po e marrim se barrikadat janë të hequra, por kjo assesi nuk do te thotë se po zgjidhet ajo që për herë e më shumë po quhet problem politik. Kjo mund të quhet vetëm mënjanim i pasojave, por jo edhe mënjanim i shkaktarit. Shkaktari ishte dhe vazhdon të mbetet shteti serb.

Krahas fillimit të heqjes së barrikadave nga KFOR-i si aksion ushtarak patëm deklaratën e shefit të ICO-së në Kosovë zotit Piter Fajt, si aksion politik, i cili tha se të dyja palët duhet të mendojnë seriozisht për gjetjen e një zgjidhje politike. Prishtina zyrtare duhej të shqetësohej në fakt nga një deklaratë e tillë e cila bën thirrje për një zgjidhje përtej planit të Ahtisaarit, përtej planit i cili që tani shtetit të Kosovës po i krijon shumë probleme dhe nëse vazhdohet me këtë filozofi të zgjidhjeve politike nga ndërkombëtarët dhe pajtimin në heshtje të Prishtinës, një ditë do ta pamundësojë në tërësi funksionimin normal të shtetit.

Prishtina zyrtare e mësuar që mesazhet e ndërkombëtareve t’i lexojë sipas qejfit dhe duke i mjegulluar para qytetareve ka kontribuar në bërjen e asaj që sot po quhet problem politik. Kjo mendësi politike duhet të ndërrohet urgjentisht sepse edhe vetë gjendja është urgjente. Pas heqjes së barrikadave topi nga ndërkombëtarët do t’i hidhet Prishtinës duke kërkuar me ngulm zgjidhjen e problemit në veri.

Ndonëse Prishtina zyrtare momentalisht po deklaron se zgjidhja është brenda planit të Ahtisaarit, kjo nuk do të thotë se nesër nën trysninë e ndërkombëtarëve dhe dosjeve të shumta për korrupsion që kanë, që ata nuk do të pajtohen edhe me ndonjë zgjidhje tjetër që për opinionin do ta prezantonin, si zakonisht, si suksesin e radhës në vazhdën e korpusit të shumë ‚sukseseve’ që kanë arritur deri tani.

Shteti i Kosovës është para një sfide të madhe dhe të rëndë njëkohësisht, sfidë që kërkon ta tejkalojmë vetveten tonë dhe të bashkohemi në mbrojtje të territorit dhe shtetësisë së Kosovës. Gjendja në veri e tejkalon luftën politike për pushtet në mes të partive politike, kjo duhet të kuptohet nga të gjithë!

Urgjentisht do të duhej që edhe Tirana zyrtare ta thotë fjalën e vetë, por assesi duke belbëzuar por duke u artikuluar qartazi përkrah interesit të përbashkët kombëtar.

Barrikadat kanë filluar të hiqen, mirëpo ne do të duhej të jemi të gatshëm të përballemi me sfidën e pas barrikadave që të jemi të sinqertë nuk do të jetë e lehtë e mbase as edhe e këndshme.