LAJMI I FUNDIT:

Sfida e qeverisë përballë presionit ndërkombëtar për taksën 100 për qind

Sfida e qeverisë përballë presionit ndërkombëtar për taksën 100 për qind

Qeveria e Kosovës, me 21 nëntor të këtij viti ka rritur në 100 për qind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Kjo masë nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët të cilët vazhdimisht kërkojnë që kjo taksë të largohet. Kurse subjektet në pozitë, opozita, bizneset, qytetarët e ekspertë të ekonomikë e kanë mirëpritur taksën e vendosur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të miratuar nga qeveria.

Gjithashtu, shkaku i kësaj mase katër kryetar të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.


Vendimin e tillë, kryetarët e komunave veriore, e kanë arsyetuar si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e Serbisë.

Ekspertë të ekonomisë, kërkojnë nga qeveria që t’i bëjnë ballë këtij presioni ndërkombëtar dhe mos ta largojnë taksën deri në arritjen e qëllimeve të saj.

Qeveria e Kosovës paraprakisht me 6 nëntor vendosi një taksë prej 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga këto dy vende dhe pak ditë më vonë u ndryshua.

“Nga sot t’i vendoset masa 100% për produktet me origjinë nga Serbia”, tha Endrit Shala, ministër i MTI-së në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me 21 nëntor 2018.

Me 28 nëntor, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini, ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Kjo kërkesë nga Mogherini është bërë në një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi.

“Përfaqësuesja e Lartë nënvizoi se vendimi i qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100% vetëm e komplikon situatën dhe nuk sjell ndonjë zgjidhje ndaj problemeve të njerëzve ose të aspiratave të Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Ky vendim është një masë e cila nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duhet të revokohet”, thuhet në komunikatë të lëshuar nga zyra e presidentit.

Në po të njëjtën ditë edhe Gjenerali i NATO-s, James Foggo që mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, tha se taksa ndaj Serbisë mund ta izoloj Kosovën.

“Tarifa e vendosur 100% nga Kosova për mallrat e Serbisë rrezikon që ta izoloj Kosovën”, tha Foggo.

Ekspertë të ekonomisë, vlerësojnë se qeveria duhet të jetë e përcaktuar në këtë masë dhe mos të bëjë lëshime.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë për “kallxo” se qeveria aktuale këtë masë e ka marrë në kohën e duhur dhe se sipas tij ka qenë e imponuar kjo masë nga sjelljet “armiqësore” dhe “anti kosovare” nga ana e Serbisë.

Limani konsideron se çdo shtet tjetër edhe Kosova ka kompetenca në mënyrë të pavarur për të përcaktuar politika zhvillimore makro ekonomike.

“Këto janë sanksione ekonomike për ta ul në tokë të bukës Serbinë dhe për i tregu që Kosova është shtet e nuk është krahinë e Serbisë”, tha ai.

Limani shtoi se ka presion të madh nga faktori ndërkombëtar por sipas tij këto pengesa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina i kanë marr shumë kohë më parë duke e shkelur edhe marrëveshjen e CEFTA-s

“BE po sillet ndaj neve si njerkë ndërsa ndaj Serbisë si nanë sepse masat ndëshkuese ose sanksionet ekonomike Serbia dhe Bosnja e Hercegovina i kanë marr shumë më herët sesa që i kemi marr ne”, tha ai duke shtuar se këto masa duhet të jenë deri sa Serbia nuk lobon kundër Kosovës.

Limani shtoi se kjo masë duhet të vendoset për tri arsye, jo kundër Serbisë por në favor të vetes.

“Këto masa janë masa të cilat i tregojnë Serbisë që Kosova është shtet i pavarur dhe bënë politikë ekonomike në mënyrë të pavarur. Nuk është ndonjë masë kundër Serbëve përkundrazi. Këto masa janë për ta bind Serbinë që Kosova është shteti i pavarur”, tha Limani.

Gjithashtu sipas tij është edhe një masë për t’ju treguar bizneseve tona që duhet të orientohen në prodhim e jo në degët shërbyese në tregti.

“Një situatë e tillë ekonomike që diku 80 për qind të mirave materiale ne i importojmë nga bota e jashtme në tregun e Kosovës, faktikisht Kosovën e kemi shndërruar në treg konsumues”, shtoi Liman duke ftuar prodhuesit vendor të ngritin cilësinë dhe të jenë çmimet konkurruese dhe të arsyeshme për konsumator.

Dhe e arsyeja tjetër sipas tij, se pse duhet të vazhdoj kjo masë është që të ngritët edhe vetëdijesimi i konsumatorëve që duhet të konsumojnë kryesisht prodhime vendore.

“Çdo masë që e konsumojmë nga vendet e tjera ky fitim shkon në vendet e tjera”, përfundoi Limani duke cekur që ndëshkimi ma i madh do të ishte bojkotimi i mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës deri sa ata të mos ë pranojnë realitetin e ri në Ballkan përkatësisht pavarësinë e Kosovës.

Ndryshe nga Limani, Hekuran Murati, një tjetër analist, vlerëson se nuk janë bërë përgatitjet e duhura nga qeveria që kjo masë të mbahet afatgjatë.

Murati, ka thënë për “kallxo” se përkundër presioneve ndërkombëtare qeveria nuk duhet te zmbrapset nga ky vendim.

“Presione ka pasur gjithmonë që Kosova të bëjë lëshime, andaj pritet që edhe kësaj radhe të ketë. Sidoqoftë, konsideroj që Qeveria nuk duhet të zmbrapset përballë këtij presioni.  Mirëpo marrë parasysh që nuk janë bërë përgatitjet e duhura nga Qeveria që kjo masë të mbahet në afatgjatë, është vështirë të mendohet që Serbia do të dorëzohet shumë shpejtë, sepse pret që ne të dorëzohemi të parët”, tha Murati.

Në anën tjetër, sipas Muratit kostoja për popullatën do të jetë panevojshëm e lartë si pasojë e kësaj mos-përgatitjeje nga ana e Qeverisë tonë sidomos në fushën e energjisë dhe ushqimeve bazike.

“Kjo gjë mund të paraqesë presion shtesë edhe nga brenda, përveç presionit ndërkombëtar”, tha ai.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe lideri AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa prej 100% për Serbinë largohet vetëm kur Serbia do ta njohë Kosovën si shtet.

“Heqja e kësaj takse do të bëhet vetëm atëherë kur Serbia do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, sepse po u tërhoqëm nga ky vendim ne do të tërhiqemi nga vetvetja”, ka thënë Haradinaj.

Me 29 nëntor, Haradinaj sërish ka përsëritur se kjo taksë nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia dhe krijimi i një marrëveshjeje përmbledhë se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Le të  shërbejë  taksa po ne jemi zgjuar, po ne jemi vetë vetja. Ky është një vendim i Kosovës sepse është shtet sovran, këtë vendim e ka marrë Kosova sepse nuk ka pasur rrugë tjetër. Shumica po mendojnë që marrja e këtij vendimi ka qenë pjesë e kalkulimeve vendore, por më  besoni sepse mundet me mbet shumë  gjatë, aq gjatë sa të mos ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia, aq gjatë sa nuk do të vendoset një marrëveshje përmbledhëse ku i ka të gjitha edhe njohjen edhe anëtarësimin në OKB edhe borxhet edhe pensionet edhe të pagjeturit, por edhe heqjen e taksës. Taksa është  vetëm pjesë e paketës finale të marrëveshjes për njohjen Kosovë – Serbi dhe nëse dikush e kalkulon ndryshe le të vazhdon me kalku por pastaj e ka fajin vet”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Johannes Hahn, do të qëndrojë në Kosovë të hënën ku fokusi kryesor i vizitës do të jetë në vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Njoftimi thotë se ai do ta përsërisë thirrjen për revokimin e taksës dhe do ta nënvizojë nevojën për fokusim në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, parime të cilave, siç thuhet në njoftim, edhe Kosova edhe i tërë Ballkani Perëndimor janë zotuar t’u përmbahen.

Në trend Lajme

Më shumë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
Kosova dhe Kanadaja fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Kosova dhe Kanadaja fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori