LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: Plani gjashtëpikësh nuk është një dokument obligues

Sejdiu: Plani gjashtëpikësh nuk është një dokument obligues

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se tani "ka një simbolikë të prezencës së mandatit ndërkombëtar të UNMIK-ut në transfer", por shtoi se "është koha që të përfundohet gjithçka dhe është koha që të hiqet petku i përgjithshëm i UNMIK-ut në Kosovë".

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Presidenti Sejdiu tha se "EULEX i do të jetë një mandat evropian", por Prishtina insiston që "Kushtetuta e Republikës së Kosovës të jetë përcaktuesi themelor, i cili duhet të respektohet si kornizë ligjore".

"Në këtë kuadër, ne dëshirojmë që edhe kjo të jetë në realizim të plotë, për të mos lënë asnjë laramani të legjislacioneve, siç dëgjojmë nganjëherë qoftë të UNMIK-ut apo të legjislacioneve të tjera të atyre ish ligjeve të aplikueshme që janë përdorur, përderisa janë nxjerrë ligjet e Republikës së Kosovës", theksoi presidenti Sejdiu.

Në lidhje me planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Sejdiu tha se nuk është një dokument obligues, sepse as në Këshillin e Sigurimit nuk ka pasur ndonjë vendim të veçantë apo ndonjë përmbajtje e cila, në një apo në formë tjetër do të impononte zbatimin e këtyre pikave. "Kini parasysh se për relevancë paralele në dokumentin apo në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB së është edhe vetë qëndrimi i Prishtinës, pra ai i shprehur në katërpikëshin tonë", tha Sejdiu.


Ai vlerësoi se katër pikat e Prishtinës që kanë një përmbajtje shumë esenciale kundërshtojnë çdo qasje, e cila ka anashkaluar dhe është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Presidenti Sejdiu theksoi se institucionet e Kosovës gjithmonë kanë qenë dhe janë për një dialog me Beogradin për çështje që janë të interesit të të dyja shteteve sovrane e që kanë të bëjnë "me çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, me parandalimin e krimit të organizuar, me bashkëpunimin ekonomik, në fushën e energjetikës apo në fusha të tjera, dhe për të lëvizur bashkazi si dy shtete sovrane në proceset e integrimeve".

Por ai hodhi poshtë çdo mundësi dialogu me Beogradin për temat, të cilat në një apo formë tjetër "do të bënin ndërhyrje në strukturën e brendshme shtetërore të Kosovës dhe sovranitetin e saj", apo për tema që "do të preknin çështje të statusit". /REL/QIK/Telegrafi/