LAJMI I FUNDIT:

Sejdiu: FSK së shpejti partner i NATO-s

Sejdiu: FSK së shpejti partner i NATO-s

Të gjithë pjesëtarët e KFOR-it kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria dhe stabiliteti – ndërsa edhe FSK-ja, së shpejti do të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe partner i NATO-s në misionet paqeruajtëse në botë, ka vlerësuar presidenti i vendit Fatmir Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka shtruar të hënën darkë për drejtuesit e KFOR-it dhe të FSK-së. Të pranishëm ishin ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, zv.ministri Behxhet Brajshori, komandanti i KFOR-it, gjenerali Giuseppe Emilio Gay, komandanti i FSK-së, gjenerallejnant Sylejman Selimi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të KFOR-it dhe të FSK-së.

Duke e vlerësuar lart punën dhe angazhimin e komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it për paqen dhe sigurinë në Kosovë gjatë këtyre dhjetë vjetëve, presidenti Sejdiu pohoi se të gjithë pjesëtarët e KFOR-it kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria dhe stabiliteti.

“Forca e Sigurisë e Kosovës po ndërtohet sipas kritereve më profesionale të NATO-s dhe ne besojmë se ajo shpejt do të jetë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe pse jo edhe partner i NATO-s në misionet paqeruajtëse në botë”, pohoi presidenti Sejdiu.


Ndërsa, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gay – siç thuhet në një kumtesë të Presidencës – theksoi se maksimë e punës së KFOR-it ka qenë puna profesionale, krijimi i një mjedisi të qetë e të sigurt në Kosovë, por njëkohësisht edhe krijimi dhe forcimi i miqësisë me të gjithë në këtë vend, si me institucionet, ashtu edhe me qytetarët e të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë këtu. /Telegrafi/