LAJMI I FUNDIT:

Rusia ia ndalon hyrjen kryesuesit amerikan të BBG-së

Rusia ia ndalon hyrjen kryesuesit amerikan të BBG-së

Rusia i ka ndaluar hyrjen në këtë shtet kryesuesit të Bordit të Guvernatorëve të Transmetuesve Amerikanë (BBG), Jeff Shell.

Ai është  ndaluar në Aeroportin Sheremetovo të Moskës dhe i është refuzuar hyrja në Rusi, edhe pse ka pasur vizë.

Sipas New York Times, Shell është ndaluar nga zyrtarët rusë të sigurisë pak pas mesnatës së 13 korrikut, pasi ka arritur me një fluturim nga Praga, ka bërë të ditur BBG.


Ai është mbajtur në dhomë të mbyllur për disa orë, përpara se është futur në një fluturim të kompanisë KLM drejt Amsterdamit, rreth orës 5 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Ndalimi i hyrjes së zotit Shell në Rusi vjen në kohën e përkeqësimit të raporteve diplomatike midis Uashingtonit dhe Moskës, që ka rezultuar me dëbime të disa diplomatëve.