LAJMI I FUNDIT:

Rusia duhet ta ndalojë përdorimin e ushqimit si armë

Rusia duhet ta ndalojë përdorimin e ushqimit si armë

Më 17 korrik, pothuajse një vit pas nënshkrimit të saj në Stamboll, Rusia vendosi të mos e rinovojë marrëveshjen për eksportimin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, e njohur si Nisma e Detit të Zi për Drithin (NDZD), e cila i mundëson Ukrainës të eksportojë produkte bujqësore në tregjet botërore. Siç theksohet edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kjo nismë ka qenë “një rreze shprese në një botë që aq shumë ka nevojë për të”.

Para luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila zë një peshë tejet të rëndësishme në furnizimin e ushqimeve në rang global, një e pesta e elbit, një e gjashta e misrit dhe një e teta e grurit furnizoheshin pikërisht nga Ukraina. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e cila ka sulmuar fushat dhe hambarët me grurë dhe ka bllokuar portet ukrainase, çmimet globale të ushqimeve u rritën ndjeshëm dhe arritën nivele të pashënuara më parë, si dhe vunë në rrezik furnizimin me ushqime aq të nevojshme për shumë vende importuese. Qëllimi i NDZD-së ishte rivendosja e një rrugëkalimi me rëndësi jetësore për eksportet bujqësore nga Ukraina dhe ulja e çmimeve të ushqimeve në tregjet globale.

Pavarësisht nga shumë sfida me të cilat u përball, ajo e arriti qëllimin kryesor. Që prej gushtit 2022, eksportimi i pothuajse 33 milionë tonë drithërave dhe ushqimeve nga Ukraina drejt 45 vendeve të ndryshme luajti një rol kyç për uljen me rreth 25 për qind të çmimeve globale të ushqimeve, krahasuar me nivelin rekord që këto çmime kishin arritur vetëm pak kohë pas sulmit të Rusisë. Siç dëshmohet edhe nga të dhënat publike të tregtisë, më shumë se gjysma e drithërave, përfshirë dy të tretat e grurit, është dërguar në vendet në zhvillim.


Gjithashtu, NDZD-ja i ka garantuar Programit Botëror të Ushqimit (WFP) akses të vazhdueshëm në sasitë e drithit. Në vitin 2023, Ukraina furnizoi 80% të grurit që u ble për të mbështetur operacionet humanitare në vende që kanë pasiguri shumë të lartë për ushqimin, si Afganistani, Xhibuti, Etiopia, Kenia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Pa këtë mundësi nëpërmjet Detit të Zi, WFP-ja do të duhet ta sigurojë drithin gjetkë me çmime më të larta dhe në një proces që zgjat më shumë, në një kohë kur bota po përballet me një krizë ushqimi të papërjetuar më parë.

Vendimi i Rusisë u mor pavarësisht nga propozimet e përsëritura të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të punuar për trajtimin e shqetësimeve përkatëse. Për ta kaluar përgjegjësinë te të tjerët, Rusia pretendon se eksportet e saj nuk janë lehtësuar mjaftueshëm. Ky pretendim nuk mbështetet nga të dhënat publike të disponueshme për tregtinë globale, sipas të cilave eksportet bujqësore të Rusisë po lulëzojnë. Rusia përfitoi edhe avantazhe të rëndësishme nga Memorandumi i Mirëkuptimit me OKB-në për eksportet e produkteve plehëruese, për të cilat u negociua paralelisht me NDZD-në. OKB-ja ka punuar pa pushim për të qartësuar kuadrot rregullatore dhe për t’u angazhuar me sektorin privat për të gjetur zgjidhje të dedikuara në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Këto përpjekje janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe partnerët e saj.

Në dallim nga gënjeshtrat e përhapura nga Rusia, BE-ja ka siguruar në të vërtetë se sanksionet e saj nuk kanë ndikim në sigurinë globale të ushqimit. Eksportet ruse të ushqimit dhe të produkteve plehëruese drejt vendeve të treta nuk u nënshtrohen sanksioneve dhe BE-ja ka dhënë udhëzime të hollësishme për operatorët ekonomikë, duke qartësuar se këto dërgesa drejt vendeve të treta janë të lejueshme. Ne kemi punuar edhe me OKB-në për të lejuar pagesat përkatëse.

Pavarësisht nga këto fakte të mirënjohura dhe të verifikueshme, Rusia vendosi të tërhiqet nga NDZD-ja, duke e përdorur ushqimin si armë dhe duke vënë në rrezik furnizimin global me ushqime. Disa orë pas tërheqjes nga kjo nismë, Rusia filloi edhe të shkatërrojë objektet e magazinimit të drithërave dhe infrastrukturën portuale në Ukrainë me sulme të përditshme mbi objektiva të përcaktuara, jo vetëm në Detin e Zi por edhe në zonën e Danubit. Duke reaguar menjëherë, çmimet me shumicë të grurit dhe të misrit pësuan rritjen më të lartë që prej fillimit të luftës së agresionit rus. Rritja e luhatshmërisë së çmimeve të ushqimeve ka gjasë të vijojë për sa kohë që Rusia i vendos qëllimisht çmimet globale të ushqimeve nën presion, duke e rënduar krizën globale të kostos të jetesës dhe duke sjellë pasoja për njerëzit që vuajnë nga pasiguria e ushqimit në vende që varen nga importet. Kjo është e papranueshme dhe duhet të dënohet me vendosmëri.

Ndërkohë që bota po përballet me vështirësi të furnizimeve dhe me çmime të larta, Rusia po u drejtohet vendeve vulnerabël, veçanërisht atyre afrikane, me oferta dypalëshe për dërgesa të kufizuara me drithëra, duke pretenduar të zgjidhë një problem që ajo vetë e ka krijuar. Përdorimi i qëllimshëm i ushqimit si armë është një politikë cinike.

Në përgjigje të veprimeve të papërgjegjshme të Rusisë, BE-ja ka qenë aktive përgjatë tri linjave kryesore. Së pari, ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e palodhura të Kombeve të Bashkuara dhe të Turqisë për rifillimin e Nismës së Detit të Zi për Drithin. Më tej, ne do të vazhdojmë të forcojmë “Korridoret e Solidaritetit” si itinerare alternative për eksportet bujqësore ukrainase që të arrijnë në tregjet botërore përmes BE-së. Këto korridore kanë mundësuar eksportimin e mbi 41 milionë tonë produktesh bujqësore ukrainase deri më tani, dhe ne po e shtojmë këtë kapacitet sa më shumë të jetë e mundur me qëllim zbutjen e pasojave të ndërprerjes së pjesëmarrjes në NDZD nga ana e Rusisë. Së treti, ne e kemi shtuar mbështetjen tonë financiare për vendet dhe popujt që janë më në nevojë, duke dhënë 18 miliardë euro për të garantuar sigurinë e ushqimit deri në 2024.

I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjitha vendeve që ta rrisin ndihmesën e tyre në mbështetje të sigurisë globale të ushqimit. Ne u drejtohemi të gjithë partnerëve tanë me kërkesën për t’i bërë thirrje Rusisë të rikthehet në negociata, siç ka vepruar tashmë Unioni Afrikan, si dhe që të mos ndërmarrë sulme kundër infrastrukturës bujqësore të Ukrainës. Me një zë të qartë e të bashkuar, ne mund ta sjellim Rusinë që të jetë sërish pjesëmarrëse në NDZD. Bota ka një interes të përbashkët për administrimin me përgjegjshmëri të sigurisë globale të ushqimit. Këtë ua kemi si detyrim njerëzve që janë më në nevojë.

(Autori është Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendëspresident i Komisionit Evropian)

Në trend

Më shumë

"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Kalo në kategori