LAJMI I FUNDIT:

Rrugëtimi inspirues i Besa Malokut, nga Prishtina në SHBA e pastaj në Zvicër – rrëfimi i shkencëtares shqiptare në skenën ndërkombëtare

Rrugëtimi inspirues i Besa Malokut, nga Prishtina në SHBA e pastaj në Zvicër – rrëfimi i shkencëtares shqiptare në skenën ndërkombëtare

Të rinjtë nga Kosova gjithnjë e më shumë po dëshmojnë aftësitë e tyre për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar në shkencë e në fusha tjera. 

Besa Maloku, një shkencëtare me prejardhje nga Prishtina, në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka zbuluar detaje rreth rrugëtimit nga fëmijëria në Kosovë e deri te ndërtimi i karrierës së saj në njërën prej kompanive më të mëdha në Zvicër, Lonza.

Në një bisedë të hapur për Telegrafin, shkencëtarja e re nga Prishtina që tashmë është pjesë e komunitetit të shkencëtarëve dhe që punon një njërën prej kompanive më të njohura farmaceutike në botë, ndan me ne jo vetëm të arriturat e saj, por edhe sfidat e adaptimit në SHBA e Evropë.


Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

Telegrafi: Besa për ata që nuk të njohin, a mund të na tregoni pak për veten? 

Besa Maloku: Unë jam lindur dhe jam rritur në Prishtinë, ku kam kujtimet më të bukura të fëmijërisë dhe adoleshencës sime. Që nga mosha e re kam pasur kureshtje në fushat e shkencës dhe teknologjisë, ku pastaj gjatë studimeve në fakultet zbulova pasionin tim për biokiminë. Tani, jetoj në Zvicër dhe çdo ditë shkoj në punë me një dëshirë të madhe për të kontribuar në fushën shkencore dhe për të mundësuar një jetë më të shëndetshme për njerëzimin në përgjithësi. Qëllimi im jetësor është që me përkushtim të vazhdueshëm të sjell ndryshime dhe inovacione në këtë rrugë shkencore që kam zgjedhur.

Telegrafi: Keni jetuar një kohë në SHBA, pastaj në Evropë, a mund të na tregoni pak për jetën jashtë Kosovës, çfarë të shtyu të studiosh e të jetosh jashtë?

Besa Maloku: Po, kjo është e vërtetë. Kam jetuar një kohë në SHBA dhe pastaj në Evropë. Periudha ime në SHBA, veçanërisht në Graceland University në Iowa, ka qenë një fazë e rëndësishme e zhvillimit tim personal dhe profesional. Kam zgjedhur të studioj jashtë vendit për të jetuar me një kulturë të re dhe për të përjetuar sistemin arsimor më ndryshe. Jam shumë falënderuese për këtë mundësi që më është dhënë në atë kohë, për shkak se më ka pjekur si individ dhe ka shtuar pasionin tim për të ndjekur ëndrrat e mia. Në Zvicër, vendi ku aktualisht jetoj, kam vazhduar të shfrytëzoj këtë diversitet dhe kam gjetur mundësi të reja për zhvillim personal dhe profesional. Në përgjithësi, jeta jashtë Kosovës ka pasuar sfida, por edhe ka kontribuar në arritjen e njohurive dhe një perspektive më të gjerë ndaj botës.

Telegrafi: Sa e keni pasur të vështirë adaptimin si një vajzë e re nga Kosova?

Besa Maloku: Së pari për të shkuar në SHBA për studime nuk ka qenë e lehtë për shkak të financave, duke e ditur se shkollimi atje është mjaft i shtrenjtë. Fatmirësisht kam qenë njëra ndër katër studentët e përzgjedhur për bursën Prestigious Honors Scholarship, e cila më mundësoi të përfundoj studimet në Iowa. Si një vajzë e re myslimane nga Kosova, periudha e adaptimit ka qenë një eksperiencë e vështirë, por njëherësh edhe shumë e bukur. Për të ruajtur besimin tim, kam pasur dhe vazhdoj të kem ende shumë kujdes në përzgjedhjen e ushqimit. Fatmirësisht, ushqimet vegjetariane dhe vegane e kanë bërë më të lehtë këtë përzgjedhje dhe më kanë mundësuar të shijoj ushqime të ndryshme nga mbarë bota.

Besa Maloku gjatë një dite pune në kompaninë Lonza të Zvicrës

Në aspektin e fesë, në fakultet kam marrë klasa elektive edhe për religjionet tjera për të shtuar njohuritë e mia, por njëkohësisht edhe për t’iu përgjigjur sa më mirë pyetjeve të ndryshme që më shtrohen shumë shpesh. Pastaj, në aspektin kulturor, integrimi ka përfshirë një mësim të vazhdueshëm për normat dhe vlerat e shoqërisë amerikane, përderisa edhe unë jam munduar vazhdimisht të ndajë me të tjerët vlerat e kulturës sonë shqiptare. Dhe në fund, sa i përket arsimit, përshtatja në sistemin e studimeve amerikane ka kërkuar një përpjekje të vazhduar dhe një angazhim të fortë për të punuar me metodat dhe teknikat më të reja shkencore dhe teknologjike. Përmes sfidave të lartcekura, unë kam pasur një rritje personale dhe një zgjerim të horizonteve, duke e bërë këtë proces një eksperiencë të pasur dhe shumë të bukur.

Telegrafi: Na tregoni pak për shkollimin tuaj jashtë vendit si dhe përvojën e punës? Si mendoni, çka e dallon sistemin e shkollimit e të punës në Zvicër e në vendet evropiane me Kosovën?

Besa Maloku: Shkollimi im jashtë vendit është një periudhë e zhvillimit tim profesional. Siç e përmenda më herët, kam përfunduar studimet në fakultet në Graceland University, Iowa, SHBA, në degën Pre-Medicine, dhe më pas studimet e magjistraturës në Universitetin e Zurich-ut, në degën e biokimisë. Dëshira ime është të ndaj me lexuesit përvojën time të shkollimit në Zvicër, një vend i cili karakterizohet me një sistem arsimor të shkëlqyer dhe mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim profesional. Njohuritë e reja të fituara gjatë shkollimit tani po i aplikoj me sukses në karrierën time.

Krahasuar me Kosovën, sistemi i shkollimit dhe punës në Zvicër identifikohet nga një qasje më e thellë ndaj cilësisë dhe zhvillimit të aftësive praktike. Natyrisht, faktori ekonomik luan një rol të rëndësishëm, duke pasuar një ndikim të drejtpërdrejtë në kushtet e përmirësimit të këtyre aftësive praktike. Një dallim tjetër që e vërej unë është përgjegjësia e punonjësve në detyrat e tyre, ku zviceranët punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë për të arritur objektivat e tyre. Në anën tjetër, në Kosovë ka një tendencë që punonjësit të mos marrin përgjegjësi të plotë, dhe ndonjëherë ndarja e përgjegjësive nuk është shumë e qartë.

Besa Maloku, pas diplomimit në fushën e bio-kimisë në Universitetin e Zurich-ut

Telegrafi: Pse zgjodhët të studioni bio-kiminë?

Besa Maloku: Biokiminë e përzgjodha për shkak të potencialit të madh që ka kjo fushë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme që kanë si bazë mos-funksionimin e duhur të proteinave. Prandaj, pas përvojës sime në UCSF (University of California in San Francisco) në fushën e imunologjisë, dhe duke parë nga afër rëndësinë e funksionit të proteinave në trupin tonë, vendosa të vazhdoj studimet më tutje në biokimi. Paraprakisht, unë kam pasur njohuri në biologjinë molekulare dhe bazat e mjekësisë, dhe kjo pastaj e ka bërë më të lehtë këtë përzgjedhje.

Telegrafi: Aktualisht, punoni si shkencëtare për kualitetin e produkteve në kompaninë Lonza në Zvicër, a na tregoni pak për kompaninë dhe punën tuaj aty? Si u zgjodhët të jeni pjesë e kësaj kompanie?

Besa Maloku: Punën në Lonza e kam filluar në shtator të këtij viti dhe jam shumë e lumtur që më është ofruar kjo mundësi për të punuar në këtë kompani. Lonza ka një histori mbi 125 vjeçare, dhe kohëve të fundit është bërë më e njohur për prodhimin e vaksinës Covid19 nga Moderna. Përveç vaksinës, ne prodhojmë edhe produkte të ndryshme farmaceutike. Në Lonza punoj si shkencëtare në kontrollimin e cilësisë së këtyre produkteve farmaceutike. Cilësia e produkteve nuk duhet të kompromisohet në asnjë rrethanë, pasi ky veprim ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në shëndetin e pacientit. Detyra ime është të ndihmoj teknikët në adresimin e çështjeve kur vlerat e produktit nuk përputhen me standardet e duhura, dhe marrja e vendimeve për hapat e ardhshëm për të arritur këto vlera. Jam shumë e motivuar për punën time dhe e shoh veten time duke zhvilluar karrierën në Lonza në vitet e ardhshme.

Puna në kompaninë farmaceutike Lonza në Zvicër

Telegrafi: Si e re keni jetuar në Kosovë, si e shihni rininë kosovare aktualisht në raport me të huajt, a janë të gatshëm për zhvillimet e reja?

Besa Maloku: Në krahasim me vendet tjera të rajonit, mosha mesatare e popullit të Kosovës është relativisht e re. Rinia kosovare ka një dinamikë shumë premtuese për të ardhmen e vendit. Shumica e të rinjve flasin dy deri në tri gjuhë, faktor ky që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe të lidhur me botën. Orientimi i tyre në teknologji dhe shkenca kompjuterike është një indikator i qartë i gatishmërisë për të pasur një mjedis ku inovacioni luan një rol të rëndësishëm dhe ka një ndikim pozitiv në fusha të ndryshme. Ndonëse ka sfida dhe pengesa në rrugën e zhvillimit, gatishmëria e tyre mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në shoqërinë kosovare.

Telegrafi: A mund të na tregoni planet tuaja për të ardhmen, si e sheh Besa veten pas 10 vjetësh në aspektin profesional?

Besa Maloku: Pas 10 vitesh, e shoh veten time në një pozitë më të avancuar dhe me përgjegjësi më të mëdha në fushën e shkencave farmaceutike dhe biokimisë. Dëshiroj ta vazhdoj kontributin tim në hulumtimet dhe zhvillimet e reja në këtë fushë. Synimi im është të jem pjesë e projekteve dhe zbulimeve që kanë ndikim pozitiv në shëndetin publik dhe trajtimin e sëmundjeve. Gjithashtu, dëshiroj të ndaj përvojën time me rininë dhe të inkurajoj ata të ndjekin pasionet dhe të mos kenë frikë nga sfidat e rrugës së tyre profesionale. Ky angazhim i vazhdueshëm i zhvillimit dhe përkushtimit ndaj shkencës është ajo që do të mbajë një ndjenjë të vazhdueshme të motivimit dhe kënaqësisë në karrierën time.

Telegrafi: Dhe në fund mesazhi juaj për rininë në Kosovë? 

Besa Maloku: Mesazhi im për rininë në Kosovë është të përkushtohen shumë për realizimin e ëndrrave të tyre. Gjatë kësaj rruge, do të përballen me sfida dhe pengesa të ndryshme, por duhet të jenë të vendosur që këto vështirësi të mos i pengojnë në arritjen e synimeve të tyre. Hulumtoni dhe gjeni mënyra të ndryshme për të investuar në një arsim cilësor dhe për të zhvilluar aftësitë tuaja profesionale. Çdo gjë është e mundur, por kërkon pune të palodhshme dhe përkushtim të duhur. Këshilla ime, jo vetëm për veten time, por edhe për të gjithë rininë kosovare nëpër botë, është që të fitojmë shkathtësitë e nevojshme në vendet ku jetojmë dhe pastaj të kthehemi në Kosovë për të kontribuar në zhvillimin e shtetit tonë. Ne kemi aftësitë e nevojshme, duhet vetëm t’i funksionalizojmë ato. Bashkë, mund të arrijmë më shumë suksese! Bashkë ia dalim!.

Ndryshe, Besa Maloku, është motra e Hava Malokut, po ashtu storie suksesi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është pjesë e një prej kompanive më të fuqishme si platformë “LinkedIn”, ku ushtron pozitën e menaxheres së marketingut. /Telegrafi/