LAJMI I FUNDIT:

Rizgjimi i Evropës

Rizgjimi i Evropës

Vendimi i votuesve të Mbretërisë së Bashkuar për të bërë “Brexit” nga Bashkimi Evropian nuk është një shembull i humorit të zi britanik të cilin unë e pëlqej shumë. Nuk janë serialet “Cirku Fluturues i Monty Python”, “Po, Kryeministër” apo “Fawlty Towers”; jo është vetëm Boris, Michael dhe Nigel dhe realiteti televiziv dhe shkatërrimtar i politikave të tyre.

Për shkak të rëndësisë ekonomike, politike dhe ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, Brexit do të lërë një hendek të madh në BE. Por nuk do ta shkatërrojë Evropën. Aktualisht, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Mbretërinë e Bashkuar. A do të qëndrojë vendi i bashkuar apo skocezët do të largohen, ku Irlanda e Veriut do të kërkojë bashkim me Republikën e Irlandës? A ka hapur Brexit rrugën për rënien e një prej ekonomive më dinamike të BE-së dhe a është ky fundi i mbretërimit të Londrës si qendra globale financiare?


Tërheqja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja është një lëvizje e paprecedent dhe pa dyshim që do të sjellë shumë befasi të padëshirueshme. Deri më tani, me përjashtim të Groenlandës, BE-ja ka përjetuar vetëm zgjerime, prandaj askush nuk e di se si do të ndodhë Brexit, sa kohë do të duhet (dalja e Groenlandës mori tre vite) dhe çfarë pasojash do të ketë për Mbretërinë e Bashkuar dhe BE-në.

Në çdo rast, një gjë është e sigurt: vendimi britanik – edhe nëse zbatohet në mënyrën më të shpejtë – ka nisur një periudhë të gjatë të pasigurisë politike dhe ekonomike dhe por edhe shqetësimi evropian, teksa bota përreth tij ndryshon gramatikisht. Nëse arsyetimi racional do të ishte e vetmja bazë e vendimmarrjes, 27 shtetet e tjera anëtare do të bënin lëvizje për të forcuar BE-në për interes të tyre, duke ndërmarrë hapa imediatë të stabilizimit dhe shtimit të integrimit. Por duket se ka pak shpresë për këtë.

Ndryshimet mbi strategjinë dhe taktikat mes vendeve anëtare kyçe në bashkimin monetar, veçanërisht mes Gjermanisë e Francës dhe anëtarëve veriorë dhe jugorë të eurozonës, thjesht shkojnë shumë thellë. Kushdo e di se çfarë duhet bërë: të gjendet një kompromis i ri brenda bashkimit monetar mes Gjermanisë kokëfortë të përqendruar te kursimi dhe nevojës së vendeve të Mesdheut për shtim të shpenzimeve dhe rikthim të zhvillimit dhe nxitje të konkurrencës. Por liderët politikë të Evropës duket se nuk kanë kurajën ta bëjnë këtë.

Si rezultat, asnjë shenjë e forcimit apo të një fillimi të ri nuk mund të pritet. Përkundrazi, pavarësisht shumë thirrjeve pas shokut fillestar të Brexit që gjërat duhet të ndryshojnë, ka shumë faktorë që tregojnë se biznesi si zakonisht do të prevalojë.

Por shkaqet nën refuzimin e Evropës gjenden më thellë sesa konfliktet aktuale. Nacionalizmi i rikthyer ka gjallëruar mitin e një periudhe të artë të shteteve që janë homogjenë etnikisht dhe politikisht dhe që u mungojnë pengesat nga jashtë dhe që nuk janë të ekspozuar ndaj pasojave negative të globalizimit.

Unë shkruaj vetëm disa ditë përpara masakrës së Somës më 1 korrik, 1916. Mesa duket, fuqia e dy luftërave të tmerrshme botërore, njëra e mjaftueshme për të nxitur një Evropë të përbashkët dhe për të krijuar BE-në, nuk është më e mjaftueshme për të ruajtur projektin post-1945 të integrimit Evropian. Fjalët e ish presidentit francez François Mitterand në fjalimin e tij të fundit përpara Parlamentit Evropian – “Le nationalisme c’est la guerre!” – duket se janë zhytur në harresë.

Sot, nacionalizmi është në rritje në pothuajse të gjitha vendet evropiane dhe është kryesisht i drejtuar ndaj të huajve dhe BE-së. Këto dy shënjestra u përdorën gjithashtu për fushatën “Të largohemi” të Mbretërisë së Bashkuar. Mbështetësit e Brexit u mbështetën pothuajse kryesisht te miti i nacionalizmit, ku ana “Të Qëndrojmë” shpesh tingëllonte si llogaritare. Llogaritarët e parave nuk kishin asnjë shans.

Përmbysja e vizionit pozitiv të Evropës jo vetëm shpërfill të shkuarën. Ajo është gjithashtu një simptomë e rënies Evropiane – ose ndoshta më saktësisht, Perëndimore – që ka rezultuar në mosbesim të thellë ndaj “elitave”. Evropa nuk është vetëm në këtë drejtim: në Shtetet e Bashkuara, kandidati për të nominuarin presidencial të Republikanëve, Donald Trump mirëpriti Brexit dhe bëri thirrje për më shumë veprime nacionaliste.

Për shumë shtetas perëndimorë, të tilla entitete në BE, jo më pak se rritja në pushtet e ekonomive të mëdha si Kina dhe India, perceptohen si agjentë të kësaj rënieje, në vend të një burimi të ndryshimit të pushtetit global dhe si reagim që varet nga vlerat dhe interesat. Kështu, shpëtimi kërkohet në shtetet-kombe. Fatkeqësisht, siç do ta dëshmojë Mbretëria e Bashkuar, kjo strategji nuk sjell asgjë më shumë se një profeci të vetpërmbushur të rënies.

Një valë në rritje e nacionalizmit nuk mund të luftohet nëse ideja Evropiane nuk rifiton pushtetin e vet pozitiv, vizionar. Kjo nuk do të kërkojë vetëm një narrativë të re Evropiane (që mund të ndihmojë të krijohet eksperimenti vetë-shkatërrimtar i Mbretërisë së Bashkuar), por gjithashtu edhe një BE të rinovuar.

Së pari dhe mbi të gjitha, duhet të bëhet e qartë te miliona shtetas evropianë se ku shtrihet pushteti i vërtetë brenda BE-së: jo në Bruksel apo Strasburg, por në duart e qeverive kombëtare. Institucionet e BE-së fajësohen për të gjitha llojet e problemve: globalizim, imigrim, ulje të mirëqenies dhe Theçerizëm, papunësi të të rinjve, mungesë të demokracisë dhe shumë më tepër. Në fakt, duke ndaluar BE-në të zgjidhë këto çështje, qeveritë kombëtare – të paafta për t’i zgjidhur vetë – i kanë përkeqësuar këto probleme.

Për tani, qeveritë e pothuajse të gjitha shteteve po ruajnë një qëndrim kontradiktor, duke refuzuar integrimin e mëtejshëm ndërsa këmbëngulin se BE-ja duhet të “japë”. Vetëm se fakti se çfarë duhet të japë BE-ja dhe si, mbetet i paqartë përballë mungesës së integrimit të mëtejshëm.

Mund të ketë ende kohë për të kthyer trendet aktuale në Perëndim. Ne nuk kemi nevojë për një fitore nga Trump apo nga liderja e Frontit Kombëtar Marine Le Pen në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Francës, për të kuptuar se ku të çon nacionalizmi si në rastin e votimit të Brexit. /Project Syndicate/reporter.al/

Në trend

Më shumë
Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Mbyllet gjysmëfinalja e parë e Eurovisionit - këto janë 10 vendet që u kualifikuan në finalen e madhe

Magazina
Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Katër vite pritje, Dortmundi tani me një veprim hakmarrës turpëron PSG-në në rrjetet sociale

Liga e Kampionëve
Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ish-legjenda e njohur e Real Madridit i bashkohet Ronaldos tek Al-Nassr

Ligat tjera
Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Shumë debate për këtë moment: A ishte penallti për PSG-në kur Hummels e rrëzoi Dembelen?

Liga e Kampionëve
Bonusi i jashtëzakonshëm që Bellingham do ta fitojë nëse Real Madridi fiton Ligën e Kampionëve

Bonusi i jashtëzakonshëm që Bellingham do ta fitojë nëse Real Madridi fiton Ligën e Kampionëve

Liga e Kampionëve
Çka është rregulla 30:30:30:10 kur bëhet fjalë për financat dhe si duhet ta shfrytëzoni?

Çka është rregulla 30:30:30:10 kur bëhet fjalë për financat dhe si duhet ta shfrytëzoni?

Botë
Kalo në kategori