LAJMI I FUNDIT:

Rice në bisedime trepalëshe me palestinezët dhe izraelitët

Rice në bisedime trepalëshe me palestinezët dhe izraelitët

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice u takua me zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë të martën në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh të mërkurën me kryenegociatorët e dy palëve.

Zyrtarët thonë se Rice shpreson të arrijë sa më shumë përparim që të jetë e mundur në procesin e paqes brenda periudhës së mbetur të administratës së presidentit Bush.

Palët nga Lindja e Mesme u zotuan në konferencën e nëntorit të kaluar në Anapolis që të bëjnë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje paqeje deri në fund të vitit 2008. Por ndërkohë që Rice përgatitej për bisedimet trepalëshe, ndihmësit e saj nuk treguan shumë entuziazëm për rezultatet që priten.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Sean McCormack u tha gazetarëve se synimi i sekretares së Shtetit, së cilës i mbeten më pak se gjashtë muaj në këtë post, është t’i nxisë bisedimet sa të mundet dhe sa të ecin, por të paktën t’i dorëzojë një proces që mund të zgjidhet administratës së ardhshme amerikane. /VoA/