Reforma në drejtësi nuk mund të merret peng për axhenda të ndryshme politike, ndërsa çelja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është përgjegjësi kombëtare e të gjitha palëve.
Kështu deklaroi të premten kryeministri Edi Rama në takimin vjetor me gazetarët, ku bëri një bilanc të punës së qeverisë.
Kryeministri u shpreh se “sot jemi në kushtet e një tjetër stimulimi të një krize artificiale dhe përsëri kjo lidhet qartësisht me reformën në drejtësi dhe me pamundësinë e një pale për të pranuar pandalshmërinë dhe domosdoshmërinë njëkohësisht të reformës në drejtësi.
“Sidoqoftë reforma ka bërë përparim të konsiderueshëm, institucionet e vettingut tanimë janë në punë me orë të plota dhe besoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të shikojmë rezultatet e para konkrete të punës për pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”, theksoi Rama.
Nga ana tjetër zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme me mandat të përkohshëm, sipas tij, është bërë duke siguruar vazhdimësinë e punës së institucionit të kryeprokurorit, dhe në të njëjtën kohë duke garantuar që në asnjë moment “reforma nuk mund të merret peng për axhenda të ndryshme politike”.
Po ashtu, theksoi Rama, “është e rëndësishme të theksohet se procesi ka hyrë tanimë në një fazë të re zbatimi dhe paralelisht me vettingun dhe rezultatet e para konkrete në aspektin e pastrimit të pallatit të drejtësisë, do të kemi ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të reformuar rrënjësisht të drejtësisë”.
Kryeministri u ndal në faktin se “ky vit shënon shifrën më të ulët historike të vrasjeve dhe vitin e kthesës historike në raport me fenomenin e kultivimit të kanabisit. “2017-a është viti që e nxjerr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë masivisht lëndë narkotike, ndërkohë që rikonfirmon ecurinë e Policisë së Shtetit në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike me një shifër shumë domethënëse që është ajo e vrasjeve”, tha Rama.
Mbi të gjitha, sipas tij, shifrat e kriminalitetit në raport me trendin historik kanë një vazhdimësi dhe trend rënës pozitiv. “Sot jemi në shifra që i afrohen mesatares së vendeve të BE-së. Kjo është tejet e rëndësishme të mbahet parasysh edhe pse nuk diskutohet që lajmi i keq përbën lajm dhe jo i miri. Thelbi mbetet në pasqyrën statistikore të atyre që janë figura reale të krimit”, tha Rama.
Çelja e negociatave për anëtarësim në BE, përgjegjësi kombëtare e të gjitha palëve. “Në këto 100 ditë të para ne kemi përshkallëzuar atë që do ta quaja një aksion në shkallë të gjerë diplomatik për të siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se ky aksion do të vazhdojë intensivisht edhe pas Vitit të Ri, ndërsa shprehu keqardhjen e thellë për faktin se “nuk jemi të gjithë bashkë të unifikuar në një qëndrim dhe zë për çeljen e negociatave”. “Përkundrazi kemi një situatë ku opozita po luan me zjarrin, duke u kthyer në pengesë për të përcjellë një mesazh të qartë, të plotë, të unifikuar të politikës shqiptare lidhur me këtë moment kyç të historisë së Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist”, tha Rama.
Negociatat nuk çelen për qeverinë dhe me PS-në, shtoi kryeministri, por çelen për Shqipërinë. “Nuk zgjasin sa një mandat qeverisës, por janë përgjegjësi kombëtare e të gjitha palëve. Konvulsionet opozitare kundër reformës në drejtësi për të vonuar duke e penguar dhe bllokuar procesin e vettingut për muaj të tërë para zgjedhjeve dhe duke u kthyer në formën e tentativës për ta transformuar zgjedhjen e ligjshme të Prokurorit të Përkohshëm në në moment krize artificiale janë në dëm të interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në aspektin e çekjes së negociatave për anëtarësim”, tha Rama.
Shqipëria, tha Kryeministri Rama kaloi një moment të vështirë për shkak të fatkeqësisë natyrore të përmbytjeve, por qeveria dhe shteti ishte në lartësinë e detyrës. “Forcat e Armatosura dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në mënyrë të veçantë u treguan realisht në një lartësi që meriton të gjithë mirënjohjen dhe respektin tonë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “pasi ka mbaruar kriza dhe pasi vëmendja dhe sytë e kamerave janë drejtuar në tema të tjera të aktualitetit, ne kemi vazhduar dhe vazhdojmë procesin e riparimit të pasojave të asaj krize në të gjitha zonat e prekura nga uji”.
Ndërkohë, tha Rama, po punojmë edhe për një program afatgjatë me investime qysh në vitin e ardhshëm për të adresuar intensivisht të gjitha ato pika të dobëta të një zinxhiri që kemi nisur ta rivëmë në vend pas përmbytjeve të vitit 2015.
Kryeministri Rama theksoi se “ka nisur dhe vazhdon një operacion i rëndësishëm kombëtar për të pastruar Shqipërinë”. “Janë bërë disa hapa dhe do të vazhdojnë të bëhen të tjerë. Operacioni synon intensifikimin e pjesëmarrjes së komuniteteve në këtë proces, duke synuar që në sezonin e ardhshëm turistik të kemi një Shqipëri më të pastër se më parë”, tha Rama.
Paralelisht, sipas tij, do të fillojë mbjellja e 20 milionë e 200 mijë pemëve në 4 vitet e ardhshme.
Kryeministri theksoi se “kemi ecur me reduktimin e lejeve, të licencave, autorizimeve dhe dokumentave dhe deri në fund të janarit do të kemi një konfigurim krejtësisht të ri të gjithë ngrehinës të burokracisë në raport me qytetarët që marrin shërbime. “Vazhdon përfshirja e shumë shërbimeve online në portalin e-Albania. Reduktimi drastik i licencave dhe dokumentave do të reduktojë ndjeshëm korrupsionin dhe shkurton kohë”, shtoi kryeministri.
Lidhur me sigurinë ushqimore, Kryeministri theksoi se “kemi nisur të adresojmë me shumë këmbëngulje këtë çështje dhe ky proces ka filluar dhe ecur mjaft mirë”. Ai veçoi aspektin nga më problematikët, atë të tregtimit të mishit, ku u mbyllën subjekte të paligjshme të therjes së mishit.
Sipas Ramës, puna po vijon me risistemimin e një numri të caktuar thertoresh të licencuara, por që nuk përmbushnin kushtet dhe vënien tërësisht në punë të thertoreve me standarde evropiane që kishin ngelur pa punë për shkak të një tregu informal.
Kryeministri theksoi po ashtu se “ka përfunduar procesi i akreditimit ndërkombëtar të universiteteve, pasi është kryer me shumë sukses një proces pa asnjë ankesë e nisjes së vitit akademik”. “Agjencia britanike e akreditimit ka përfunduar raportete për 35 institucionet e arsimit të lartë dhe vendimet janë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, tha Rama.
Në bilancin e arritjeve, Kryeministri theksoi po ashtu edhe “operacionin e rëndësishëm për të pastruar akset kombëtare dhe për të larguar prej tyre mijëra tabela, qindra ngrehina dhe objekte të tjera si dhe plot sheshpushime të mbushura me mallra dhe me hekurishte, që faktikisht përbënin një kërcënim jo vetëm mjedisor, por edhe të drejtpërdrejt për jetën e njerëzve.
“Kjo është një fazë e parë. Vitin e ardhshëm do të fillojë puna konkrete për zbatimin e programit të investimeve në akset kryesore që duam dhe që brenda 4 viteve të kthehen në akse me standarde evropiane. Sot nuk kemi asnjë rrugë me standarde evropiane”, tha Rama.
Buxheti 2018, sipas Kryeministrit Rama, është një pasqyrë e qartë e ecurisë pozitive të vendit dhe ambicies për të bërë shumë më tepër, pasi kjo që është bërë nuk mjafton. “Ajo që duhet bërë është më shumë seç është bërë”, tha Rama. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Kurdisja e tenderit: Audioincizime se si kryeshefi i KRU “Gjakova” u përfshi në negociata për një tender të ndërmarrjes

Kompensimi për punën e fundjavës që nga 2010 në ligj, tek tash pritet të nis zbatimi

Zgjedhjet parlamentare 2025, Shehu: LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut

Rama tregon pse u mbulua monumenti i Skënderbeut në Tiranë

Pacolli për Hotel Grand: 6.7 milionë eurot janë të miat, jo të shtetit – u grabitën sepse refuzova të paguaj ryshfet

Qeveria e Kosovës merr vendim që t’i paguaj 6.74 milionë euro kompanisë së Behgjet Pacollit për ‘Hotel Grand’

Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin

Zgjedhjet parlamentare 2025, Shehu: LDK është konfirmuar si partia e parë në Komunën e Junikut

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës që u bënë deputetë, Donat Lushaku pritet të marrë një nga drejtoritë e liruara

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Teuta Krasniqi dhe Adonis Morina në krizë martesore?

Merr fund martesa e Shpend Ahmetit dhe bashkëshortes së tij Ardianës?

Xheneta nis njohje të re me një mashkull misterioz?

Publikohen pamjet se si Laporta dhe Deco u larguan nga stadiumi pas vdekjes tragjike të doktorit

Mbappe reagon për vdekjen e doktorit të Barcelonës

Nga frizerkë në fermere, historia e suksesit të Kreshnike Rugovës nga Peja