LAJMI I FUNDIT:

Reagimi i pamatur i Kadaresë

Në debatin e kohëve të fundit për rishkrimin e historisë, Ismail Kadare u kyç furishëm me një shkrim në mbrojtje të figurës së Gjergj Kastriotit, por pa thënë ndonjë argument të ri pos atyre që i ka stërthënë tash e pesë dekada radhazi.

Kadare u futi një mori sharjesh njerëzve që kanë pikëpamje të ndryshme mes veti, madje edhe për çështjen në fjalë. Reagimi i tij ishte më tepër në stilin e fushatës kundër armiqve të popullit, siç bënte shoku Enver Hoxha, se sa një reagim prej intelektuali që mbron një kauzë të caktuar.


Edhe pse në shkrimin e tij Kadare nuk ma përmend emrin, shihet qartë se ai bënë aluzion në shkrimin tim të parafundit rreth rishkrimit të historisë të botuar në gazetat e portalet e Prishtinës, Tiranës e Shkupit.

Mos përmendja e emrit të atij me të cilin polemizon është një dinakëri e llojit të vet. Këtë e bëjnë vetëm ata që nuk kanë guxim të polemizojnë me dikë, por kanë për qëllim baltosjen e tjetrit. Kësisoj, duke mos i përmendur emrin atij me të cilin polemizojnë, ata i shmangen përgjegjësisë kur citojnë shtrembër. Dhe Kadare e bënë këtë truk në shkrimin e tij, gjë që nuk është aspak e ndershme.

Kadare, duke mos pasur guximin intelektual t’u kundërpërgjigjet pohimeve në shkrimin tim, sepse i mungojnë argumentet, hedh një mori të sharash mbi autorë tjerë me emër e pa emër, me të cilët unë kam pak ose aspak mendime të ngjashme.

Unë e Kadare nuk jemi të barabartë edhe për vetë faktin se unë kam lexuar çdo libër që Kadare ka botuar e madje edhe çdo intervistë të tij. Nga reagimi në fjalë, shihet se Kadare nuk ka lexuar as çerekun e librave të mi dhe rrjedhimisht edhe ato që i ka lexuar nga unë i ka lexuar me paragjykim dhe s’ka arritur t’i kuptojë.

Që Kadare nuk i ka lexuar apo nuk i ka kuptuar librat e mi, kjo është një gjë e falshme, por nuk është e falshme që ai nuk i ka kuptuar në thellësinë e tyre shumë nga autorët shqiptarë të traditës.
Kadare nuk ka kuptuar Gjergj Fishtën, Branko Merxhanin e shumë e shumë autorë të traditës e madje as Naim Frashërin

Është e falshme që Kadare, për shkaqe mbijetese e oportunizmi, ka sharë Gjergj Fishtën në kohën e shokut Enver, por nuk është e falshme që mos ta kuptojë as tani Gjergj Fishtën, përkundër lavdeve që ia thuri pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Nuk është e falshme për Kadarënë që mos ta kuptojë Branko Merxhanin e shumë autorë tjerë të traditës.

Pse po e them këtë? Po e them sepse duket sheshazi se Kadare nuk kupton konceptin e kombit. Flet për kombin e i referohet etnisë. Flet për Gjergj Kastriotin sikur ai t’i përkiste kohës moderne dhe jo mesjetës.

Të flasësh të vërtetën, nuk do të thotë që je pro-turk.

Unë luftoj që të thuhet e vërteta për Perandorinë Osmane, Turqinë e për këdo tjetër, jo nga dashuria për osmanët, turqit apo këdo tjetër, por nga dashuria për Kosovën e Shqipërinë.

Duke sharë Perandorinë Osmane, shqiptarët poshtërojnë të kaluarën e tyre, sepse ata ishin pjesë e sajë për pesë shekuj. Ishin pa vullnetin e tyre. Po, pa vullnetin e tyre ishin pjesë të perandorive gjithë popujt e botës. Se mos i pyeste kush në mesjetë se çfarë shteti duan apo pjesë e cilit shtet do të jenë. Mos vallë, shteti i Skënderbeut ishte shtet i vullnetit të arbërorëve?! Me çfarë referendumi e dëshmuan këtë arbëroret e Skënderbeut? A mos vallë votuan ata për princin e tyre? Apo mos kishte Parlament në atë kohë?! Jo, pra. Ata që nuk e deshën shtetin e Skënderbeut përfunduan me kokë të prerë, ashtu siç përfundonin ata që nuk e donin shtetin e Sulltanit.

Dhe kështu ishte në të gjitha shtetet e botës në shekullin XV. Nuk ekzistonin kombet në kuptimin që bota i njeh pas revolucionit francez. As shteti osman nuk ishte i turqve, e as shteti i Skënderbeut nuk ishte i arbërorëve. Të gjithë ata njerëz që u ndodhën brenda këtyre shteteve u ndodhën pa vullnetin e tyre.

E vërteta ishte se shteti osman ishte perandoria më e fuqishme dhe më progresive e botës për shekuj me radhë. Kjo periudhë shndritjeje zgjati disa shekuj. Deri në lindjen e kombeve në Evropë, atij suedez (1523), anglez (1649), amerikan (1776) dhe atij francez (1789), Evropa kishte identitetin e errësirës, injorancës dhe prapambeturisë, karshi diellit që ndriçonte në Lindje. Vallë, a duhet t’ia kujtoj Kadaresë Naim Frashërin tek shkruante:

Evropë e mjerë atëherë/ Ishte për djall e për lumë/ Priste Ruso e Volter/ Ta nxjerrin nga ai gjumë.

Perandoria Osmane e shekullit të XIX, për të cilën shkruante Andon Zako – Çajupi, ishte një perandori që i kish humbur moti shkëlqimi, ishte një gërmadhë politike, ekonomike, ushtarake e kulturore.

Nuk duhet ngatërruar Perandorinë Osmane me idenë kombëtare turke e cila lindi si rezultat i influencës së Revolucionit Francez, apo më mirë thënë, si rezultat i përfundimit të Luftës së Krimesë (1853-1856), ku Anglia e Franca ndihmuan Perandorinë Osmane kundër Perandorisë Ruse.

Ideja kombëtare turke e nisur nga Namik Kemali (1840-1888) e pati transformime të mëdha deri te rrumbullakësimi i saj nga Mustafa Kemal Ataturku (1881-1938). Ideja, e cila përfundoi si komb turk, u nis si ide për një komb mysliman brenda Perandorisë Osmane (më vonë u transformua në këtë që është sot). Këtë ide e kishin përqafuar shumë shqiptarë të ndritur, të cilët më vonë do të kyçeshin në idenë kombëtare shqiptare, që për bazë do ta kishte etninë dhe jo fenë.

Vetë Sami Frashëri u nda në dysh. Ai punoi për të dyja idetë: sa për atë kombëtare shqiptare e edhe më shumë për atë kombëtare turke. Shumica e rilindësve turq ishin shqiptarë. I pari i tyre, Namik Kemali, ishte me etni shqiptar; Mehmet Akif Ersoji po ashtu; dhe ka supozime qe edhe Ataturku ishte shqiptar për nga etnia.

Fakti që në fund të shekullit XIX nuk kishte shkolla shqipe, ishte rezultat i përballjes mes idesë kombëtare turke dhe shqiptare, greke dhe shqiptare, italiane dhe shqiptare. Deri në Lidhjen e Prizrenit (1878) kishte një gjak shqiptar dhe një gjuhë shqipe (e shkruar me shkronja latine në ca libra të harruar në arkivat e Vatikanit, apo tek tuk e shkruar me shkronja arabe e greke), por nuk kish një komb shqiptar.

Shqiptarët e bënin jetën të ndarë në tri komunitete (mysliman, ortodoks e katolik). Dhe nuk ishte vetëm komuniteti mysliman që ishte i mëdyshur se cilës ide kombëtare t’i ngjitej, asaj turke apo shqiptare. Edhe komuniteti ortodoks pati dilemën se cilës ide kombëtare t’i ngjitet, asaj greke apo shqiptare. Edhe komuniteti katolik shqiptar kishte mëdyshjen mes idesë kombëtare italiane dhe shqiptare. Deshi Zoti dhe Austro-Hungaria e Gjermania, dhe në çastin e fundit edhe Anglia, Italia e sidomos Perandoria Osmane, përkrahën idenë kombëtare shqiptare dhe u bë kombi shqiptar, ky që është sot.

Kosova, edhe pse djep i idesë kombëtare shqiptare, vulën e identitetit kombëtar shqiptar e mori tek në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur edhe u hapën shkollat në gjuhën shqipe, dhe u instalua administrata shqiptare.

Shumë mësues fshatrash u thonë nxënësve se Skënderbeu ka luftuar për çështjen kombëtare! Tani shoh se kështu pak a shumë e thotë edhe Kadare. Skënderbeu as nuk luftoi për çështjen kombëtare e as që kishte komb atëherë, por ai u konsiderua krye-hero kombëtar nga rilindësit shqiptarë. Ashtu sikur përzgjodhën Skënderbeun kanë mundur ta përzgjedhin për krye-hero mbretin Priam të Trojës, Aleksandrin e Madh, Ali Pashë Tepelenën, Gjergj Elez Aliun apo Mujin dhe Halilin.

Stavro Skendi i shpjegon arsyet përse u përzgjodh pikërisht Skënderbeu.

Fakti që rilindësit mitizuan periudhën e Skënderbeut është i natyrshëm. Këtë e bënë të gjitha kombet që po lindnin: serbët me Dushanin, bullgarët me Borisin, grekët me Konstandinin e kështu me radhë. Por, a duhet që shqiptarët ende ta mitizojnë Gjergj Kastriotin edhe tani kur kombi shqiptar mbushi një shekull, kjo duhet të jetë temë debati mes intelektualësh dhe jo betejë mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve”.

Por, Kadare i pazoti për t’u kyçur në këtë debat ka marrë në dorë çomangen dhe po godet djathtas e majtas. Por, brezave që vijnë nuk do t’ju interesojnë sharjet, por argumentet. Prandaj, unë po shkruaj argumentet e Kadare le te vazhdojë të shajë.