LAJMI I FUNDIT:

Rama ngushëllime në familjen e demonstruesit të vrarë

Rama ngushëllime në familjen e demonstruesit të vrarë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe e nëna e tij Aneta Rama kanë shkuar për ngushëllim në familjen e Faik Myrtaj në Cakran të Fierit. Myrtaj ishte një nga demonstruesit që humbi jetën më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Partia Socialiste njoftoi se të afërmit kërkuan që drejtësia të vihet në vend, sepse njerëzit nuk mund të vriten në këtë mënyrë. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga Edi Rama, i cili u shpreh se ndonëse për familjen humbja e babait është e pazëvendësueshme, ai do të jetë në dispozicion të familjes për t’i ndihmuar ata. Kreu socialist tha se duket se nga ana e Prokurorisë ka një vullnet për të vënë drejtësinë në vend.

“Mesa po duket deri tani, së paku ka një vullnet nga Prokuroria për të bërë drejtësi. Drejtësia është një domosdoshmëri jo vetëm për ju, por për të gjithë shoqërinë. Babanë nuk jua zëvendëson dot asgjë e askush, megjithatë ne jemi në dispozicion shoqërisht, shpirtërisht për çdo nevojë dhe me gjithë sa mundemi”, theksoi Rama. /Telegrafi/