LAJMI I FUNDIT:

Qeveria “privatizon” spitalet

Qeveria “privatizon” spitalet

Shërbimi ambulator dhe spitalor në përgjithësi do të orientohet drejt sistemit privat. Vendimi është marrë nga qeveria shqiptare, e cila synon që të rrisë efikasitetin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Për këtë arsye, i tërë shërbimi ambulator të bëhet “outsource”(të transferohet) në drejtim të sektorit privat.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se qytetarët do të rëndohen. Buxheti i shtetit do të përballojë të gjitha shërbimet e qytetarëve të siguruar. Buxheti i shtetit, me ligjin e ri do të mbulojë të gjitha shpenzimet e qytetarëve që nuk kanë mundësi financiare të sigurohen. Në rast se ecim dhe duhet të ecim drejt një shërbimi të ofruar nga sektori privat, ne rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e këtij shërbimi dhe shmangim çdo lloj ryshfeti apo korrupsioni”, ka thënë kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë.

Në këtë linjë do të shkohet edhe për sa i përket arsimit. “Shërbimet janë zgjedhje për qytetarin, i cili ka të drejtë të zgjedhë shërbimin më të mirë. Por, nga ana tjetër, përveç cilësisë së shërbimit që është jashtëzakonisht e rëndësishme, për qeverinë, për sektorin publik rëndësi kapitale ka nxjerra tërësore e këtyre procedurave jashtë korrupsionit”, tha kryeministri. /Telegrafi/