LAJMI I FUNDIT:

Qeveria, paga vetëm edhe për tre muaj

Qeveria, paga vetëm edhe për tre muaj

Ministria e Financave (MF), ka siguruar mjete të nevojshme për pagesën e pagave për tre muajt e mbetur të këtij viti.

Këshilltari i ministrit të Financave, Besim Beqaj, Gëzim Baxhaku, ka thënë për Radio Kosovën se problemet serioze në ekzekutimin e pagave do të paraqiten nga muaji mars i vitit të ardhshëm, nëse deri atëherë nuk formohen institucionet e vendit.

“MF ka siguruar mjete të nevojshme për pagesën e pagave për muajt e mbetur të këtij viti. Kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe mbi të drejtën e alokimit të një pjese të cilën qeveria me propozim të ministrit mund ta bëjë. Kështu që të gjitha obligimet për paga dhe për pensione do të realizohen pa ndonjë problem deri në fund të këtij viti”, tha Baxhaku.


Sipas tij, nëse ngërçi politik vazhdon edhe vitin e ardhshëm atëherë mund të paraqiten problemet e para.

Pasi që në dy muajt e parë në bazë të ligjit mbi buxhetin dhe menaxhimin e financave publike mund të alokohet çdo organizate buxhetore 1/12 e të hyrave buxhetore që ka pasur gjatë vitit 2014, atëherë problemet do të paraqiten nga muaji mars.

Ndryshe, Ministria e Financave gjatë javës së ardhshme do të dërgon në qeveri projekt buxhetin për vitin 2015.

Qeveria ka obligim ligjor që deri në fund të këtij muaji, ta miraton atë dhe ta dërgojë në Kuvend.

Pastaj është çështje e konstituimit të Kuvendit i cili duhet të miratojë Ligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015. Në projektbuxhet nuk është paraparë rritje e pagave ashtu si kishte paralajmëruar kryeministri Hashim Thaçi.

Kjo për faktin, siç u shpreh këshilltari Baxhaku, sepse qeveria deri tash një vendim të tillë nuk e ka marrë. /Telegrafi/