LAJMI I FUNDIT:

Qeveria amerikane më 1954: Janë zhdukur 16 mijë shqiptarë, mes tyre ka ministra e deputetë

Qeveria amerikane më 1954: Janë zhdukur 16 mijë shqiptarë, mes tyre ka ministra e deputetë

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit i ka kërkuar Ambasadës amerikane dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri raportet që mund të jenë përgatitur mbi kampet e punës së detyruar në vendin tonë gjatë diktaturës komuniste. Stafi i Ambasadës së SHBA-ve ka dërguar një raport special të vitit 1954 për situatën në Shqipëri.

Raporti mban numrin 13 dhe datën 30 dhjetor 1954. Duket të ketë qenë i gjatë, megjithatë për tri faqet e vëna në dispozicion, Autoriteti thotë se “Ambasada na dërgoi këtë raport të përgatitur nga qeveria e USA në vitin 1954, ku përfshihet edhe puna e detyruar dhe gjendja nëpër kampe. Kërkimi i tyre vazhdon”.

Në dokumentin që botoi “Gazeta Shqiptare” fotografohet situata në kampe, në luftën e klasave, dënimin e shqiptarëve, jetën si skllevër, varfëria, burgjet, dënimet e kundërshtarëve dhe një informacion mbi politikën e jashtme të Shqipërisë.


PJESË TË RAPORTIT

Pjesa e raportit nis me një informacion mbi besimin dhe klerin. “Marrëdhëniet e Vatikanit me kishat kalojnë vetëm përmes qeverisë. Kisha katolike në Shqipëri i nënshtrohet ligjit kanonik vetëm nëse dispozitat e tij nuk bien në kundërshtim me ligjet e Republikës së Popullit Shqiptar, rendit publik dhe zakoneve të mira”, thotë raporti amerikan. Vihet në dukje se priftërinjtë po trajnohen në seminare “të krijuara e të administruara” me aprovimin e qeverisë.

“Agresioni kundër kishave nuk do të ishte ligjëruar nëse komunistët nuk do të kishin eliminuar anëtarët më të spikatur të klerit. Të tria besimet kanë pasur viktimat e tyre, por më shumë kanë qenë katolikë. Në mënyrë që t’i mbajnë kishat nën kontroll, qeveria komuniste e Shqipërisë ka vënë në krye të tyre klerikë, të cilët janë të gatshëm të jenë vegla e saj. Disa prej tyre janë komunistë”, thotë raporti special i qeverisë amerikane.

PUNA E DETYRUAR

Puna e detyruar ka qenë gjerësisht e përhapur që kur regjimi komunist mori kontrollit në vitin 1944 shkruan raporti. “Ka një numër ligjesh e rregulloresh që janë vënë në zbatim, që ligjërojnë punën e detyruar, ndërsa Kodi i ri Penal Shqiptar, i bazuar në Kodin Penal Sovjetik, përmban dispozita të përpunuara për “punën korrektuese” (një eufemizëm për punën e detyruar) dhe dërgimin e qytetarëve në kampet e përqendrimit e punës. Edhe fëmijët që kanë arritur moshën 12-vjeçare janë të përshtatshëm të dënohen në kampet e punës “korrektuese” për krime kundra shtetit”

Relacioni thotë se qëllimi i kampeve të përqendrimit ishte internimi i familjeve të të burgosurve politikë dhe deportimi i familjeve të ish- klasave të pasura në mënyrë që në shtëpitë e tyre të vendoseshin anëtarë të regjimit të ri dhe komunistë të tjerë. “Njerëz nga veriu, si rregull internohen në jug, veçanërisht në kampet e Tepelenës, Fierit, Beratit; njerëz nga jugu internohen në Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në veri. Nuk ka asnjë dallim në Shqipëri mes personave të dënuar me punë të rëndë nga gjykata dhe atyre që thjesht janë qarkulluar dhe u janë vënë prangat. Mes tyre, gjen ministra e deputetë të kohës së para, gjatë dhe pasluftës, si edhe zyrtarë të lartë të qeverisë apo edhe njerëz që kanë kundërshtuar ose që dyshohet se kanë kundërshtuar regjimin komunist”, thuhet në raportin amerikan për Shqipërinë më 1954.

Një përshkrim autentik i një kampi pune në Shqipëri është dhënë nga Reshad Agaj, që sipas dokumentit, ka qenë llogaritar i burgosur dhe i dërguar në këto kampe derisa u arratis në Greqi në vitin 1952.

Raporti citon Agajn të ketë thënë se kampi i Vloçishtit në Korçë kishte katër baraka me 300 të dënuar, baraka ku futej shiu dhe era, ku të dënuarit flinin në dysheme e secili prej tyre kishte jo më shumë se 50 cm hapësirë.

“Të dënuarve u jepeshin 600 gramë bukë e bardhë e papjekur…U jepej dhe qumësht me sheqer, ndërsa në drekë e darkë supë, që kishte vetëm ujë të zier, me makarona, patate ose fasule. Për shkak të kequshqyerjes, të burgosurit ishin gjithnjë të uritur”.

Rrëfimet vijojnë më tej: të dënuarit e nisnin punën në orën 5 të mëngjesit, të ndarë në 6 brigada, në 4 kompani. Punon 7.50 km larg kampit. Të moshuarit që rrëzoheshin gjatë rrugës për në punë, rriheshin nga policët. Ata që nuk arrinin normën, rriheshin, lihehsin pa bukë e pa cigare, punonin mbi orar. Për të tjerë kishte tortura më të rënda.

Raporti i qeverisë amerikane thotë se komunistët e gjetën me vend të dënonin kundërshtarët e tyre, duke i detyruar të punonin si skllevër. “Numri i kampeve dhe i të burgosurve në to varion. Kjo varet nga fakti se ku janë më të nevojshëm të burgosurit si forca punëtore. Kështu, kampi i Valiasit ishte pothuajse i boshatisur në vitin 1952, kur puna filloi në kampin Cërrikut, për ndërtimin rafinerisë së naftës. Një kamp i ri u ndërtua me të burgosurit e Valiasit e zonave të tjera. Disa prej 40 burgjeve e kampeve të përqendrimit kanë qenë aktivë në Shqipëri në një kohë a në një tjetër që nga 1944-a, ku më shumë se 16 mijë njerëz thuhet se janë zhdukur. Besohet se që nga fundi i luftës, rreth 80 mijë njerëz kanë kaluar në këto burgje e kampe përqendrimi”.

PROPAGANDA

Një pasqyrë përmbledhëse bëhet nga qeveria amerikane më 1954 edhe për propagandën. Vihet në dukje se shtypi dhe çdo media tjetër janë propagandë nën kontrollin tërësor të qeverisë. “Asnjë media e pavarur ose opozitare e asnjë burim tjetër informacioni nuk ka nën qeverinë aktuale. Të gjitha gazetat, periodikët dhe librat botohen ose direkt ose indirekt nga Partia Komuniste ose organizatat e saj, ose nga qeveria, ushtria a institucione të tjera. Një numër i madh të ashtuquajturash gazeta (buletine) shtypen në fshatra, zyra, shkolla e kudo ku ka njerëz që punojnë a jetojnë së bashku. Në fund të vitit 1953, 41 gazeta dhe periodikë janë botuar dhe shpërndarë në 2 milionë kopje në muaj. Sa për kontrast, më 1950 ishin 21 gazeta dhe periodikë që botoheshin në Shqipëri me një qarkullim mujor prej 225 mijë kopjesh. Të gjitha makineritë e përdorura për shtypje botimesh zotërohen nga qeveria. Katër vite pas ardhjes së komunistëve në pushtet të gjitha shtëpitë botuese u bashkuan në një të njohur me emrin “Shtëpia Botuese Naim Frashëri”, të cilës i është dhënë e drejta e çdo publikimi në vend.

Raporti i qeverisë amerikane thotë se temat e propagandës ndryshojnë herë pas here, por si rregull janë të njëjtat si në çdo vend komunist: lufta e klasave, autoriteti i popullit, shoqëria pa klasa, diktatura e proletariatit, plani ekonomik, vigjilenca revolucionare, etj.

“Vigjilenca”, thotë raporti i qeverisë amerikane, “kundër makinacioneve të armikut të klasës”, është tani më e shpeshtë. Armiqtë, janë refugjatët politikë jashtë vendit dhe mbështetësit e tyre në vend. Por, “armik i klasës”; janë edh shumica e shqiptarëve- qytetarë, fshatarët dhe malësorët- për të cilët regjimi komunist nuk ka sjellë asgjë përveç mjerimit skllavërisë. Perëndimi cilësohet armik, sidomos SHBA.

“Vendi është cilësuar si më i madhi vend kapitalist e imperialist, më i rrezikshmi për lëvizjen komuniste. Politika amerikane kundrejt Shqipërisë prezantohet si qëllim për të shkatërruar pavarësinë e Shqipërisë, pas probleme me fqinjët”, citojmë nga dokumenti. Sipas raportin amerikan, përpjekja komuniste për thyer miqësinë tradicionale të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara- bazuar në ndërhyrjen e Uilsonit në favor të Shqipërisë, në prosperitetin dhe mirënjohjen e shqiptarëve apo në shërbimet e bëra nga shkollat amerikane në Shqipëri, po bëhet- duke u përpjekur t’i bindin vendasit se qeveria mbështet pretendimet territoriale greke në jug të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Bashkimi Sovjetik propagandohet si mik i madh i shqiptarëve që po mbron të drejtat e tyre”, mbyllet dokumenti i cituar.

Në trend Lajme

Më shumë
Përplasjet për doracakët

Përplasjet për doracakët "Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues", tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

Arsim
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Kronika e Zezë
Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Lajme
Kalo në kategori