LAJMI I FUNDIT:

Puna nga shtëpia po dëmton shumë sektorë të ekonomisë

Puna nga shtëpia po dëmton shumë sektorë të ekonomisë

Kur miliona njerëz nuk do shkojnë e vijnë më çdo ditë në metropole, kjo do të këtë pasoja dramatike në sektorë të ndryshëm të biznesit.

Përvojat e mira me punën nga shtëpia në pandeminë COVID-19 me zyrën u kanë bërë me sa duket përshtypje shumë shefave të firmave.

“Për shkak të përvojave të reja shumë ndërmarrje planifikojnë ta përdorin punën nga shtëpia më intensivisht edhe pas krizës”, thotë Daniel Erdsiek, ekspert në fushën e kërkimeve të ekonomisë dixhitale në Qendrën për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW), në lidhje me rezultatet e një sondazhi të 1,800 ndërmarrjeve.


Më shumë punë nga shtëpia do të thotë edhe më pak njerëz, që shkojnë në punë në qendrat e qyteteve. Dhe kjo mund të ketë pasoja, siç tregon një analizë e siguruesit të kredive Altradius.

“Numri i falimentimeve do të rritej. Në fakt nga homeoffice pothuajse asnjë kompani nuk ka pësuar humbje serioze të produktivitetit. Por për shkak të rritjes punës pa qenë e nevojshme prezenca në zyrë, aktivitetet e biznesit do të zhvendosen. Kjo çon në rritjen e pasigurisë, sidomos në ato sektorë, fitimet e të cilëve varen nga numri i madh i njerëzve, që udhëtojnë drejt qyteteve dhe punonjësve të zyrave”, thotë Michael Karrenberg, drejtor rajonal i menaxhimit të riskut tek Altradius.

Shpenzimet për qiratë rishikohen

Sipas studimit të Altradius tryezat e punës, që kishin ngelur jetime prej disa muajsh në shumë firma, vunë në lëvizje auditimin. Lind pyetja, nëse në të ardhmen do të jetë e domosdoshme të sigurohet një vend pune i caktuar për çdo punëor dhe të paguhet qera për këtë hapësirë. Në shumë raste kostot rezultojnë shumë të larta, sidomos në ndërmarrjet e mëdha shpenzimet vjetore të qirasë arrijnë shpesh në disa milionë euro.

Si pasojë shumë firma në vitet e ardhshme mund të mos i zgjasin kontratat ekzistuese të qirave. Kjo do të zvogëlonte nga ana tjetër të ardhurat e fondeve nga patundshmërive të zyrave – për sa kohë të mos ekzistojë një koncept fitimprurës i ripërdorimit të hapësirave të mbetura bosh.

Reaksioni zinxhir prek edhe investitorët

Përveç investitorëve privatë, nga ky zhvillim goditen edhe investitorë të shumtë institucionalë, që varen nga fitimet e investimeve. Këtu hyjnë ndër të tjera bankat, fondet e pensioneve, shoqëritë e investimeve dhe shoqëritë e kapitalit, agjencitë e sigurimeve shoqërore, sigurimet shëndetësore, kompanitë e administrimit të pasurive, kishat, shoqatat dhe fondacionet. Ato mund të kenë humbje të konsiderueshme të të ardhurave.

Zyra vazhdimisht të zbrazura do të thotë rënie e fitimeve për operatorët e mensave, sepse do të shesin shumë më pak pjata me ushqime në drekë. Edhe shumë restorante do të jenë të prekura.

Industria e letrës, gastronomia, sektori i tekstileve

“Pasiguritë në biznesin me industrinë e letrës do të rriten”, thuhet në analizën e Altradius.

Puna nga shtëpia ka përshpejtuar dixhitalizimin e proceseve në zyrë. Letra e printerit nevojitet në sasi më të vogla. Në këtë mënyrë presioni mbi këtë sektor, i cili që vitin e kaluar u përball me shumë rreziqe falimentimesh, vazhdon të rritet.

Pandemia COVID-19 dhe zgjerimi i punës nga shtëpia kanë reduktuar ndjeshëm edhe numrin e drekave dhe udhëtimeve të biznesit. Takimet e biznesit dhe bisedimet zhvillohen gjithnjë e më shumë me videokonferenca ose me telefon, më pak me takime personale. Në qoftë se vazhdon kjo tendencë, do të çojë në rritje të pasigurisë në restorante dhe hotele, që varen nga klientë që merren me biznes.

Përveç kësaj, nevoja për veshje zyre si kostume, kravata apo kostume biznesi po bie. Kjo nga ana tjetër ka një ndikim të madh tek ofruesit, të cilët një pjesë të madhe të xhiros e bëjnë me modën e veshjeve zyrtare. Nga të gjithë sektorët në Gjermani, Altradius aktualisht vlerëson industrinë e tekstilit, si atë me rrezikun më të lartë të falimentimeve.

Industria e automobilave, ofiçinat, pikat e karburantit

Në rast se skenari i punës nga shtëpia do të përfshinte gjithë vendin, do të binte ndjeshëm edhe numri i kilometrave të udhëtimit. Nga ana tjetër kjo do ta rëndonte edhe më shumë sektorin e automobilave, i cili është gjithsesi në një situatë të vështirë prej dy vjetësh. Presioni do të shtohej edhe në ofiçina dhe në pikat e karburantit.

Sikur një pjesë e madhe e njerëzve të vazhdonin të punonin nga shtëpia, kjo do të kishte pasoja të rënda për dyqanet në qendrat e qyteteve dhe për zonat me këmbësorë. Nga kjo do të dëmtoheshin veçanërisht ato shitës me pakicë, që nuk disponojnë një kanal shitjesh online dhe që janë goditur tashmë rëndë nga masat e bllokimit.

Të fituarit nga kriza

Nga ana tjetër sipas analizës së Altradius nga puna nga shtëpia do të përfitojnë sektorë të tjerë. Këtu bëjnë pjesë në radhë të parë sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit, që mund të ketë fitime shtesë duke shitur më shumë laptopë, telefona celularë, telefona, programe kompjuterike dhe zgjidhje për transmetimin e të dhënave.

Te të fituarit hyjnë edhe sipërmarrje, që ofrojnë produkte dhe shërbime për shtëpinë, mobilieritë, meqenëse në shumë shtëpi duhej rregulluar këndi i punës si puna nga shtëpia. /Deutsche Welle/