LAJMI I FUNDIT:

Procesi në një pikë tejet të rëndësishme, këta janë hapat deri te liberalizimi i vizave!

Procesi në një pikë tejet të rëndësishme, këta janë hapat deri te liberalizimi i vizave!

Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.

Kështu ka njoftuar për gazetën “Zëri” ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3-5 maj.

Me këtë rast Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.


“Ata kanë paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet, ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shenjëzuara, ndryshe të njohur edhe si ‘Track Record’, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ministria e Integrimit ka bërë koordinimin e agjendës me misionin nga BE-ja dhe institucionet tona”, ka deklaruar Hoxha.

Ndërkohë Albana Merja, njohëse e procesit të integrimit dhe liberalizimit, ka konsideruar se liberalizimi i vizave për Kosovën aktualisht është në një pikë tejet të rëndësishme, që sipas saj kërkon përpjekje serioze nga institucionet (për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit).

Pos kësaj, sipas Merjës, duhet të arrihet edhe një konsensus në institucionet e BE-së sa i përket finalizimit të liberalizimit.

“Kërkohet të arrihet një vendimmarrje e përbashkët në Parlamentin Evropian, si dhe një konsensus politik në Këshillin e BE-së, pasi megjithëse liberalizimi i vizave kërkon miratim në Këshill me shumicë të kualifikuar (që nënkupton një shumicë prej 55% të shteteve anëtare të cilat përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së në total) është shumë e vështirë që ky ndryshim të kalojë pa u arritur konsensusi politik me të gjitha vendet anëtare, sepse është pjesë e politikës së sigurisë për të cilat këto vende janë shumë të ndjeshme”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Merja më tej ka bërë të ditur se vendimi për heqjen e vizave duhet të kalojë nëpër disa instanca të BE-së, ku pas miratimit në tërësi mund të hyjë në fuqi pas 20 ditësh.

“Në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat duhet amendamentuar rregullorja nr. 593/2001, në të cilën renditen vendet e treta, shtetasit të cilëve u nevojitet vizë për të hyrë në zonën Schengen. Nëse propozimi i Komisionit votohet në seancë plenare me shumicë të kualifikuar në Parlamentin Evropian, si dhe miratohet nga Këshilli me procedurën e mësipërme, atëherë vendimi hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në fletoren zyrtare të BE-së. Në mënyrë që rekomandimi i Komisionit të bëhet pjesë e agjendës së Parlamentit duhet që të merret vlerësim pozitiv për përmbushjen e kriterit të fundit”, ka sqaruar ajo.

Krejt në fund, Merja ka konsideruar se vëmendja e institucioneve gjatë këtyre muajve duhet të jetë në vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta.