LAJMI I FUNDIT:

Pritje të gjata për diagnostifikimin e kancerit të gjirit

Pritje të gjata për diagnostifikimin e kancerit të gjirit

Zbulimi i hershëm i sëmundjes së kancerit mund të shpëtojë jetë, mirëpo Kosova ka vetëm tetë mamografë, të cilët zbulojnë këtë sëmundje. Disa prej tyre janë jashtë funksionit, ndërsa në ato qytete ku ka mamograf, lista e pritjes është e gjatë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Prishtinë janë tre mamografë, në Prizren dy, në Pejë një. Edhe Mitrovica dhe Lipjani janë të pajisur me nga një mamograf.

Çdo e dhjeta femër në Kosovë është e prekur nga sëmundja e kancerit. Spotet reklamuese për vetëdijesim ndaj kësaj sëmundjeje shohim çdo ditë, mirëpo në vendin tonë janë vetëm tetë mamografë për diagnostikim të hershëm të kësaj sëmundjeje.

"Spitali regjional i Pejës disponon vetëm me një mamograf, mirëpo nevojat janë shumë më të mëdha, duke e pasur parasysh edhe numrin e madh të qytetarëve. Nevojat janë të domosdoshme dhe për një mamograf shtesë", tha per RTK, Petrit Loci, drejtor i departamentit të shëndetësisë në Pejë.

Spitali rajonal i Podujevës nuk ka mamograf, ndërsa drejtori Zaim Thaçi nuk ka pranuar të shpjegojë më shumë për mungesën e mamografit.


Ndërsa, mamografi në spitalin rajonal të Mitrovicës ka vite që nuk funksionon. Sipas drejtorit të këtij spitali, nevoja për një aparat të tillë është e madhe, sepse ky spital mbulon rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

"Tani për tani nuk kemi mamografë. Arsyet pse nuk kemi i dinë të gjithë jemi duke bërë përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetsisië dhe me organizatat e huaja që ta sigurojmë një mamograf mobil apo statik i cili është më se i domosdoshëm", tha per RTK, Zahir Musa, drejtor i spitalit rajonal në Mitrovice.

Nafije Latifi nga shoqata `Jeta Vita` thotë se institucionet nuk kanë bërë aq sa duhet për sigurimin e mamografëve. Ajo thotë se për shkak të mungesës së mamografëve, shumica e grave lajmërohen në fazën e fundit të zhvillimit të kancerit.

" Ne kemi bërë ankesë të vazhdueshme tek institucionet që kësaj sëmundjeje t’i kushtohet më shumë kujdes por ata arsyetohen që nuk ka buxhet. Mirëpo nuk është e thënë që çdo herë me buxhet të sigurohen mamografët. Vendet e rajonit me donacione kanë siguruar aparaturë për çdo qendër mjekësore ndërsa tek ne nuk punohet aq sa duhet në këtë drejtim", tha Latifi për RTK.

Mundësitë e trajtimit të kësaj sëmundjeje në vendin tonë janë të kufizuara, pasi përveç mamografëve, ka mungesë të theksuar edhe të ultrazërit, i cili është i domosdoshëm për kontrollin e femrave nën moshën 40-vjeçare. /Telegrafi/