LAJMI I FUNDIT:

Prishtinës i hiqen gjashtë pikë

Prishtinës i hiqen gjashtë pikë

Skuadra prishtinase është dënuar për shkak të mos udhëtimit për të zhvilluar ndeshjen e javës së fundit të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Komisioni disiplinor i shkallës së pare në Federatën e futbollit të Kosovës konform Dispozitave të Rregullores disiplinore lajmërohet se ka dënuar skuadrën e Prishtinës me “marrjen e gjashtë pikëve negative nga numri i përgjithshëm i pikëve të fituara në edicionin e posapërfunduar 2013 – 2014, në bazë të rregullores disiplinore neni 60 paragrafi 1 pika 6 dhe 8”.

Prishtina nuk kishte udhëtuar për në Vushtrri në ndeshjen e fundit të edicionit 2013/14 të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll në ndeshjen me skuadrën e Llamkos Kosovës, e cila u shpall kampione e re.

Me këto gjashtë pikë të marra, Prishtina i bie se ka përfunduar stinorin me 51 pikë në vend të 57 sa kishte tubuar realisht, duke përfunduar garat në vendin e katërt me pikë të barabarta me Ferizajn.


Drejtuesit e Prishtinës ishin arsyetuar se për shkak të problemeve financiare nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë ekipin, por duket se këto pretendime nuk janë marr për bazë nga komisioni disiplinor. /Sporti1/Telegrafi/