LAJMI I FUNDIT:

Prishtina i uron titullin Llamkosit

Prishtina i uron titullin Llamkosit

Skuadra bardhekaltër nga kryeqyteti në mënyrë të turpshme nuk shkoi në lojën e fundit të edicionit 2013/14 te Llamkos Kosova, por gjeti kohë të dërgojë urimin për këtë skuadër.

Thonë se skuadra e madhe dhe drejtuesit e saj tregohen të mëdhenj në çdo situatë, edhe kur dikush tjetër fiton titull kampioni. Në rastin tonë të Kosovës, drejtuesit e FC Prishtina u turpëruan maksimalisht duke mos dërguar fare ekipin në lojën e fundit të edicionit 2013/14 të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll te skuadra Llamkos Kosova që u shpall kampione për herë të parë në histori të saj.

Spekulimet e ditëve të fundit se ka probleme financiare, janë një shkas në opinion për hapin e turpshëm që e morën drejtuesit e skuadrës më të njohur të futbollit jo vetëm kosovar.

Llamkos Kosova u shpall kampione duke fituar lojën me rezultat zyrtar (3:0), por ajo që bën prishtinasit mbetet në historinë e futbollit.


Për të qenë ironia edhe më e madhe, drejtuesit e Prishtinës gjetën kohë të urojnë nëpërmjet një mesazhi publik skuadrën e Llamkos Kosovës.

“FC Prishtina e uron Llamkos Kosovën për titullin e kampionit, të parinë në historinë e vet. Urojmë që suksesi ta përcjellë Llamkos Kosovën edhe në vitet e ardhshme, por edhe klubet tjera kosovare.Fitorja e Llmakos Kosovës është sihariq për futbollin Kosovar duke treguar se edhe klubet e ,,vogla" por me traditë mund të dalin fituese të Kampionatit. Ne shprehim keqardhje që nuk arritëm të udhëtojmë të dielën, për arsye të njohura tashmë. FC Prishtina u gëzohet çdo suksesi të klubeve kosovare, sepse vetëm kështu futbolli ynë mund të bëjë hapa përpara”, thuhet në shkresën e Prishtinës. /Sporti1/Telegraf/