LAJMI I FUNDIT:

Prishtina barazon, Drita fiton

Prishtina barazon, Drita fiton

Trajneri i ri i Prishtinës, Suad Keçi ka debutuar me barazim në krye të bankinës së kampionëve duke luajtur Hajvalinë 1-1, të dielën në kryeqytet në kuadër të xhiros së 23-të të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.

Për koincidence Suad Keçi, ka debutuar me barazim pikërisht kundër Hajvalisë e cila drejtohet nga vëllai i tij, Sunaj Keçi.

Futbollistët e Prishtinës mjaft mirë e nisen lojën dhe vetëm pas njëçerek lojë përmes Liridon Latifit kaluan në epërsi prej 1-0.

Skuadra e Hajvalisë ka treguar lojë më të mirë së “bardhekaltrit”, në pjesën e dytë të ndeshjes, duke barazuar rezultatin përmes Nikollë Dushit në minutën e 47-të.


Ky barazim për Prishtinën është një hap prapa në garën për titull të kampionit, derisa për Hajvalinë pika e fituar në kryeqytet është tejet e rëndësishme në garën për ekzistencën në elitën e futbollit tonë.

Ramushi fundos Fushë Kosovën

Ndërkohë, pikët maksimale i ka arkëtuar edhe Drita, e cila mundi Fushë Kosovën me rezultat 3-0.

Në një ndeshje dominuese nga skuadra e Arbnor Morinës, gjilanasit pas vetëm 20 minutave lojë me anë të sulmuesit Ismet Ramushit kaluan në avantazh prej 1-0, rezultat më të cilën u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë gjilanasit kanë vazhduar më lojë të mirë, duke shënuar edhe golin e dytë sërish përmes Ramushit në minutën e 65-të. Mysafirët në minutën e 75-të patën mundësi të ngushtojnë epërsinë e nikoqirëve, por Burim Shala dështoi nga pika e bardhë, kurse Ramushi në minutën e 90+3 kompletoi hat-trickun e tij për rezultatin 3-0.

Drita më këtë fitore mund të jetë më e qetë në garën për ekzistencë në Superligë, derisa “anija” e Fushë Kosovës pas kësaj humbje fundoset edhe më thellë.

Ferronikeli merr një pikë në “Shahin Haxhiislami”

Besa e Pejës dhe Ferronikeli ndanë pikët duke luajtur baras 1-1, në “Shahin Haxhislami” të Pejës.

Në një ndeshje mesatare pejanët dhe skuadra nga Drenasi morën nga një pikë të rëndësishme, sidomos për ekipin e Ramiz Krasniqit.

Ishte Egzon Gashi, i cili në minutën e 60-të më një eurogol kaloi Besën në epërsi, kurse rezervisti Demaku në minutën e 89-të shënoi gol duke ia siguruar një pikë Ferronikelit. /KP/Telegrafi/

Raiffeisen Superliga / Xhiroja e 23-të

Rezultatet

Prishtina-Hajvalia 1-1
Drita-Fushë Kosova 3-0
Besa-Feronikeli 1-1

Dje
Drenica-Trepça ’89 1-3
Ferizaj-Trepça 1-0
Llamkos Kosova pushon

Tabela
1.Llamkos Kosova 49
2.Ferizaj 38
3.Prishtina 38
4.Drenica 35
5.Besa 33
6.Trepça ’89 30
7.Drita 31
8.Hajvalia 28
9.Feronikeli 26
10.Trepça 25
11. Fushë Kosova 20