LAJMI I FUNDIT:

“Prëndverë arabe” apo diçka tjetër

Lufta për të ardhmen e botës arabe ka filluar. Protestat që filluan në Tunizi dhe të cilat detyruan largimin nga detyra të presidentit Ben Ali u përhapën në disa vende arabe, duke përfshirë natyrisht Egjiptin, ku mijëra demonstrues vazhdojnë protestat e tyre në sheshin Tahrir të Kaiaros, duke kërkuar me çdo kusht, largimin nga detyra të presidentit Hosni Mubarak, i cili ka udhëhequr vendin për 30-vjet. Cilido që të jetë përfundimi i protestave në Egjipt, si vendi më i madh arab, protestat e egjiptianëve do të kenë një ndikim të thellë në të gjitha vendet arabe, nga Afrika Veriore e deri tek Gjiri Persik. Për më tepër, ajo që do të ndodhë në Egjipt do të ketë patjetër pasoja edhe për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën arabe, si edhe për rendin ndërkombëtar në përgjithësi. Si në asnjë pjesë tjetër të botës, përbuzja ndaj Shteteve te Bashkuara nuk është askund më e theksuar se sa në Lindjen e Mesme. Kjo përbuzje e ka origjinën kryesisht në përkrahjen amerikane për Izraelin, por ajo gjithashtu pasqyron edhe përkrahjen amerikane për regjimet shtypëse të asaj zone, sic është regjimi i Presidentit Mubarak në Egjipt.

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë ri-ngjallur këtu në Amerikë debatin mbi politikën amerikane ndaj vendeve të Lindjes së Mesme, siç është Egjipti, si dhe përkrahjen, gjatë viteve, të Presidentit Mubarak dhe regjimeve të tjera despote të asaj zone. Administrata e Presidentit Obama është në një gjendje shumë delikate, duke u përpjekur tashti të balancojë dëshirat e protestuesve për më shumë liri e demokraci dhe duke siguruar, në të njëjtën kohë, edhe aleatët amerikanë si Arabia Saudite e Jordania se Washingtoni nuk do t’i braktisë ato. Në të njëjtën kohë, ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme kanë nxitur zhvillimin e një debati në mediat amerikane në lidhje me të ashtuquajturën “agjendë e lirisë” e shpallur nga ish Presidenti George W. Bush, që kishte për qëllim përshpejtimin e demokracisë në vendet arabe. Disa analistë thonë se do të kishte qenë më mirë që administrata e Presidentit Obama të kishte ndjekur politikën e Presidentit Bush për ndryshimin e regjimeve në emër të të drejtave dhe lirive demokratike në vend që të qaste regjimet diktatoriale siç ishte rasti i protestave në Iran para dy vjetësh dhe raste të tjera të kohëve të fundit në atë rajon.

Ata i referohen, ndër të tjerë, një fjalimi të Presidentit Bush e që u quajt tepër ideologjik dhe kontraversial për kohën dhe jo aq diplomatik, (në Nëntor të vitit 2003), para organizatës “National Endowment For Democracy”, në lidhje me angazhimin amerikan në përkrahje të demokracisë në Lindjen e Mesme, Ish-Presidenti Bush bëri këto pyetje: “A janë popujt e Lindjes së Mesme disi të paaftë të jetojnë në liri? A janë miliona burra, gra e fëmijë të dënuar nga historia ose kultura të jetojnë nën despotizëm? Unë nuk besoj një gjë të tillë… Përkundrazi unë besoj se çdo person duhet të ketë mundësinë dhe të drejtën të jetë i lirë” .
Presidenti Bush vazhdoi duke thënë se diktaturat teokratike dhe ushtarake kanë frikë dhe shtypin mendimet dhe krijimtarinë e njerëzve, si edhe ekonominë e lirë, cilësi këto, të cilat janë të domosdoshme për krijimin e një shoqërie të fortë dhe të suksesshme. Megjithëse këto shtete, tha zoti Bush, kanë burime të pasura natyrore – ato nuk respektojnë dhe as nuk zhvillojnë burimet e tyre më të mëdha, e që janë talentet dhe energjitë e burrave dhe të grave që duan të jetojnë në liri. Për më tepër, tha ish-presidenti Bush, e ardhmja e vendeve islamike do të jetë më e mirë për të gjithë, me pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën e përditshme.


Në atë fjalim profetik, Bush tha se qeveritë përfaqësuese në Lindjen e Mesme duhet të pasqyrojnë kulturat e tyre, por në të njëjtën kohë ekzistojnë disa parime që janë të përbashkëta për çdo shoqëri të suksesshme e në çdo kulturë. Shoqëritë e suksesshme, sipas zotit Bush, kufizojnë pushtetin qeveritar dhe kompetencat e ushtrisë – ashtu që qeveria t’i përgjigjet nevojave të popullit e jo vetëm interesave të një elite. Shoqëritë e suksesshme, tha Bush, lejojnë veprimtarinë e lirë të partive politike, sindikatave të punëtorëve, si dhe gazetave dhe medias në përgjithësi. Për më tepër, vazhdoi Bush, shoqëritë e lira garantojnë lirinë fetare, dënojnë rreptësisht korrupsionin zyrtar dhe njohin të drejtat e grave.

Zoti Bush e pat përfunduar fjalimin mbi vizionin e tij ne lidhje me demokracinë në Lindjen e Mesme, duke thënë se Amerika beson se liria është pjesë e natyrës njerëzore, dhe si e tillë nuk është vetëm për ne për ta gëzuar, por është e drejtë e gjithë njerëzimit dhe se liria është duke gjetur aleatë në çdo vend dhe në të gjitha kulturat, duke përfshirë edhe Egjiptin dhe gjithë vendet arabe. Bush e krahasonte fushatën e tij për demokraci në botë, duke përfshirë Lindjen e Mesme, me trashëgiminë e ish Presidentit Reagan, qëndrimi i fortë i të cilit kundër komunizmit, ndihmoje që demokracia të vendosej në Evropën Lindore, në fund të 1980-ave.

Gjatë gjithë shekullit të kaluar, qeveritë e ndryshme amerikane dhe evropiane zgjodhën stabilitetin e rajonit në vend të demokracisë në Lindjen e Mesme. Në fjalimin e lartë përmendur, ish-Presidenti Bush dëshironte të largohej nga kjo politikë duke thënë se “stabiliteti nuk mund të blihet në kurriz të lirisë. Bush, me këtë fjalim donte të fillonte një kapitull të ri në marrëdhëniet e Amerikës me vendet arabe, por fatkeqësisht pa sukses.
Edhe në një fjalim qe mbajti në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Sharm El Sheikh të Egjiptit më 2008, zoti Bush kritikoi udhëheqësit e vendeve të Lindjes së Mesme duke thënë se “politika e Lindjes së Mesme përbëhet nga një udhëheqje në pushtet dhe opozitë në burg. “Ka ardhur koha”, tha Presidenti Bush, “që vendet anë e mbanë Lindjes së Mesme të heqin dorë nga kjo praktikë dhe të trajtojnë popujt e vetë me dinjitetin dhe respektin që ata meritojnë”.

Duket se ish-presidenti Bush kishte të drejtë për ato që ka thënë në fjalimet e tij, duke analizuar mungesën dhe shtypjen e lirive nga regjimet autokratike te Lindjes së Mesme, megjithëse zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme ishin krejtësisht si të papritura nga qarqet politike e diplomatike ndërkombëtare, për kohën që ndodhën, për përmasat dhe intensivitetin e tyre.

Çka duhet bërë në këtë moment? Më së miri është që të dëgjohet zëri i popullit të revoltuar egjiptian dhe i vendeve të tjera në Lindjen e Mesme, dhe të sigurohen se do të kenë përkrahjen, nga bota perëndimore, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara, për çdo përpjekje paqësore nga ana e tyre, për sigurimin e lirisë dhe demokracisë në atë pjesë të botës. Përkrahja e lirisë dhe demokracisë në Lindjen e Mesme përforcon edhe luftën kundër terrorizmit. Lufta për të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në Lindjen e Mesme sapo ka filluar. Ajo do të jetë e gjatë dhe fatkeqësisht e ashpër dhe me viktima. Gazeta USA Today në kryeartikullin e saj dje shkruan se Presidenti Mubarak mund të përpiqet të ruaj sundimin e tij me forcë ushtarake, siç bëri Kina kur shtypi lëvizjen demokratike më 1989 dhe sikur Irani që shtypi protestat anti-qeveritare vitin e kaluar. Por, sidoqoftë, Presidenti Mubarak do të largohet nga skena politike, ashtu siç ka premtuar se nuk do të kandidojë më për president. Kur të ndodhë kjo, thotë gazeta amerikane, forcat e reja të demokracisë egjiptiane duhet ta shohin Amerikën si një aleate dhe jo si një mbrojtëse të despotit të tyre.

Kjo, besoj unë, do të vendosë nëse protestat e tanishme në Egjipt dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme do të shënojnë fillimin e një “Prëndvere Arabe” apo diçka tjetër shumë më tragjike, jo vetëm për popujt e atij rajoni, por dhe për paqen dhe për stabilitetin politik dhe ekonomik ndërkombëtar.

Në trend

Më shumë
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Kalo në kategori