LAJMI I FUNDIT:

Pranohet apo jo trashëgimia kulturore e Kosovës nga UNESCO-ja?

Propozimi i delegacionit të Francës dhe të Zvicrës në Komitetin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për riemërimin e katër monumenteve ortodokse të Kosovës, si pronë e Kosovës dhe jo si monumente të Serbisë, është veprim tejet inkurajues. Kjo dëshmon se qarqet vendimmarrëse botërore vërtet janë të ngulmshëm që trashëgimia kulturore të jetë urë lidhëse dhe jo ndarëse midis popujve apo të grupeve etnike dhe religjioze. Kjo është dhe rrugë që t’i ndërpritet hovi trajtimit anakronik nacionalist të monumenteve fetare ortodokse nga pala serbe, si shumë i rrezikshëm dhe i cili krijon ndasi dhe urrejtje në baza etnike e fetare. Mjerisht edhe sot trashëgimia kulturore ortodokse e Kosovës përdoret si argument i vetëm i Serbisë për pushtimet dhe krimet në Kosovë, andaj është imperativ i kohës që “argumentet” e tilla të eliminohen. Patrikana e Pejës, me muret e ngritura pas luftës në Kosovë, është shembull negativ për këtë. Është shembull negativ edhe për ndërhyrjet joprofesionale “konservuese” të Serbisë, përkundër reagimeve të UNESCO-s.

Iniciativa franceze dhe zvicerane në UNESCO, bashkë me ato të më hershmet të SHBA-ve, ka për synim që mos t’i lë më hapësirë manipulimeve, përvetësimeve dhe shfrytëzimit politik të trashëgimisë kulturore të Kosovës, gjithnjë duke pasur për bazë konventat ndërkombëtare dhe parimet universale. Këtë iniciativë duhet parë si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe për stabilitet afatgjatë, të Kosovës dhe të rajonit.

A jemi vetëdijesuar sa duhet për rëndësinë e trashëgimisë kulturore?


Ka qenë gjithherë çështje kohe kur do të kuptohet rëndësia e trashëgimisë kulturore nga të gjithë, në veçanti nga vendimmarrësit, të cilët trashëgiminë kulturore e shohin kryesisht si atraksion. Andaj dhe jo rastësisht, motoja e parë e Departamentit të Kulturës në Kosovën e pasluftës ishte: Të mos lejojmë që trashëgimia kulturore të shfrytëzohet si mjet i presionit politik! Në këtë kuadër edhe trashëgimia kulturore ortodokse trajtohej si e tillë dhe jo si trashëgimi kulturore serbe, siç u lejua të trajtohej më pas.

Edhe me këtë rast duhet përkujtuar se kishat janë ndërtuar mbi ato më të hershmet (të periudhës antike e mesjetare), këto mbi tempujt e periudhave pagane dhe secila ka lënë gjurmë të kulturës materiale e shpirtërore. Pra, bashkëtrashëgimtare e trashëgimisë kulturore ortodokse të Kosovës është edhe popullata e besimit islam, paraardhësit e së cilës kryen shërbimet fetare në to dhe i mbrojtën dhe i respektuan si monumente të tyre edhe pas konvertimit. Andaj dhe jo rastësisht pjesa dërmuese e shqiptarëve myslimanë të Kosovës sot e kësaj dite e festojnë Ditën e Shën Gjergjit, ndonëse i shenjtë i krishterë, me kalendarin ortodoks (kalendari Julian) dhe jo atë katolik (kalendari Gregorian – Dita e Shën Gergjit festohet disa ditë më herët).

Është tepër shqetësuese dhe e dhimbshme që u lejua që në listat zyrtare të Republikës së Kosovës të figurojnë emërtimet e reja, siç është psh. Kisha e Levishkës (sic!). Lista ende aktuale e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është tregim më vete, pasi që është përkthim i analfabetëve kulturor të një liste serbe (në listat e periudhave të mëparme nuk figuron me këtë emër). Pse ndodhën këto? Formula është mjaft e thjeshtë: presioni i Serbisë, presioni i ndërkombëtarëve dhe mosdija e zyrtarëve dhe të “ekspertëve” kosovar.

Kosova e pasluftës u mbush me “ekspertë” të trashëgimisë kulturore në vrap pas donacioneve, që kishte dhe ka ende. Si pasojë kuantiteti, që udhëhiqet nga intrigat, mbylli gati të gjitha rrugët për të tjerët. Nëse them se në Institutin Arkeologjik m’u mbyllën dyert, ani që themelimin e tij e inicova në vitin 2000, kur isha Bashkëdrejtuese e kulturës, pak kush do ta besojë. Ashtu si duket e pabesueshme se kishte tentime që të hiqej lënda e arkeologjjisë nga Dega e Historisë, në vend se të themelohej Dega e Arkeologjisë. I ofrova edhe Universitetit të Prishtinës projekt propozimin për themelimin e Degës së Antropologjisë vite më parë, ku arkeologjia, etnologjia, historia e artit dhe antropologjia fizike do të ishin drejtime kryesore. Mbase dashakëqijtë mund të thonë se këto janë çështje individuale, nëse çështja nuk shihet në gjithë kompleksitetin e saj, duke u nisur nga ai juridik, shkencor, profesional e arsimor.

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – sfidat e agjensionit të pavarur profesional të Republikës së Kosovës

Ndërtimi i shtetit do të thotë krijim i institucioneve të qëndrueshme, ndërsa kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore është interes dhe obligim shtetëror. Për këtë dhe Kuvendi i Kosovës themeloi Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), agjension i pavarur profesional për fushën e trashëgimisë kulturore, sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Ligji është përpiluar në bashkëpunim me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe në bazë të parimeve bashkëkohore.

Cili është roli i KKTK, pos që të propozojë politika nacionale për trashëgiminë kulturore? Mbrojtja e integruar dhe bashkëpunimit ndërinstitucional janë dy çështje kyçe, gjithnjë duke mbajtur parasysh se institucionet ekzekutive për këtë fushë janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Ambinetit dhe Planifikimit Hapësinor, kjo e fundit përgjegjëse për zonat e mbrojtura dhe jo MKRS (Pako e Ahtisarit). Ndërkohë, KKTK po vepron në shumë drejtime, duke përcjellë edhe konventat ndërkombëtare në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ratifikim, ani që Kosova nuk është ende pjesë e OKB-së. Ratifikimet e tilla janë praktikë botërore dhe dëshmojnë pjekurinë politike të shtetit të Kosovës.

KKTK, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ende ndeshet me pengesa të llojshme. Për disa ndërkombëtarë, të ndihmuar nga “ekspertë” të Kosovës, KKTK është pengesë për realizimin e disa objektivave jotransparente, siç është pengesë për të ashtuquajturit ekspertë që përfitojnë nga hutitë institucionale, ndërsa për të painformuarit duket si një institucion i tepërt.

Organizma dhe interesa të ndryshme veprojnë në Kosovë dhe këto kanë ende qasje të gabuar ndaj trashëgimisë kulturore, duke rënë kështu pre e kërkesave të Serbisë. Cili është qëndrimi i kosovarëve në këtë drejtim? Për shumë liderë politik nuk do të thotë shumë projekti RIK apo ECLO e aq më tepër kush na prezanton në to, sa janë të përgatitur dhe sa janë gjendje t’i mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës. As unë, si shumë të tjerë, nuk di sa duhet. Nuk kam qenë e konsultuar fare as kur ka vepruar Grupi i Unitetit gjatë negociatave në Vjenë, por që atëherë i kam ditur pasojat që do të paguhen shtrenjtë. Projektet për trashëgiminë kulturore ende nuk përcillen në KKTK për evoluim, miratim apo refuzim, si parashihet në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit. Nuk janë përcjellë as ato të ndërkombëtarëve, të financuar nga Bashkimi Evropian apo gjetiu. Me miliona euro vijnë dhe shpenzohen në emër të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Mosbashkëpunimi institucional ka krijuar hapësirë që Kosova të bëhet një Eldorado e trashëgimisë kulturore, përderisa për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore trumpetohet shumë, ndërkohë që muret e shekujve rrënohen, objektet e lëvizshme tjetërsohen dhe vizitorët e qëllimshëm apo të rastit nuk dinë ku të shkojnë.

Kosova dhe UNESCO

Iniciativat e Francës, Zvicrës, SHBA-së e të tjerëve në nivelet e UNESCO-s për ta mbështetur trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës janë dëshmi se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë më që problemet e trashëgimisë kulturore dhe çështja e mbrojtjes së saj të vazhdojnë të politizohen. Përfshirja në vitet e fundit e Manastririt të Deçanit, Patrikanës së Pejës, Manastirit të Graçanicës dhe Kishës së Shën Premtes në Prizren në Listën e Monumenteve të Mbrojtura nga UNESCO është një shembull jo adekuat, aq më tepër që ato figurojnë si monumente territorit të Serbisë. Kjo ngjau në vitet e fundit, pasi që iu lëshua pe presioneve të Serbisë dhe krijoi përshtypje të gabuar në opinionin botëror se trashëgimia kulturore e Kosovës përbëhet vetëm nga monumentet ortodokse me origjinë serbe. Nuk ka pasur shumë të tillë në Kosovë që janë shqetësuar për këto…

Me faktin që Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, problemi momental politik nuk duhet të përdoret si pretekst për të hequr dorë nga synimet dhe punët përgatitore drejt përfshirjes së trashëgimisë kulturore të Kosovës në Listën Botërore të UNESCO-s. Kjo nuk pengon marrjen e masave në nivel shteti dhe përgatitjet procedurale për aplikim. Për rastet e sipërpërmendura, mbase është më lehtë, atyre duhet ndryshuar vetëm territori i vendndodhjes, por Kosova ka dhe monumente të tjera të vlefshme, përfshirë dhe peizazhet kulturore, që e kanë vendin në listën botërore të trashëgimisë kulturore, siç është psh. Prizreni, Mrizi i Kobajës me pikturimin shkëmbor parahistorik, Monumenti i Hyjneshës Dardane me dy labiyrinthe, Ulpiana e të tjera. Këto nuk janë misione të pamundura, ndonëse kërkojnë mbështetje institucionale, akademike, profesionale, teknike dhe financiare, ndërsa UNESCO kërkon finalen, bashkë me infrastrukturën e përgatitur. Diç të tillë gjeti në Prizren delegacioni i UNESCO-s në vitin e largët 1976, ku, pos tjerash, vizitoi dhe Muzeun e Elektroekonomisë së Kosovës, sot të lënë pas dore. Andaj dhe jo rastësisht delegacioni i saj asokohe shkroi raportin tejet pozitiv (MM. V Planque et J. Sonier, Paris, 1976). Planque dhe Sonier, ekspertë të njohur botëror, vlerësuan lartë gjithë veprimtarinë e zhvilluar nga Muhamed Shukriu dhe ekipi i tij në Entin e asokohshëm për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Mbrojtjen e Natyrës.

(Autorja është Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe ligjëruese në Universitetin e Prishtinës)

Në trend

Më shumë

"Le ta bëjmë një marrëveshje", Zelensky i ofron Trumpit minerale të rralla në këmbim të ndihmës financiare

Botë
Revista Time provokon me kopertinën e re, vendos Musk në tavolinën e presidentit - vjen reagimi i Trumpit

Revista Time provokon me kopertinën e re, vendos Musk në tavolinën e presidentit - vjen reagimi i Trumpit

Botë
Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Loredana thyen kutinë e emergjencës - avantazhi që përfitoi i kushtoi me një dënim mjaft të madh

Magazina
“Kur vendos të kopjosh Luizin, të paktën kopjoje si burrat

“Kur vendos të kopjosh Luizin, të paktën kopjoje si burrat", Julian Deda kritikon ashpër lojën e Gjestit

Magazina
Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit

Legjenda e Milanit u shkarkua nga posti i trajnerit pasi nuk e futi në lojë djalin e presidentit

Ndërkombëtare
Votimi në diasporë: A ka rrezik për manipulim në transportin e zarfeve zgjedhore?

Votimi në diasporë: A ka rrezik për manipulim në transportin e zarfeve zgjedhore?

Lajme
Kalo në kategori