Post skriptum
Gruevski tha: “Me Ali Ahmetin i kemi punët shumë mirë dhe gjithmonë e realizoj atë për të cilën paraprakisht merremi vesh!” Degradimi i derisotshëm i shqiptarëve nga qeveria aktuale qenka marrëveshje dypalëshe në mes të Ahmetit dhe Gruevskit???
Efekti i bombës bërthamore sjell fundin e luftës, kapitulimin ushtarak si dhe pasojat psiko-fizike shekullore mbi miletin që përshkohet nga ky efekt i tmerrshëm. Situata e “bombës bërthamore” u ndje edhe në këtë fundjavë, pikërisht në hapësirën e Sallës Universale, në Shkup, përderisa po zhvillohej Kongresi i Dytë i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim. Nëse zhvishet fjalimi i kryetarit të kësaj partie, z. Ali Ahmetit, nga retorika boshe, nga pallavrat, nga ato fjali të shumta që ishin përdorur si lëvozhga të gjembosura për ta fshehur esencën, në sipërfaqe do të dalin dy tendenca të shëmtuara që, lë që nuk i bëjnë nder z. Ahmetit por baltosin edhe gjakun e atyre shqiptarëve të rënë që dikush i palosi shkallë-shkallë për ngjitje karrieriste.
Aborti politik në Kongres e BDI-së
Para mbi 600 kongresistëve bdistë z. Ali Ahmeti hodhi “bombën bërthamore” kur shpalosi një faqe plotë me ankesa të cilat jo vetëm që ishin vetëvrasëse për zotëriun në fjalë por efekti i saj “shkrumboi” edhe të pranishmit. Heroizmin e vet, trimërinë, guximin si dhe kërcënimin prej “luftëtari të regjur” z. Ahmeti e demonstroi duke ia bërë me dije kryeministrit të vet, Nikolla Gruevskit, se punët nuk po ecin mirë, se derisa BDI po participon në këtë qeverisje antishqiptare, shqiptarët qenkan shumë të diskriminuar. Asnjë post shtetëror apo i institucioneve të rëndësishme shtetërore nuk po u drejtuaka nga shqiptarët e Maqedonisë, ndaj dhe Gruevski nuk u dashka të presë lojalitet të madh nga shqiptarët!
Kjo tendencë fjalomanie flet për një gjunjëzim servil të BDI-së apo për një arsye se pse shqiptarët e pabindur në politikën e VMRO-BDI-së gjithnjë e më shumë po rirreshtohen në taborrin e PDSH-së popullariteti i së cilës ka marrur hov të dukshëm në skenën politike në Maqedoni.
Natyrisht, pas kapitullit të parë përplot me ankesa e vajtime të trishta, vjen kapitulli tjetër i cili ngacmon optimizmin partiak të kongresistëve. Është momenti jo i vetëkënaqësisë por “i vdekjes së kristaltë” i asaj vdekje që shkaktohet nga ngricat e larta! Mbi masën amorfe të tubuar në Sallën Universale shpërthen një demagogji plot me snobizma; çasti i pallavrave që përmbushet me rrëfime të ëmbëla gjyshesh!
Përkundër këtyre diskriminimeve maqedonase megjithatë shqiptarët paskan arritur të mburren “me themelimin” e “Muzeut të Lirisë”, “Muzeut të Alfabetit Shqip”, me hapjen e një fakulteti në Kumanovë, një në Strugë, një në Shkup, do të shprehet z. Ahmeti! Kur BDI-ja thotë “bëhu” – bëhet! Bëhu “Muze i Lirisë” dhe kjo menjëherë do të bëhet, edhe pse prej një dëshire, prej një iniciative e deri në sendërtim të saj duhen disa procedura, kushte dhe rregulla të njohura për mbarë botën përveçse për z. Ahmetin dhe funksionarët e tij!
Kur BDI e “zyrtarizoi” Universitetin e Tetovës, atë e solli vetëm në gjashtë fakultete, kështu duke ia prerë kontinuitetin Universitetit të mirëfilltë të Tetovës për të cilin u derdh edhe gjaku dhe duke ngritur nje tjetërfarë universiteti! Është botërisht i njohur fakti se PDSH-ja me të ardhur në pushtet këtij universiteti gjysmak ia shtoi edhe nja dhjetë fakultete të tjera, punësoi qindra profesorë, shtoi numrin e studentëve dhe, e detyroi partnerin në koalicion, VMRO-në, që të sjellë vendim për dispersimin e këtyre fakulteteve edhe në qytete të tjera të banuara me shqiptarë.
Këto vendime të PDSH-së i ra hise t’i realizojë BDI-ja por me një defekt katastrofal. Lejoi që për çdo fakultet shqiptar të ngritet nga një universitet maqedonas nëpër qytetet maqedonase. Pa universitet maqdonas ka ngelur vetëm edhe Gollaguzica afër lokalitetit Skupi!
E arritur madhështore kombëtare na qenka edhe festimi i 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit! Snobizmi i z. Ahmetit para kongresistëve të vet dhe në sy të mbarë shqiptarëve shkon deri atje sa këtij tashmë i është pjekur në tru se ky është ai që e detyroi Maqedoninë ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe, këtë sukses amerikan pa fije turpi e përvetëson!
Demagogjia e politikanit miop përpiqet për ta arritur mashtrimin optik duke i bindur të pranishmit se shkaktari kryesor për inkuadrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO do të jetë pikërisht BDI-ja! Po roli i Amerikës, i BE-së, i OKB-së, cili do të jetë në këtë rast! Vërtet, po të mos ishin vlerat dhe sukseset e të tjerëve me se do të mburrej kjo parti që në këtë Kongres përjetoi një abort të madh politik?!
Në Haraçinë abortoi një nënë shqiptare! Në prag të Kongresit të BDI-së pinjollët e Gruevskit organizuan një invazion policor në Haraçinë! Nga keqtrajtimet e muskulozëve të maskuar u tremb deri në vdekje një shqiptare e cila abortoi në kohën kur në Sallën Universale kongresistët po brohorisnin Ali Ahmeti, Ali Ahmeti… UÇK, UÇK…
Mrekullitë si pallavra
Deri në fund të këtij viti (thua se ky vit do të zgjasë 100 vjet) do të rregullohet çështja e ish-ushtarëve të UÇK-së, të viktimave të 2001-shit, të të plagosurve si dhe të familjarëve të tyre! “Kemi marrëveshje me Gruevskin”, thotë Ali Ahmeti, ndërkohë që, në sy të zëvëndëskryeministrit, Abdilaqim Ademit, Gruevski thotë se nuk kemi dhe nuk kemi pasur kurrë marrëvhesje të tilla dhe se për maqedonasit “terroristët” përjetë do të ngelin terroristë dhe ky trajtim ka marrur fund!
Në Kongres Ali Ahmeti nuk hezitoi që të heq edhe siguresën e bombës tjetër edhe më fatale! Ai nënvizoi se Ligji për gjuhën shqipe, i miratuar kështu siç është nga VMRO-BDI, e degradon tej mase gjuhën shqipe dhe nuk është në përputhje me vendimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit! Dmth Marrëveshja e Ohrit këtij “koalicioni qeveritar” i shërben ekskluzivisht për degradim të gjithanshëm të shqiptarëve të Maqedonisë.
I vetmi “sukses” i BDI-së për këtë kohë mund të llogaritet aftësia idiotike për ta shndërruar këtë Marrëveshje politike në biro për punësim të nëpunësve shtetërore shqiptarë, serbë, romë, vllehë, turq etj. I paskan punësuar 1240 nëpunës shqiptarë ndërkohë që të gjithë këta rrinë në shtëpi ku marrin rrogë, sepse, maqedonasit nuk lejojnë që t’u “ndoten” zyret me shqiptarë!
Sa për kujtesë të BDI-së! Në kohën kur PDSH ishte në pushtet arriti që ta marrë në dorë Manifestimin Netët Strugane të Poezisë dhe, shpërblimin Kurora e Artë t’ia ndajë poetit shqiptar Fatos Arapit. Maqedonasëve desh ju ra damllaja për këtë sukses! Sapo erdhi BDI në pushtet, shqiptarëve iu mor ky Manifestim, u pastrua nga shqiptarët dhe sot është në duart e maqedonasëve. Këtë javë me vendim të Qeverisë në drejtorinë e këtij manifestimi ndërkombëtar do të punësohen 4 veta, që të gjithë maqedonasë!
Çka nuk u fol në Kongres
Ishin këto disa pika, në mos të vetmet që u prekën gjatë Kongresit të Dytë të BDI-së. Nuk u fol për pozitën vasale të BDI-së në të cilën e ka sjellë partia nacionalshoveniste e Gruevskit! Nuk u fol për shumë ligje diskriminuese për shqiptarët, ligje këto madje të miratuar edhe me Badinter.
Nuk u fol asgjë dhe nuk u kërkua përgjegjësi prej askujt për Ligjin për Natalitet, për Ligjin diskriminues për përdorimin e Gjuhës Shqipe, të simboleve kombëtare, për Evidencën pedagogjike në gjuhën maqedonase, për Maqedonishten që në klasën e parë fillore, obligim ligjor për nxënësit shqiptarë, për mosdefinimin ligjor të statusit si dhe për moszgjidhjen e çështjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së, për keqtrajtimet mizore të shqiptarëve gjatë aksioneve policore nëpër vendbanimet shqiptare si në Çair, në Kumanovë me rrethinë, në Haraçinë; për ushtrimin e nacionalizmit të egër maqedonas mbi shqiptarët e Nerezit; për gatishmërinë e strukturave të BDI-së për të shkuar në Hagë e për të dhënë kontributin për lirimin e Johan Tarçullovskit, të dënuar si kriminel luftë pas aksionit policoro-ushtarak të kryer në Luboten më vitin 2001.
Askush nuk dha përgjegjësi për degradimin dhe për nënçmimin me një buxhet qesharak të intitucioneve nacionale shqiptare që i themeloi PDSH-ja, si Institutin për Trashëgimi kulturore, për Teatrin shqiptar të Tetovës, për Galerinë e Arteve në Tetovë, për Qendrën për konservim në Gostivar dhe për sërë degradimesh e mohimesh të manifestimeve e aktiviteteve kulturore shqiptare.
Të gjitha këto “mrekulli” ndodhën që nga viti 2008 e deri më sot, pra, përgjatë kësaj kohe të vegjetimit të BDI-së në qeverinë e Gruevskit.
“Bomba biologjike” e Gruevskit
Fill pas Kongresit të Dytë të BDI-së, shumë gazetarë e analistë, madje edhe politikanë opozitarë, hetuan një përçarje të “koalicionit qeveritar”, filluan të flasin për ndarje të Ahmetit nga Gruevski, dmth për prishjen shumë të shpejtë të kësaj Qeverie si dhe për zgjedhje të parakohëshme.
Ali Ahmeti i hodhi poshtë këta zëra duke i quajtur si spekulime dhe si dëshira të atyreve që janë të etur për pushtet, ndërkohë që edhe Gruevski e vërtetoi këtë duke nënvizuar se me BDI-në marrëdhëniet janë relativisht të mira dhe se me liderin e saj, Ali Ahmetin, mbajmë takime të rregullta.
Një tjetër efekt, i një “bombe tjetër bërthamore” e përshkroi BDI-në! E dogj Ali Ahmetin! Deri në këto çaste nuk u dëgjua asnjë demantim. U shuan qeniet njerëzore të BDI-së sikur të ishin goditur nga efekti i “bombës biologjike”!
Gruevski para shumë mediave tha: “Me Ali Ahmetin i kemi punët shumë mirë dhe gjithmonë e realizoj atë për të cilën paraprakisht merremi vesh!” Degradimi i derisotshëm i shqiptarëve nga qeveria aktuale qenka marrëveshje dypalëshe në mes të Ahmetit dhe Gruevskit???
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëDjali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin