LAJMI I FUNDIT:

Polonisë mike

Rrallë herë i ndodhë një vendi ajo që në fundjavën e kaluar i ndodhi Polonisë. Rrallë herë një komb i tërë bashkohet në dhimbje dhe ngushëllim ashtu siç po bëjnë polakët. Por jo vetëm ata, sepse të gjithë popujt e qytetëruar të botës, janë solidarizuar dhe po ngushëllojnë kombin dhe shtetin polak, për humbjen e pa precedentë të një pjese shumë të madhe të elitës politike të këtij vendi.

Për neve shqiptarët, polakët mbesin një popull i largët me të cilët nuk kemi aq shumë lidhje, mbase për vet gjeografinë që dy popujt tonë kanë, por disa nga ne që kanë pasur nderin të vizitojnë ti takojnë dhe të miqësohen me polakët, ndjesia për këtë popull të lashtë është shumë e lartë, dhe çmuese në të gjitha përmasat. Si popull polakët historikisht kanë dëshmuar të jenë njerëz liridashës, fisnik, atdhetarë dhe paqësorë. Qysh prej paraqitjes së parë historike të mbretërisë mesjetare polake në vitin 1025 qenësia e tyre ka shëmbëllyer. Në krahasim historik, gati si edhe ne shqiptarët, edhe polakët janë përballur me rreziqe kundër eliminimit të tyre ardhur nga Rusia cariste, dhe Austro Hungaria fqinje.

Në kohërat më të reja, historia e Luftës së Dytë Botërore është posaçërisht e dhimbshme, me mëse 160.000 qytetarë të renë në mbrojtje të Varshavës nga nazizmi gjerman, dhe mbi gjashtë milion njerëz të vrarë gjatë okupimit, duke e bërë Poloninë vendin e parë me humbje më të madhe në banorë gjatë luftës llogaritur sipas numrit të përgjithshëm të qytetarëve. Muzeu i Luftës së Dytë Botërore në Varshavë, është një kujtesë sa prekëse aq edhe rrëqethëse e sakrificës titanike të këtij populli për mbijetesë.

Po aq e frikshme ishte edhe përvoja kolektive e polakëve gjatë diktaturës komuniste. Bashkimi Sovjetik pas hamendësisë rreth marrjes së Polonisë brenda unionit, kur vendosi që ti lejo te të jenë shtet, vendosi atë që më së miri dinte ta bënte Stalini dhe dishepujt e ti, shtazarakinë shfrenuese mbi polakët.

Por me tu dhënë mundësia, polakët flakën tutje prangat e diktaturës së proletariatit dhe morën udhen e liberalizimit duke punuar me sakrifica të mëdha që vendi i tyre të integrohet në botën e qytetëruar. Hyrja në NATO dhe Bashkimin Evropian, për polakët është një ogur i jashtëzakonshëm me domethënie të madhe simbolike dhe ekzistenciale. Ata tashmë i përkasin botës së lirë dhe të qytetëruar, dhe nuk kan frikë se vuajtjet do ti ndjekin nga pas.

Gjatë vizitës në Poloni, një i huaj vëren se i gjithë populli, por edhe institucionet e vendit, kanë hedhur tashmë prapa krahëve diktaturën komuniste, e cila për secilin prej tyre, përfshirë këtu edhe gjeneratat e reja që kanë lindur pas komunizmit, vazhdon të mbetet një makth i trishtuar që tashmë e kanë mundur, dhe me entuziazëm të flasin për botën e lirë dhe të qytetëruar. Faktikisht, këtë vullnet kombëtar, Polonia e manifestoi edhe me rastin e njohjes së mëvetësisë së Kosovës qysh në ditët e para të shpalljes së deklaratës kushtetuese në Prishtinë, duke treguar haptazi se për Kosovën dhe shqiptarët, ky popull megjithëse sllav me origjinë, dhe megjithëse në veri të Evropës, janë miq dhe dashamirës në kapacitetin dhe mundësitë që i kanë.

Prandaj edhe ne duhet të tregohemi më solidarë dhe më depërtues në gjetjen e mënyrave për të ngushëlluar për humbjen e tyre të madhe këtë popull, fisnik, të përvuajtur dhe mik.

(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, hulumtues shkencor dhe koordinatore ndërveprimi akademik në Universitetin e Varshaves, dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)