LAJMI I FUNDIT:

Po universiteti …!?

Agjenda e shoqërisë aktualisht po dominohet nga diskursi politik lidhur me situatën në veri të vendit, akuzat pozitë-opozitë për raportin e progresit, problemin ekonomik dhe të papunësisë që vazhdon të jetë njëra ndër sfidat kryesore në periudhën e tranzicionit, dhe shumë pak vëmendje po i kushtohet çështjes së reformave në Universitetin e Prishtinës.

Pavarësisht nga fakti se akreditimi i shumë institucioneve private të arsimit të lartë, nga themelimi i Universitetit të Prizrenit, dhe paralajmërimet për themelimin e disa universiteteve tjera nëpër qendrat kryesore rajonale të vendit, Universiteti i Prishtinës vazhdon të mbetet, dhe duket se edhe për një kohë do të jetë kështu, institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend.

Janë disa parametra kryesor që i sigurojnë një pozitë dominante dhe do të thosha deri diku elitare UP-në në mesin e institucioneve tjera të arsimit të lartë në vend. Këto parametra i referohen kryesisht stafit akademik me përvojë, infrastrukturës fizike, dhe burimeve tjera të komunikimit ndërkombëtar të cilat janë krijuar gjatë ekzistencës së universitetit, dhe të cilat shumë universitete tjera ose nuk i kanë fare ose i kanë të dobëta.


Megjithatë kjo pozitë elitare të cilën UP-ja e ka siguruar në mesin e institucioneve tjera të arsimit të lartë, shumë më shumë i referohet perceptimit të vet studentëve të këtij universiteti dhe shoqërisë në përgjithësi, për kontributin që e ka dhënë UP në aspektin nacional, se sa vetëzotimit të UP-së se do të reformohet në aspektin akademik për tu adaptuar krahas praktikave universitare perëndimore.

Universiteti i Prishtinës vazhdon të përballet me probleme të cilat e kanë shoqëruar këto vitet e pas luftës pavarësisht prej disa reformave evidente. Praktika e ndërrimit të orareve të ligjëratave pa pasur një komunikim paraprak me studentët dhe njoftim të tyre lidhur me këto ndërrime është jashtëzakonisht shumë evidente. Është bërë normë që orari i ligjëratave i shpallur në tabelat zyrtare të ndërrohet nga vetë profesorët dhe asistentët për t’ia përshtatur nevojave të veta për shkak të angazhimeve në tri ose katër universitete tjera private dhe duke e vendosur angazhimin në UP gjithmonë në rendin e fundit.

Kjo praktik e ndërrimit të orarit është shumë e dëmshme për studentët, veçanërisht kur i referohet orarit të provimeve. Jo rrallë herë ndodh që në momentin e fundit të ndërrohet data dhe ora e mbajtjes së provimeve, duke i lënë kështu shumë studentë pa hyr nëpër provime sidomos ata studentë që udhëtojnë prej vendeve tjera jashtë Prishtinës.

Gjithashtu, burimet e mësimit ende nuk janë shumë pluraliste duke i detyruar studentët të mësojnë vetëm nga një libër, ose edhe me keq prej ndonjë skripte të nivelit të dytë ose të tretë. Mungesa e hapjes duke pranuar dhe vlerësuar më shumë se një burim për përgatitjen e një provimi po ashtu vazhdon të jetë evidente në praktikën e UP-së, ndonëse në përmasa më të vogla se sa ka qenë dikur për shkak të pranimit të stafit të ri akademik.