LAJMI I FUNDIT:

Plagët e përdhunimit dhe heshtja e shoqërisë

Plagët e përdhunimit dhe heshtja e shoqërisë
Ilustrim

Çnjerëzimi është dukuri e moçme sa vet njeriu.

Të flasësh apo të heshtësh, kjo është dilema që mbetet!

Çnjerëzimi njihet qëmoti si krim i rëndë kundër qenies njerëzore.


Dosjet e çnjerëzimit zakonisht janë hapur vonë ose kanë përfunduar në varr. Shumica e rasteve të dhunimit dhe përdhunimit janë heshtur. Duket sikur misteri i heshtjes dhe i fjalës publike, akoma mbetet i pazgjidhur.

Njeriu që end fjalë (shtënçi-shtinci-shtinsi), nga populli konsiderohet më i keq se dorasi.

Aq sa e lëndonte akti i çnjerëzimit viktimën, po aq e godisnin thashethemet përreth. Prej këtu ka rrjedhë fjala e urtë:

“Në jetë, s’ka gjë më rëndë, se me ta ngjitë fjalën pa qenë”!

Thashethemet për çnjerëzimin u kanë shkaktuar dëme të mëdha gjithë shoqërisë, duke nxitur edhe një varg krimesh tjera.

Njeriu si qenie e vetëdijshme, në të shumtën e rasteve përdhunimin e ka përdorë si metodë për ta thyer shpirtërisht kundërshtarin -“armikun” .

Edhe hakmarrja për këtë ka qenë e tmerrshme.

Ky krim antinjerëzor është sanksionuar edhe me kanun. Sipas kanunit, dhunuesi i një nëne a vashe dënohet me vdekje. Edhe kur vritet, për të nuk mund të kërkohet gjaku. Ai shkon gjakhumbur.

Pleqtë e mençëm rrallë kanë folur për raste konkrete të përdhunimit. Nënat e vajzat e çnjerëzuara, në të te shumtën e herëve kanë heshtur duke jetuar gjithë jetën me këtë plagë në shpirt, dhe shumë herë duke marrë të vërtetën në varr.

Në rastet e rralla, vonë në pleqëri, kur edhe dosja e krimit mund të quhej e vjetruar, ka ndodhur që dikush të flasë për ndonjë rast konkret të çnjerëzimit. Në jo pak raste, sado vonë që është hapur një dosje e tillë, kjo sërish solli pasoja të rënda.

Tjerrja e kësaj teme, në hollësi, duket gati e pamundur, por kontributi i njeriut në këtë drejtim nuk ka munguar. Sa herë që shkruan dikush për këtë krim, nuk mund të flasë vetëm për njërën gjini. Kur kemi parsysh se femra është vetëm gjysma e njeriut, ndërsa mashkulli gjysma tjetër, atëherë shohim se edhe ndarja e kësaj teme në gjini logjikisht duket e pamundur. Është vlerësuar se trajtimi publik i çnjerëzimit ndihmon të luftohet ky krim, por megjithatë përbrenda vetes ruan në pafundësi edhe anën e erret të tij!

Trajtimi i temës së çnjerëzimit në shoqërinë tonë, akoma është në nivel të zgjimit nga heshtja shumëshekullore. Vetëm përmendja e kësaj teme, qoftë edhe me qëllimin më të mirë, shumë herë nuk kalon lehtë. Edhe kur dihen rastet konkrete të çnjerëzimit, përmendja e cilitdo emër nuk kalon pa pasoja. Sado që të modifikohen emrat e grave apo vajzave të dhunuara, vet tema, në rend të parë, në çdo rast e në çdo kohë viktimave ua gërvishtë plagët.

Përshkrimi autentik i vuajtjeve shpirtërore, të një nëne apo vajze të çnjerëzuar, duket krejt i pamundur. Shërimi i një nëne apo vashe të dhunuar është tepër kompleks.

Në nënë e çnjerëzuar, edhe kur flet publikisht për përdhunimin e saj, mbetet e lënduar përjetësisht, sado që ajo të përpiqet të komunikojë me rrethin dhe të duket normale. Edhe dëshmitarët eventualë, në të shumtën e rasteve kanë heshtur! Ndoshta jo aq shumë nga frika, sa për të “respektuar” viktimat.

Secili që flet për këtë temë, sado që të përpiqet të zgjedhë fjalët më të buta, për të mos lënduar askënd, akoma e ka tepër vështirë të gjejë mirëkuptim nga rrethi ynë në të cilin jetojmë.

As ajo grua apo vashë e cila vret fëmijën e saj të ngjizur nga përdhunimi, nuk heq dilemën! Një femër e çnjerëzuar, kur dëgjon rrëfimin e një nëne tjetër që ka rritur një fëmijë, po ashtu të ngjizur nga përdhunimi, shpirti i saj ligët.

Hakmarrja e nënës duke vrarë foshnjën që ka lindur vet, sado që asaj dhe rrethit ku jeton, në plan të parë i duket trimëri e madhe dhe e duhur kur dëgjon nënat tjera të çnjerëzuara që kanë rritur fëmijë të ngjizur nga përdhunimi, vetja i duket e ligë. Një nënë që ka rritur një fëmijë të ngjizur nga përdhunimi, për atë që është njeri duket si heroinë e vërtetë!

Sa më thellë që analizohet ky krim, në brendi të tij, ai anon nga origjina e qenies njeri.

Në jo pak raste, nëna e çnjerëzuar e ka vrarë apo braktisur foshnjën e saj. Rritja e fëmiut të braktisur, nga njeriu i urtë është konsideruar si kryevepër humane.

Anekdota e mëposhtme dëshmon raste të jashtëzakonshme të humanizmit njerëzor:

“Në natën e parë të martesës, një nuse lind një fëmijë! Burri i saj nuk deshi të bënte krim të shumëfishtë. Ai burrë mendoi gjatë për foshnjën që kishte lindur nusja e vet! U mor vesh edhe me nusen! Pa u zdritur, e merr fëmijën dhe e lë në derë të xhamisë së fshatit. Pasi erdhën shumë njerëz, imami iu drejtua atyre me fjalët:

– Dikush këtu ka lënë një foshnje të porsalindur. A ka ndonjë shpirtmirë që do mund ta merrte për ta rritur?

Të gjithë ata që ishin të pranishëm, shikuan njëri-tjetrin me habi! Nuk foli asnjëri prej tyre. Pas një qetësie varri, heshtjen e kishte thye ai burri që ishte martuar mbrëmë.

Këtë fëmijë e marr unë, kishte thënë ai!

Prapë kishte mbretëruar heshtje”!

Dikush mund të kishte dyshuar sesi është e mundur që nusja e tij, që ka ardhur atë natë të burri, pranon të rrisë fëmijë të braktisur? Kush mund të thoshte se nusja që kishte ardhur mbrëmë, e lindi atë foshnje? Ajo ishte nëna e atij fëmije!  Ajo nënë e rriti fëmijën e vet. Por, i kujt ishte fëmija? I një dashurie të ndaluar, i një përdhunimi apo i të dyjave) Foshnja nuk ishte hija e nënës, por vet nëna!

Humanizmi nuk njeh kufi!

Çnjerëzimi më kohën u bë pjesë e strategjisë së luftërave. Sado që historianët nuk e zënë në gojë aq shumë këtë krim, apo nuk ia kanë dhënë peshën e duhur për shekuj të tërë, çnjerëzimi ishte dhe mbeti pjesë e të gjitha luftërave pushtuese. Çnjerëzimi nuk ishte vetëm pjesë e luftës, por edhe e jetës së zakonshme, sado që për të gati nuk flitet fare.

Ata që fillonin luftërat, femrat e palës kundërshtare, në të shumtën e herës i kanë konsideruar si pre lufte. Drejtuesi i ushtrisë pushtuese, jo pak herë – edhe pasi ka vrarë apo zënë rob vetë drejtuesin e popullit tjetër – ia ka marrë gruan si robëreshë apo si trofe lufte. Kur një ushtri pushtuese ka sulmuar një vend tjetër, ushtarëve shumë herë ua ka dhënë të drejtën e përdhunimit të vajzave dhe të nënave të reja të atij populli, pa dallim.

Çnjerëzimi, zakonisht i mbetej vullnetit të ushtarëve në territorin e pushtuar. Jo pak herë, ushtarët i kanë rrëmbyer vajzat e popullit tjetër dhe janë martuar me to, duke i mbajtur gjithë jetën.

Me shekuj, femra është konsideruar plaçkë lufte. Meqenëse përdhunimi prekte vet qenien njeri, më vonë edhe nga OKB-ja u sanksionua si krim kundër njerëzimit.

Edhe në luftën e fundit në Kosovë, dhunimi i vajzave e nënave shqiptare ishte pjesë e strategjisë serbe të luftës. Dokumentimi i kësaj vepre kriminale nuk është i lehtë, siç mund të pretendon dikush. Ky krim kërkon verifikim, që në një mënyrë apo në një tjetër prek serish plagët e viktimës.

Rrëfimet autentike të vajzave apo nënave të çnjerëzuara në luftën e fundit në Kosovë, janë dëshmi konkrete të përdhunimit për më shumë se njëqind vjet. Një shekull ikje nga përdhunimi nuk kanë mjaftuar për t’iu shmangur kësaj barbarie të pushtuesit serb që këtë strategji e përdorën gjatë pushtimit të trojeve shqiptare. Kleri ortodoks serb ka bekuar paraprakisht çnjerëzimin, duke njohur mirë karakterin e popullit shqiptar.

Jo pak herë, në shenjë hakmarrjeje, është përdhunuar krejt dikush tjetër, pasi përdhunuesit në të shumtën e herëve nuk janë identifikuar. Prekja e kësaj teme, në çfarëdo forme, qoftë me qëllimin më të mirë, më së shumti gërvishtë plagët e viktimave.

Edhe pas gjithë atyre krimeve e barbarive serbe në luftën e fundit, në mesin e njerëzve tanë, serish nxorën kokën edhe dukuritë e këqija, të trashëguara me shekuj. Inatet mes nesh shkojnë aq larg dhe ato faktohen deri në masën e ndarjes nga trungu etnik. Inatet shekullore ndaj njëri-tjetrit sollën madje edhe ndarjen nga elementi themelor i identifikimit kombëtar – gjuha amtare.

Ndarjet fisnore gjallërojnë fort akoma.

Inatet kanë mbetur të thella gati si në Mesjetë.

Hakmarrje të frikshme.

Vëllavrasje pa pajtim …

Në trend

Më shumë
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”

Botë
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town

Premier League
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Cana thyen heshtjen dhe flet për përballjen Rumani - Kosovë: Dardanët nuk e kanë vendin në Ligën C

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori