LAJMI I FUNDIT:

Perspektivat e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Zhvillimi ekonomik, investimet e jashtme dhe ndërtimi i infrastrukturës janë shtyllat e ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës. Ajo që mungon më së shumti është një strategji e mirëfilltë e shtrirjes, zhvillimit dhe gjetja e përparësive të ekonomisë. Cilat janë degët ekonomike që duhet të zhvillohen? Cilat janë mallrat që mund të prodhojë shteti i ri?

Sa do të ketë sukses t’i plasojë këto mallra jashtë vendit në një konkurrencë aq të fortë të Perëndimit të zhvilluar dhe të konsumatorit të llastuar perëndimor? Si do të depërtojnë mallrat e Kosovës në BE: përmes ndërmjetësve-tregtarëve apo duhet të presë pranimin në Bashkimin Evropian, që është fati i shtetit të ri, sepse po nuk u pranua, do të jetë shtet i izoluar dhe i humbur? Janë edhe një varg i pyetjeve të cilat duhet t’ia shtrojnë dhe duhet të bëjnë politikat ekonomike institucionet e Kosovës, zyrtare dhe jozyrtare, institutet e ndryshme dhe firmat e fuqishme.

Është vështirë të kapet hapi me kohën dhe të krijohet shprehia për prodhimin e mallrave cilësore pas një periudhe të gjatë të të jetuarit në mendësinë e një vendi ish-socialist, e ndrydhjes kolonialiste dhe pas daljes nga një luftë rrënuese. A do të përqendrohet ekonomia e Kosovës në të ardhmen e afërt në prodhimin e mallrave të cilësisë më të dobët e të çmimeve të kapshme për konsumatorët e shtresës së varfër dhe asaj të mesme (përvoja kineze) apo do të përpiqet të konkurrojë me cilësinë e standardizuar? A do të arrijë shteti i ri dhe i pavarur të bëhet vend ku mund të hapen filialet e fabrikave të njohura apo të bizneseve po aq me zë, duke pasur parasysh afrinë që e kemi me Perëndimin, vetëm disa qindra kilometra vijë ajrore. Edhe afria tokësore e detare është përparësi e madhe, ndërsa fuqia e lirë punëtore, mjaft e specializuar, mund të jetë shumë joshëse për investuesit italianë e gjermanë, bie fjala.


Struktura e re e popullatës me një përgatitje të mirë arsimore e profesionale është përparësi e mirë, krahas pasurive të shumta nëntokësore dhe rrjetit të mirë të rrugëve që mund të bëhet shumë shpejt me jo shumë investime, meqë Kosova është rrafshinë dhe nuk ka nevojë për tunele që kërkojnë investime të mëdha.
Lidhja me rrugën Qafë-Morinë – Durrës është një mundësi e madhe, e cila ende nuk është shfrytëzuar, por që hap perspektiva të mëdha për ekonominë e Kosovës, por edhe për ekonominë shqiptare. Kosova mund të bëhet qendër tranzicioni në mes të Perëndimit dhe të Lindjes dhe kjo pozitë strategjike për herë të parë mund të shfrytëzohet për të mirë të shtetit, sepse në të kaluarën vetëm fatkeqësi i solli popullatës të qenit urë në mes të Lindjes dhe të Perëndimit.

Kosova doli nga lufta me një ekonomi të rrënuar, fond bujqësor të plaçkitur e të paktë dhe me ekonomi shtëpiake në pjesën më të madhe të përgjysmuar. Faza e parë e emergjencës dhe faza e dytë e rindërtimit në pjesën më të madhe është kaluar, kështu që pason faza e tretë e zhvillimit. Biznesi privat u përqendrua në ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme të cilat në fillimin e punës së vet patën bilance të lakmueshme. Për emergjencë dhe për zhvillimin e ekonomisë Kosova mori ndihma materiale dhe teknike nga disa organizata ndërkombëtare. Në fillim nga Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), pastaj nga Banka Botërore, USAID, Agjencia Evropiane për Rindërtim, tash Komisioni Evropian, ndërsa ndihmë të konsiderueshme me pjesëmarrje në projekte dhanë UNDP, GTZ e Gjermanisë, SIDA e Suedisë, SIDA e Kanadasë, qeveria e Luksemburgut, qeveria e Norvegjisë etj.

Në fazën e tashme, pra në fazën e tretë mendohet të bëhen përgatitjet apo përshtatjet e legjislacionit me standardet evropiane dhe plotësimit të tyre para hyrjes në BE. Kryesisht mëtohen investime të drejtpërdrejta kapitale në ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të bujqësisë, duke përfshirë të gjitha degët, pemëtari, perimtari, blegtori, sektorin qumështor, mishit etj.

Bashkimi Evropian – donatori më i madh në Kosovë

Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian janë duke luajtur rol të rëndësishëm në Kosovë. BE-ja është donatori më i madh i shtetit të ri. Agjencia Evropiane për Rindërtim menaxhoi fondin prej 1.1 miliardë eurosh në projekte dhe në programe të ndryshme. Në raportin e kësaj agjencie thuhet se në qershor të vitit 2006, Agjencia ka kontraktuar rreth 1 miliard euro të donacioneve të BE-së për Kosovën. Vetëm në vitin 2005, Agjencia ka menaxhuar 77 milionë euro të fondeve të asistencës së Komisionit Evropian për Kosovën. AER-i fillimisht përqendroi asistencën e tij në rehabilitimin dhe riparimin e infrastrukturës kyç dhe të shërbimeve publike. Ai u përqendrua në energjetikë (KEK-u mori investimet më të mëdha), strehim, transport dhe furnizimin me ujë. U mbështet zhvillimi i ndërmarrjeve, bujqësia, shëndetësia dhe ndërtimi i institucioneve.

Ndërkaq, në planin ndërkombëtar Kosova pati edhe disa depërtime shpresëdhënëse në fondet e fuqishme. Kosova u bë anëtare me të drejta të plota në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, në qershor të vitit 2009. Kosova merr pjesë në Procesin e Stabilizimit dhe të Asocimit. Në shkurt të vitit 2009 Parlamenti Evropian nxori një rezolutë, përmes së cilës shprehu përkushtimin e BE-së për të luajtur rol udhëheqës në sigurimin e stabilitetit të Kosovës, të Ballkanit Perëndimor si tërësi dhe ritheksoi gatishmërinë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe politik të Kosovës, duke i ofruar perspektivë të qartë për anëtarësim në BE. Sipas këtij raporti, Kosova vazhdon të përfitojë nga Instrumenti i Paraanëtarësimit (IPA), Asistenca Mikrofinanciare, Asistenca e Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilitet etj. Përafërsisht 500 milionë euro janë dhënë për Kosovën ndër vite përmes IPA-së.

Rritja reale e bruto prodhimit vjetor në vitin 2008 ka qenë 5.4% krahasuar me 5.0% sa ishte në vitin 2007. Në vitin 2007 dinamizmi i sektorit privat ishte burimi kryesor i zhvillimit ekonomik, aktivitetet ekonomike në vitin 2008 dhe gjysmën e parë të vitit 2009 janë udhëhequr në masë të madhe me rritjen e shpenzimeve të kapitalit publik Stabiliteti Makroekonomik. Sipas të dhënave të Entit Statistikor të Kosovës, që i referohet dokumenti i Brukselit në vitin 2008 eksportet e mallrave janë rritur për 20.2%, eksporti është bazuar në metale bazë dhe në produktet e metaleve bazë. Shënimet e të dhënave që janë publikuar kohë pas kohe tregojnë se papunësia e regjistruar në vitin 2009 është 45%. Shifrat gjithherë merren me rezerva nga ekspertët, sepse një pjesë e atyre të cilët paraqiten të papunë janë të punësuar në ekonominë e vogël të katundit, dyqanet e vogla në qytet apo në biznese të tjera, pra në ekonomi të vogla, ku një pjesë të punëtorëve punëdhënësit nuk i paraqesin. Po ashtu, një pjesë e atyre që mund të jenë të papunë nuk paraqiten në Entin e Punësimit, sepse nuk besojnë se do të gjejnë punë. Për kategorinë e tretë, kryesisht më të moshuarve janë të paraqitur në Entin e Punësimit, mirëpo këtë e bëjnë që të marrin ndihma sociale e jo që duan të punojnë apo që janë të aftë për punë.
Thuhet se rreth 30.000 të rinj çdo vit dalin në tregun e punës, pra që janë të aftë të punojnë, mirëpo në mungesë të një zhvillimi të duhur e harmonik shumë prej tyre e kërkojnë fatin jashtë vendit, në mënyrë ilegale apo me udhëtime turistike.

Sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar nga nëntori i vitit të kaluar GDP (bruto produkti vendës) i Kosovës prej 1.9 miliardë euro në vitin 2005 do të duhej të rritej nominalisht rreth 5%. Ndërkaq, në muajin maj të këtij viti FMN vlerëson GDP në lartësi prej 2.4 miliardë eurosh dhe e vlerëson ngadalësimin e rritjes në një shkallë prej 0,5, krahasuar me vitin 2004.

Kosova ka statusin preferencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të caktuar nga ish-presidenti Xhorxh Bush. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale me Republikën e Kosovës dhe në kuadër të zhvillimit të tyre në fushën ekonomike, i kanë njohur statusin e shtetit në radhën e vendeve nga të cilat mund të importohen mallra pa taksa doganore. Kjo është bërë publike në një letër që kur Bush u ka dërguar liderëve të të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe asaj të Senatit.

“Kosova duhet të jetë e përgatitur për një periudhë tepër të vështirë, duke punuar me ritmin e një gare të vërtetë, për t’u bërë pjesë e BE-së, para se Beogradi ta caktojë statusin e saj, në rast se pranohet në radhët e Bashkimit Evropian më parë”, – thotë për “Zërin e Amerikës”, Daniel Server, drejtor i Institutit Amerikan të Paqes.

Kur shfletohen të dhënat e agjencive të ndryshme, ato duken inkurajuese. Vetëm në periudhën 2001-2006 Kosova ka tërhequr investime në vlerë prej afro 650 milionë eurosh, kryesisht të hyra përmes procesit të privatizimit. Ndërkaq, vetëm gjatë vitit 2007 Kosova ka pasur një ngritje të të hyrave të drejtpërdrejta prej rreth 40% më shumë në krahasim me tërë periudhën 2001-1006.

Se zhvillimi ekonomik dhe shpejtimi i rregullimit të infrastrukturës ligjore e të gatishmërisë për investime ka rëndësi jetike, dëshmon edhe fjala e ish-emisarit amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk, në Kuvendin e Kosovës, më 9 shtator 2008. Kosova ka arritur të fitojë njohjen e vendeve më të fuqishme në botë dhe për këtë arsye sugjeroi Qeverinë dhe institucionet të përqendrohen më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kërkoj nga ju që të përqendroheni në gjendjen tuaj ekonomike. Ju jeni në një situatë shumë të ndjeshme ekonomike, të cenueshme dhe kundërshtarët tuaj presin që ju të dobësoheni ekonomikisht. Ata nuk do të mund t’ju prekin nga aspekti politik, sepse jeni një vend i pavarur, për herë të parë në historinë tuaj dhe kjo nuk kthehet mbrapa, nuk zhbëhet më. Mirëpo, ekonomia juaj është e brishtë”, – tha Hollbruk. Ambasadori Hollbruk veçoi burimet e mëdha natyrore të Kosovës, të cilat nuk janë të shfrytëzueshme, pastaj nevojën e krijimit të vendeve të punës, e forma të tjera të nxitjes ekonomike.

Ndërkaq, integrimi në Bashkimin Evropian ka rëndësi parësore për zhvillimin ekonomik. Situata në Kosovë shihet krejtësisht ndryshe, sepse popullata e këtushme, sipas shumë anketave, ishte më e gatshme dhe më e vullnetshme të inkuadrohet në Bashkimin Evropian sesa të gjitha ish-shtetet e Lindjes që u pranuan. Por ishte shteti më i rrënuar i rajonit dhe, sipas statistikave, shteti më i varfër. Mu për këtë arsye, qeveritarët e tashëm dhe biznesmenët e mirëfilltë, duhet të angazhohen me të gjitha forcat, në mënyrë që ta bëjnë të gatshëm terrenin për investime të jashtme. Për ta përgatitur terrenin, pra për ta bërë Kosovën interesante për kapitalistët e jashtëm, duhet që t’u ofrohen kushtet e fitimit, të mos ketë korrupsion, të mos këtë krim të organizuar dhe kaos.

Për ta penguar varfërinë, për t’iu shmangur tronditjeve sociale, të cilat sipas dinamikës së tashme të zhvillimit nuk janë të largëta, që mund të fillojnë pastaj në mënyrë zinxhirore, është mirë që të fusim kapitalin e jashtëm dhe kapitalin e njerëzve tanë të diasporës. Deri tash janë bërë përpjekje të vogla që të ofrohen kushte të mira për njerëzit e suksesshëm të biznesit në diasporë, ndërsa thuhet se ka mjaft njerëz të këtillë. Sipas të dhënave të viteve të nëntëdhjeta vetëm në Zvicër jetonin mbi 180 mijë shqiptarë të Kosovës, pjesa më e madhe e tyre me status të rregulluar.

Në Gjermani kur u takuan presidenti Ibrahim Rugova dhe ministri i Jashtëm gjerman Klaus Kinkel, më 1995, mediat gjermane shkruanin se në Gjermani jetojnë 400 mijë shqiptarë të Kosovës. Përgjithësisht në Perëndim supozohet se jetojnë gati një milion shqiptarë të Kosovës, të cilët me një politikë të shëndoshë të qeverisë së Kosovës dhe me një program enkas për ta, do të duhej ta gjenin vendin e tyre në vendlindje, ashtu sikurse kanë bërë spanjollët, apo portugezët pas bumit ekonomik të shteteve të tyre, kështu që u kthyen në vendlindje me kapital duke e ngjallur ekonominë e vogël dhe atë të mesme. Diaspora kroate e mbështeti ekonominë kroate dhe i dha një shtytje të fuqishme duke e bërë ndër më të fuqishmet në rajon pas rrënimeve të mëdha të luftës.

Në SHBA po ashtu ka shqiptarë – biznesmenë të suksesshëm, të cilët kanë bërë disa përçapje që të investojnë në Kosovë, mirëpo as për ata, as për të tjerët nga Evropa Perëndimore nuk u tha asnjëherë pse u zmbrapsën: për shkak të korrupsionit, ndonjë shantazhi qeveritar, të grupeve të presionit, reketit apo janë arsyet e tjera. Mbase janë të gjitha së bashku.

Edhe gjatë privatizimit të pasurisë së shtetit, në kohën e administrimit të UNMIK-ut, por edhe më vonë u tha se pasuria është shitur me një çmim ekonomikisht të paarsyeshëm, pra çmime të ulëta, ndërsa në treg jashtë tenderëve ato pasuri do të shiteshin dhjetë herë më shtrenjtë. Pati dyshime për këtë privatizim në mënyrën se si u bë, mirëpo ishte një nxitim që arsyetohej se bëhej për fillimin e investimeve të jashtme, që nuk doli ashtu siç pritej. Një pjesë e madhe e asaj pasurie u ble nga vendësit, të cilët duket se e shkrinë gjithë kapitalin në vlerën e asaj prone, mirëpo më vonë nuk patën mundësi të bëjnë investime shtesë, të angazhojnë fuqi të reja pune, kështu që shumë nga punëtoritë apo fabrikat nuk u aktivizuan, apo edhe ato që u aktivizuan u vunë në veprim me kapacitet të përgjysmuar. Një pjesë jo e vogël e kapitalit të investuar gjatë privatizimit mbeti kapital i vdekur, që pret të ngjallet. Me fjalë të tjera, një pjesë e atyre që i privatizuan pronat e shtetit presin investuesit e huaj që të nxjerrin atë që e dhanë me ndonjë fitim të mundshëm. Ndërsa shumë punëtorë mbetën në rrugë, sepse ekonomia e tregut i flaku nga puna. Sidomos kombinatet e mëdha industriale mbetën gati rrënoja, ndërsa pasuria e tyre u zhvlerësua deri në absurd.

Problemet sociale janë grumbulluar gjatë dhjetëvjetëshit të administrimit të UNMK-ut dhe pas ndërprerjes së ndihmave nga shoqatat të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, sepse solidariteti ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Papunësia vetëm sa po rritet, me rrezik të shpërthimit të pakontrolluar, nëse dalin në sipërfaqe forca që do të cytnin ose kanalizonin pakënaqësitë e punëtorëve të papunë, apo të atyre të cilët janë më të ardhura të vogla me të cilat nuk i mbulojnë shpenzimet e jetës.

Një qeveri funksionale me të gjithë mekanizmat, është më se e domosdoshme sesa një qeveri zjarrfikëse që do të merrej me shuarjen e trazirave sociale dhe të pakënaqësive të profesioneve të caktuara, sepse qysh tash pati demonstrime të punëtorëve shëndetësorë, pati manifestime të policëve, paralajmërime të pakënaqësisë së arsimtarëve me rrogat e ulëta, janë në kanalizim e sipër edhe strukturat e tjera sociale, kurse ajo që është më shqetësuese është armata e të papunëve, që llogaritet të jetë diku rreth 50 për qind e popullatës së aftë për punë.

Pa ekonomi nuk ka shtet

Puna e parë pas luftës së fortë diplomatike është përpjekja e madhe për t’i bindur donatorët e fuqishëm botërorë për investime kapitale, për kapital të freskët, për ndërtimin e fabrikave të ndryshme dhe për investime të tjera. Kosova është shteti më i varfër në rajon. Por me një menaxhim të mirë të burimeve natyrore dhe të ofertave speciale mund të ndërtohet një ekonomi e shëndoshë dhe mund të zbutet papunësia e cila tash është në shkallë shqetësuese.

Për t’i bindur të tjerët, në rend të parë administrata e tashme duhet të krijojë rregull e siguri. E dyta, duhet ta luftojnë me të gjitha mënyrat krimin e organizuar, që do të jetë vështirë me shkallën e tashmë të korrupsionit në administratën shtetërore. Ndërkaq, me ekonominë e reketit, si bazë e tërë “ekonomisë së Kosovës”, askush nuk do të investojë, nëse nuk ndryshohet gjendja. E treta, duhet të luftohet korrupsioni në administratën shtetërore që është në shkallë alarmante dhe që do ta pengojë çdo depërtim të investimeve të huaja, sepse asnjë kapitalist nuk dëshiron të rrezikojë të investojë, duke dhënë së pari para nën dorë, kur e di se nesër qeveritari tjetër që do të vijë, do të kërkojë “hisen e vet”, ashtu sikurse pararendësi. E katërta, duhet të krijohet një administratë (të cilën nuk e kemi) e shpejtë, efikase, e ndershme dhe institucionalisht e vetëdijshme se po i vonoi procedurat administrative në dhënien e koncesioneve, në rregullimin e infrastrukturës së nevojshme për investime kapitale, e vonon Kosovën dhe shqiptarët si komb për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe për t’u inkuadruar edhe në institucionet e tjera ndërkombëtare shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit tonë të ri.

Institucionet e Kosovës nuk kanë projekte kapitale, nuk kanë program ekonomik kombëtar dhe nuk kanë ide e vizione se si duhet të bëhet kjo. Por dikush duhet t’u ndihmojë dhe t’u bëjë presion që t’i bëjnë. Natyrisht këtë nuk mund ta bëjnë ekspertët e rastit e të çastit, por ekipe të tëra.

Raportet e ndryshme flasin për burimet të naftës, thëngjillit, xehe të llojllojshme, ndërsa kanë bërë vërejtje se shteti nuk ka plane strategjike për hulumtimin dhe shfrytëzimin e këtyre burimeve energjetike.

Njohës të çështjeve ekonomike dhe hulumtues nga shoqëria civile numërojnë një varg faktorësh se pse Kosova radhitet ndër vendet me shkallën më të ulët në rajon për thithjen e investimeve të huaja. Ndër shkaktarët përmendet shkalla e lartë e korrupsionit, por edhe mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike dhe infrastruktura e dobët rrugore. Korrupsioni në Kosovë i frikëson investuesit e huaj, ndërsa ndër ngurrimet e të huajve që të mos investojnë apo të presin zhvillimin e gjërave është edhe mosfunksionimi i ligjit. Kur flitet për sundimin e ligjit, kjo automatikisht ndërlidhet me funksionimin e gjykatave, thonë ekspertët. Në këtë pikë, Kosova është kritikuar ashpër nga Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën, ku sistemi i drejtësisë, ka marrë notën më të ulët.

Në trend

Më shumë
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Gjendet i vdekur personi që ishte raportuar i zhdukur në Ferizaj, arrestohet një i dyshuar për vrasjen e tij

Kronika e Zezë
Xhuli: Thuaj edhe një herë atë që i the Gjestit, nga Kosova nuk do të të lëmë të gjallë

Xhuli: Thuaj edhe një herë atë që i the Gjestit, nga Kosova nuk do të të lëmë të gjallë

Magazina
Moment i sikletshëm në BBVA: Teksa Gerta po iu kërkonte falje familjarëve të Gjestit, regjia dëgjohet duke dhënë instruksione për banorët në shtëpi

Moment i sikletshëm në BBVA: Teksa Gerta po iu kërkonte falje familjarëve të Gjestit, regjia dëgjohet duke dhënë instruksione për banorët në shtëpi

Magazina
Zelensky tregon numrin e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur ukrainas

Zelensky tregon numrin e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur ukrainas

Evropa
Reagojnë të afërmit e Gjestit përmes Instagramit: Ai është gjak shqiptari

Reagojnë të afërmit e Gjestit përmes Instagramit: Ai është gjak shqiptari

Magazina
Kalo në kategori