LAJMI I FUNDIT:

Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit shpërqendron vëmendjen

Përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit shpërqendron vëmendjen

Krahas zhvillimeve së teknologjisë, mjeteve të ndryshme që tashmë për shumë aspekte na e lehtësojnë jetën, por edhe për shumë aspekte del se na e vështirësojnë, ngarkojnë, komplikojnë, e me raste edhe na shpijnë më afër rreziqeve çoftë atyre organike, psikologjike dhe fizike


Lule Alidema,
Psikologe klinike

Krahas rrethanave, sa më shumë zhvillime apo arritje, aq më tepër njeriu po ngarkohet nga aspekti psikologjik, mbase çoftë me vetëdije apo pa vetëdije ai e absorbon atë çka i ofrohet, mundohet të e përvetësojë, posedojë dhe të eksploron me ato.

Kësisoj, te njeriu po krijohet jeta dinamike dhe, çdo ditë e tutje sikur po pason një mungesë kohe te secili prej nesh, dmth., po zvogëlohet hapësira që njeriu t’i jap vetes, sikur mundohet ta kapë çdo mundësi që i ofrohet.

Nga kjo dinamikë jete, njeriu po përpiqet që brenda një intervali të caktuar kohe ta ndajë veten në shumë aktivitete njëkohësisht, gjë që dyshoj se është e gabueshme, e dëmshme dhe mund të jetë dhe me pasoja.

Në situata të tilla, njeriu po e mbingarkon veten deri në tejkalimin e natyralitetit konstruktiv mendor e fizik të tij.

Secila mbingarkesë që kalon limitet e konstruktit normal paraqet rrezik të formave të ndryshme shëndetësore, atëherë duhet ndalur veten për korrigjim.

Ne mendojmë se mundemi, por në realitet nuk mundemi, jo gjithçka që me mendje e bëjmë, mund ta bëjmë dhe në vepër.

Mbingarkesa apo shpërndarja e tillë për pasojë nuk do sjellë as efektivitetin e duhur të asaj pune apo aktiviteti sido që të jetë. Madje, mendja jonë, me po këto zhvillime, na bindë se tashmë jemi bërë më të shkathët, më superior, mendojmë se mund të bëjmë diçka edhe përtej natyrës njerëzore që na lejon.

Ndonëse normale, zhvillimet në kohë, njeriut i mundësojnë dhe e nxisin të jetë më mendjehapur, më i ditur sepse është vet njeriu që e sjelli këtë zhvillim, por kapacitetin e aftësisë që njeriu ka natyrshëm, nuk mund ta ndryshojë asnjë arritje.

Natyra është dhe mbetet natyrë!

Njeriu e ka të kufizuar mundësinë e aftësive për secilin aspekt, dmth çka mundet, deri sa mundet, kur mundet…!

P.sh., sado zhvillime të bëhen, njeriu gjithmonë ka mundësinë të bartë objektin me peshë (supozojmë njëqind kilogramësh); sado zhvillime të bëhen, asnjëherë njeriu nuk mund ta ndryshojë aftësinë e caktuar natyrshëm për të; asnjëherë njeriu nuk ka aftësinë që peshën njëqind kilogramësh ta shndërrojë në njëmijë.

Pra, njeriu e ka të kufizuar aftësinë e perceptimeve dhe ndijimeve.

Është kufiri se si e sa njeriu mund të shoh larg, afër, dëgjoj, bartë, pranon, pajton, zhvillon aktivitete etj.
Andaj, dhe aftësinë e pranimit të informacioneve e ka të kufizuar, jo çdo gjë që sillet rreth njeriut e ka aftësinë ta dallojë dhe ta pranojë.

Njeriu ka aftësinë që brenda një momenti të zhvillojë apo dallojë deri dy, eventualisht me vështirësi tri aktivitete që sillen rreth tij, dmth., përtej këtyre dy-tri aktiviteteve informacionet tjera mbesin jashtë vetëdijes apo vëmendjes.

Ambienti ku ne gjendemi në çdo sekondë pëson ndryshime, por njeriu nuk e ka aftësinë t’i dallojë ato ndryshime.Ai dallon vetëm dy deri në tri ndryshime dhe atë të dytin dhe tretin atëherë kur e përqendron vëmendjen apo atëherë kur i jep qëllim vetes.

Aktivitetet e dyta apo të treta pengojnë përveç aktivitetin e parë që nuk lejon vëmendjen të jetë e përqendruar, shkakton tension te personi, nuk jep rezultate të kënaqshme por edhe mund të jetë e rrezikshme.

P.sh., ndërsa ngasim automjetin përqendrimi ynë është tek drejtimi automjetit, dmth., përqendrimi i vëmendjes tonë është në ngasje, ndërkohë neve na bie telefoni, ne do të mund flasim me zë me telefon mirëpo në këtë rast dobësohet aftësia e vëmendjes për drejtimin e automjetit!

Këto dy aktivitete njëkohësisht ku duhet vëmendja të përçohet në dy aktivitete sigurisht se do të janë pengesë në ngasjen e automjetit. Kështu, mund të gabohet destinacioni i planifikuar, ndodhin gabimet në rrugët, vështirësohet apo nuk shihen fare shenjat e komunikacionit, pengesat gjatë rrugës, pamundësohet dëgjimi i sirenave nga jashtë, madje, mund të ndeshet me situata më fatale.

Vëmendja shpërqendrohet, aq më tepër kur ngasësi i automjetit praktikon të shkruarit e mesazheve, kur bënë kalkulime; kur manipulon me telefon. Dhe, më tepër e rrezikshme është atëherë kur ngasësi njëkohësisht drejton automjetin, flet në telefon me zë dhe njëkohësisht i kërkohet të bëj llogaritje me numra, dmth tri aktivitete.

Në të tilla raste, drejtuesi ballafaqohet njëkohësisht me tri aktivitete, me të shikuar, të folur dhe me numra (numrat llogariten në këtë rast aktivitet i kundërt me të folurit, shkruarit dhe shikuarit).

Dihet se llogaritja apo kalkulimi me numra kërkon më tepër përqendrim, prandaj konsiderohet aktivitet më i komplikuar dhe ndryshe nga biseda me zë, andaj assesi nuk duhet të praktikohet gjatë ngasjes së automjetit.

Këshilla ime: Mundohuni të kurseni veten duke mos e shpërndarë vëmendjen në shumë aktivitete njëkohësisht, sidomos aty ku rrezikohet jeta (gjatë ngasjes së automjetit).

Shpërndarja e vëmendjes shkakton tension të brendshëm psikologjik, pavarësisht se ju mund të mos e hetoni, nxitë stresin, disbalancon sistemin endokrin, rrit tensionin e gjakut, ritmin e pulsit të zemrës etj.

Asnjë punë nuk është më e rëndësishme se vet ju, andaj jeni të vëmendshëm për veten tuaj!
Mos harroni: “VETEN NË QENDËR”

(Ndalohet kopjimi i tekstit/shkrimit pa lejen e autores)

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Arsyet e mundshme pse ju plasariten buzët dhe si t’ia bëni që të mos ju ndodhë më!

Shëndetësi
Kalo në kategori