LAJMI I FUNDIT:

Për ëndrrat, dashurinë dhe vetëm një sot

Për ëndrrat, dashurinë dhe vetëm një sot

E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mund të jenë në të njëjtën kohë, por secili duhet ta kap momentin e shansin, sot…

A ishte më mirë dikur a sot? Kjo është dilema që prek secilin person të pjekur, që ka përjetuar transformime të shumta shoqërore dhe artistike. Kjo dilemë mund të jetë evidente sidomos në atë që njihet si konflikt i brezave, apo hendeku i gjeneratave që si koncept sociologjik shfaqet nga vitet ’60 të shekullit të kaluar. Sepse, i riu jeton në të njëjtën kohë me të moshuarin, por jo me botëkuptime të njëjta. I vjetri mund të jetojë më shumë në të kaluarën, sepse siç thonë: atë askush s’e do, ndaj e kaluara mund të jetë streha e tij e ngushëllimit. I riu jeton në të tashmen, sepse prapë, siç thonë: me rini arrihet gjithçka! Për të parin jeta nis të mbarojë, për të dytin jeta fillon.

Por, a ka vdekur e kaluara?


“E kaluara nuk ka vdekur kurrë”, është një thënie e shkrimtarit të famshëm amerikan, William Faulkner (1897- 1962), nga vepra e tij “Requiem for a Nun” (Rekuiemi për një murgeshë). Atë e përdori senatori Barack Obama më 2008, gjatë një fjalimi në kampanjën e tij për president të SHBA-ve, ku kundërshtoi privilegjet e të bardhëve dhe tensionet raciste. Sepse, pasojat e së kaluarës njerëzit i vuajnë edhe sot. Ndaj, e kaluara “madje nuk është e kaluar”, vazhdon më tej thënia e Faulkner-it.

E kaluara, e tashmja, e ardhmja…

Obama u lind një vit para se Faulkner-i të vdiste. Ata nuk janë takuar dhe kurrë nuk do të takohen. Sepse, u takojnë dy botëve të ndryshme. Por, atë mund ta takojë Gil Pender!

A është e mundur kjo?

Për shkrimtarin Alan Moore, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja ndodhin në të njëjtën kohë. Të njëjtën e ka menduar edhe Albert Einstein. Kur i vdiq një mik, Einstein tha: “Besso është larguar tani, pak para meje nga kjo botë e çuditshme. Kjo nuk do të thotë asgjë. Njerëzit si ne, të cilët besojnë në fizikë, e dinë se dallimi në mes të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes është vetëm një iluzion i vazhdueshëm kryeneç”.

Këto “barriera” kohore i tejkaloi Gil Pender, heroi i filmit “Midnight in Paris” (Mesnata në Paris), me skenar dhe regji të një prej emrave më të mëdhenj në historinë e kinematografisë, Woody Allen.

Gil është skenarist i suksesshëm i Hollywood-it, por ndjen se nuk është i përmbushur artistikisht. Mbi të gjitha, ai njihet si “Hollywood Hack”- pezhorativ për ata që shkruajnë si me porosi, skenarë të lodhtë e që i ha pazari. Ndaj, dëshiron të njihet si shkrimtar, ta përmbush veten e ta shlyejë njollën që e mundon. Paratë i ka, por çfarë vlere kanë ato apo respekti i turmave që punën e tij e shohin vetëm si formë zbavitjeje?

Gil jeton në kohën kur çmimi e cakton vlerën, e pastaj edhe masa injorante. Ai e di se artistët nuk janë pjesë e këtij trendi, sidomos jo ata që dikur i bashkonte Parisi – qyteti i dritave; qyteti ku shkoi muzikanti i tij i preferuar, Cole Albert Porter – trashëgimtari i pasurisë më të madhe në Indiana të SHBA-ve – për të ndjekur ëndrrën e tij për art, për t’u bërë kompozitor. Në Paris, Porter e këndoi këngën “Let’s Do It, Let’s Fall in Love” (Le ta bëjmë, le të biem në dashuri). Sepse, artistin paraja nuk e përmbush, nëse ëndrra – dashuria – nuk realizohet.

Asgjë nuk është si dikur?!

Parisi është qytet i shpirtit që Gil-i mundohet ta zbulojë e që nuk e gjen në kohën e tij dhe në vendlindjen e tij materialiste. Ndaj, tema e romanit që e shkruan, e që shpreson se do ta bëjë të njihet si shkrimtar, është një dyqan i nostalgjisë (Memorabilia): aty ku shiten gjërat e vjetra, gjëra që mund të ngjallin kujtime për kohët që nuk janë më, e që shpërfaqin një udhëtim virtual tek e kaluara.

Por, “a ke menduar ndonjëherë se si nostalgjia nuk është ajo që ka qenë dikur”, ka thënë novelisti britanik, Jasper Fforde, që ngjan me thënien që para tij, më 1959, e kishte shkruar në novelën “The Tents of Wickedness” (Çadrat e të pabesëve), shkrimtari amerikan Peter De Vries. Sepse, bota nuk është kurrë e njëjtë. Teknologjia i zvogëloi distancat në aspektin kohor, por njerëzit i bëri të jenë më larg njëri-tjetrit. Ndaj, ideja e Gil-it mund të shihet si mision i pamundur për të thyer hendekun e gjeneratave, për t’i bërë njerëzit të mendojnë për vlerat që po harrohen – përmes gjësendeve që bartin një histori, e me të cilat lidheshin fatet e dikurshme të njerëzve. Me idenë e tij të romanit, ai dëshiron të kthejë kohën prapa, por pa e ditur se papritmas vet do të bëhet pjesë e një historie të shkuar.

Udhëtimin artistik në të kaluarën, nuk është hera e parë që e bën imagjinata e Woody Allen-it. Tek tregimi i tij “The Kugelmass Episode”, profesori Kugelmass, një burrë në mesomoshë, që nuk është i lumtur me martesën e tij të dytë, kthehet në të kaluarën dhe krijon një aferë me personazhin Emma Bovery – nga vepra “Madame Bovary” e Gustave Flaubert-it. Pra, një personazh që mund të jetë real, që ballafaqohet me problemet e ditëve të sotme, krijon raporte me një personazh fiktiv nga e kaluara. Ndërsa, tek “Mesnata në Paris”, një skenarist kthehet në të kaluarën dhe krijon raporte shoqërore me personazhe reale të së kaluarës.

Jetoj, pra ëndërroj…!

Por, çka është reale e çka fiktive?

Picasso thotë se “çdo gjë që mund të imagjinohet është reale”. Ndaj, Allen imagjinon të vërtetën e mundshme, duke parodizuar dhe duke goditur jetën moderne. Sepse, shpirtin po e tretin dinamika e jetës dhe teknologjitë moderne – qoftë televizioni apo sot interneti – në atë që e kishte parashikuar Papa Pali i VI-të (1897-1978), kur thoshte: “Shoqëria teknologjike ia ka dalë të shumëfishojë mundësitë për kënaqësi, por e ka të vështirë të krijojë gëzime”.

Allen është i guximshëm, sepse ëndërron, një veçori që sot po humb kuptim nga realitetet e imponuara të mediave. I tillë është edhe personazhi Gil, që është si një projektim i vetes së tij, një burrë që merr guximin ta sfidojë veten e ta shkruajë një roman që ndërlidhet me kujtimet, me kohët që shmangin realitetet e sotme.

Kështu, për të gjetur frymëzim për romanin e tij, Gil viziton Parisin. Qëllimi i tij ishte ta hulumtojë të kaluarën artistike të këtij qyteti. Sikur tek vepra e sipërpërmendur e De Vries, ku personazhi kryesor Charles (Chick) Swallow gjen jehona të novelave të famshme tek çdo situatë, Gil ato kërkon t’i gjejë madje edhe tek një restorant, ku dikur James Joyce kishte ngrënë salsiçe dhe lakra turshi.

Por, kush mund ta kuptojë artistin dhe nevojat e tij shpirtërore? Pakkush! Për fat të keq, atë më së paku e kupton fejuara e tij Inez, me botëkuptime tjera për jetën, e me të cilën ai do ta ndajë jetën – me martesë, në një si kontratë që kufizon lirinë e tij për të ndjekur ëndrrat.

Gil megjithatë imagjinon, sidomos Parisin e viteve ’20-ta të shekullit të kaluar, kur ky qytet ishte epiqendra botërore e artit. Ai i paramendon artistët e mëdhenj tek ecin në shi. “Por, ç’ka të bukur që të lagesh?”, është pyetja e të fejuarës së tij, që nuk mundet ta paramendojë jetën jashtë SHBA-ve, e aq më pak në një ambient “irritues” me të cilin burri i saj i ardhshëm e identifikon idealin artistik!

“Përndritja”…

Ky është realiteti i sotëm, një botë ku ëndrra është budallallëk. E, viktimë e këtij perceptimi është Gil, që qëndron mirë materialisht, që ka mundësi të ketë një suitë në hotelet luksoze të Parisit, e të jetë i kërkuar nga industria më e madhe e më e fuqishme në botë e filmit – Hollywood. Të tillë e do e fejuara e tij: një burrë që përmbush kërkesat e saj për shoping e dëfrime çasti. Jetë të tillë shumëkush e lakmon, por jo edhe një njeri me shpirt artisti.

“Mesnata në Paris” nuk i takon një zhanri specifik filmi. Aty ka romancë, komedi, dramë dhe fantazi. Mbi të gjitha, është një film i thellë filozofik i ballafaqimit të dy botëve: të sotmes dhe të kaluarës, vlerës dhe antivlerës, materiales dhe ideales. Sepse Gil jeton në kohë të mallkuara ku dëfrimi, demagogjia e pedanteria false janë vlera. Është kjo një kohë kur madje edhe në Universitetin e Sorbonës ftohen mediokrët të ligjërojnë (personazhi Paul Bates, që me “pedanteri” i sillet rrotull gruas së tij e që pa ndjesi artisti komenton për vlerat botërore të artit). Kështu, Gil kërkon një azil mental, në një kohë që e koncepton si më të mirën për krijuesit – Parisin e viteve ’20 të shekullit të kaluar.

I lodhur nga imponimet, vizitat rutinore që i bëhen Parisit, në një rrugicë, atëherë kur kambanat kumbojnë për mesnatën, papritmas e përjeton “përndritjen”: udhëtimin në kohë. Tash e tutje do të bëjë jetë të dyfishtë: ditën në të tashmen, e natën në të kaluarën që do të ndryshojë edhe të ardhmen e tij.

Gil pra “jeton në dy botë”. Për surrealistët e pavdekshëm si Salvador Dali, Luis Bunuel dhe Tom Cordier (Man Ray) këtu nuk ka “asgjë të çuditshme”. Por, këtë nuk e kupton Inez, që është edhe një si pasqyrë e botëkuptimeve shterpe të kohëve moderne.

Në këtë udhëtim që fillon në mesnatë, ai takon idhujt e tij dhe simbolet e një epoke të shkuar: Cole Porter, Zelda Fitzgerald, F. Scott Fitzgerald, Ernest Hemingway, Gertrude Stein, Pablo Picasso, Djuna Barnes, T. S. Eliot, Henri Matisse… Madje, Gertrude Stein, njëjtë siç i kishte lexuar dorëshkrimet e Hemingway-t, pranon t’ia lexojë Gil-it idenë e hedhur në letër për romanin të tij. Bunuel-it ai ia jep idenë për filmin e tij të vitit 1962, “The Exterminating Angel”, ndërsa vet shndërrohet në personazh të një libri të kujtimeve të muzës së artistëve të asaj kohe: Adriana!

Në kërkim të jetës… sot!

A është e mundur kjo?

Cilado përgjigje është e saktë. Ajo madje as nuk ka rëndësi, përderisa në art gjithçka është e mundur. Gjithçka mund të jetë një iluzion, por as kjo nuk ka rëndësi përderisa Gil e njohu Adriana-n (personazhin e vetëm fiktiv të së kaluarës), femrën që kishte frymëzuar Modigliani-n, e më vonë Hemingway-n dhe Picasso-n. Adriana e pëlqeu dorëshkrimin e tij, sepse edhe ajo jetonte në nostalgji, në Belle Epoque (1871-1914) – Epokën e Bukur kur krijonte vepra të mëdha Auguste Rodin-i që ishte ligjërisht i martuar me Rose Beuret-in e shpirtërisht i lidhur me modelen e tij, skulptoren Camille Claude.

Por, “a është e mundur të duash dy gra në të njëjtën kohë?”, është dilema që shqetëson Gil-in, në trekëndëshin mes dy femra të ndryshme, në kohë të ndryshme.

“Po, i donte të dyja, po në mënyra të ndryshme”, ishte përgjigja që merr nga ciceronia e një muzeu.

Kjo është e mundur në Parisin e artit, por e njëjta nuk vlen për Amerikën e vitit 2010! E aq më shumë për një njeri që jeton në dy kohë, në dy epoka, e ku në secilën dikush do të thotë: dikur ishte më mirë! Për Gil-in koha ideale ishte ajo e modernizmit të viteve ’20 të shekullit të kaluar; për Adriana-n ishte Belle Epoque; e për artistët si Henri de Toulouse-Lautrec, Paul Gauguin dhe Edgar Degas, ishte Renesanca.

“Je ajo çfarë ha”, ka thënë gastronomi francez, Jean Anthelme Brillat-Savarin. Kjo thënie është interpretuar në shumë kontekste. Në kontekstin e mediave është thënë se njeriu është ai çfarë lexon apo sheh. Por, njeriu është edhe ai çfarë ëndërron.

Gil ëndërron të bukurën dhe atë e gjen tek Adriana, e në kohë të sotme tek Gabrielle që shet gjëra antike nga “Gjenerata e Humbur” e kohës pas Luftës së Parë Botërore – një term ky i krijuar krijoi Gertrude Stein, pjesë e së cilës ishin të gjithë emrat e sipërpërmendur që i mblidhte Parisi në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Ndërkaq, detektivi që ndjek Gil-in në mesnatë, që ngatërrohet për të holla në intimitetin dhe ëndrrat e tij, papritmas e gjen veten në Versajën mizore të Luigjit të XVI-të, koka e të cilit pritet në gijotinë gjatë Revolucionin Francez. Sepse, njeriu gjen atë që kërkon, një thënie kjo shqiptare e që ndërlidhet edhe me konceptet psikologjike të projektimit.

Por, çka është nostalgjia në këtë udhëtim kohor?

“Nostalgjia është mohim. Mohim i së tashmes së dhimbshme”, është fjala që thotë ligjëruesi “pedant” i Sorbonës, e që ia zë të fejuarën para syve. Këtë tradhti e vërejti Hemingway, kur e lexoi dorëshkrimin e Gil-it e që e bëri këtë të kuptojë “mohimin”.

Në rastin e Gil-it, udhëtimi në kohë e bëri ta njoh jetën, veten dhe kuptimin e dashurisë. Sepse, dashuria është e përjetshme e nuk njeh kohë. Projeksionin e tij për dashurinë ai e gjen tek Gabrielle e “dyqanit të nostalgjisë”, nga e cila e bleu diskun e Porter-it me këngën “Let’s Do It, Let’s Fall in Love”. Gabrielle pëlqen ecjen në shi. Pra, e sotmja mund të jetë e mirë, njëjtë si e kaluara. Por, duhet të jesh ëndërrimtar ta shohësh atë në çdo çast të jetës.

Sepse, “janë 364 të nesërme në vit, e vetëm një sot”, do të thoshte veprimtari Riza Lluka, në këshillat që ua jepte të rinjve. Ndërsa, “shikoje të nesërmen sot, bëje të nesërmen sot”, ka thënë Peter Gabriel në një këngë të tij. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mund të jenë në të njëjtën kohë, por secili duhet ta kap momentin e shansin, si një Forrest Gump.

Jeta është përgatitje për të ardhmen. Gil e gjeti atë duke e jetuar të sotmen! Si ëndërrimtar e si shkrimtar. Misioni u përmbush – sot! Mesnata tash i takon së nesërmes.

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Sylvinho drejt largimit nga Shqipëria, mësohet skuadra që pritet ta drejtojë

Kombëtarja e Shqipërisë
Kalo në kategori