LAJMI I FUNDIT:

Pekini ngel në provimin e ndotjes

Pekini ngel në provimin e ndotjes

Vetëm një muaj para fillimit të lojërave olimpike në Pekin, kryeqyteti kinez po dështon në uljen e nivelit të ndotjes me qëllim të uljes së tij në standarde të pranueshme ndërkombëtare, informon BBC.

Kur në vitin 2001, qyteti i Pekinit ka prezantuar ofertën për organizimin e lojërave Olimpike, është dhënë premtimi se do ta ulin ndotjen në nivelet e pranueshme për standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekipi i BBC-së e ka kryer një test për praninë e grimcave të padukshme të njohura si PM10 në ajrin e Pekinit. Ajri i kryeqytetit kinez sipas rezultateve të këtij testi në 6 nga 7 ditë ka dështuar të tregojë nivelin e pranueshëm për praninë e grimcave PM10.

Këto grimca shkaktohen nga trafiku i dendur, materiali i ndërtimit dhe ajri i ndotur i cili del nga fabrikat e shumta kineze. Ajri në Pekin ka 7 herë më shumë grimca të padukshme sesa që lejohet me standardet e OBSH-së, tregojnë rezultatet e testit të bërë nga BBC.