LAJMI I FUNDIT:

Partitë politike shqiptare – “shkëlqimi” dhe rënia e tyre

Pak histori

Njëzet vitet e fundit skenën politike shqiptare e karakterizon formimi i shumë partive politike, të cilat gjatë kësaj periudhe kishin rëniet dhe “shkëlqimin” e tyre politik. Analizuar nga këndvështrimi politik i kohës këto parti politike, si në Shqipëri, Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare kishin dallime të madhe, si në aspektin e formimit të tyre ideologjik, klasor, përmbajtjesor dhe programor.

Në Shqipëri, pas rënies së komunizmit u formuan me dhjetëra parti politike, të cilat për qëllim kishin marrjen e pushtetit. Ndërsa, në Kosovë gjendja ishte ndryshe, sepse pushteti komunist Jugosllav, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës kishte vënë gjendje të hekurt dhe ky vend mbahej i okupuar me forcë.


Në Kosovë ushtrohej dhunë e madhe, sidomos nga viti 1988 me ardhjen në pushtet të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq. Me këtë filloi zbatimi i Memorandumit të Akademisë Serbe për krijimin e Serbisë së Madhe dhe rrënimin e gjithçkaje jo serbe.

Si antitezë e këtij projekti serb, në vitin 1989 filloi shpërbërja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, por njëherësh edhe e Partisë Komuniste të Kosovës, e cila kishte rreth 100 mijë anëtarë. Kjo parti, vetëm brenda një jave u shpërbë duke dorëzuar librezat me mijëra komunistë kosovarë. Më pastaj, erdhi deri te formimi i Lëvizjes më të madhe politike në hapësirat shqiptare, e emëruar si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kjo Lëvizje, në fillim ishte kundër pushtetit të atëhershëm komunist dhe vepronte në kushte të vështira dhe në një okupim klasik. Gjithçka ishte në duart e pushtetit okupues serb. LDK-ja, pas “Solidarnostit” të Leh Valencës në Poloni ishte Lëvizja më e madhe antikomuniste në Evropë.

Por, në anën tjetër kishte edhe parti ilegale, të organizuara në LPK, LPRK, LKÇK, etj, të cilat vepronin jashtë Kosovës, por disa celula të tyre vepronin edhe brenda territorit të saj. Për dallim nga LDK-ja, e cila në programin e saj politik kishte konceptin paqësor të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi, partitë ilegale në programet e tyre kishin edhe konceptin e dhunës si element i arritjes së qëllimit të tyre politik. Pra, këto parti ilegale kishin luftën çlirimtare si qëllim përfundimtar për realizimin e aspiratave kombëtare. Këto parti, kryesisht vepronin në shtetet e perëndimit dhe në Amerikë.

Deri sa, në Shqipëri, Partia e Punës u transformua në Partinë Socialiste dhe pranoi rregullat e sistemit demokratik, në anën tjetër u formua Partia Demokratike, të cilën e përbënin kryesisht kundërshtarët e regjimit komunist, por jo vetëm të tillët. Kjo parti më shumë ishte një parti populiste se sa që kishte ndonjë ideologji dhe program të qartë dhe përmbajtjesor. Pas rrënimit të diktaturës në Shqipëri, për 18 vite rresht pushtetin janë duke e mbajtur këto dy parti. Tani kemi edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI-në), e cila është formuar si një kundër balancë i këtyre dy faktorëve politik. Ka edhe parti tjera minore, të cilat nuk kanë ndonjë peshë të rëndësishme politike, përveç qëllimit për pushtet.

Gjithashtu, në Maqedoni, Kosovë Lindore dhe Mal të Zi shqiptarët janë të organizuar nëpër parti politike, të cilat më shumë kanë karakter të nivelit lokal, se sa që kanë ndonjë peshë, apo forcë lëvizëse të ndonjë procesi të një rëndësie kombëtare.

Çfarë i karakterizon këto parti politike?
Mirëpo, në fakt, çfarë janë këto parti? Cila është ideologjia e tyre? A kanë strategji të qartë politike e programore? Cilat janë objektiva e tyre? Çfarë lidershipi kanë këto parti? A kanë udhëheqës të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për problemet madhore kombëtare? A kanë një strategji të përbashkët për zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi? Këto janë disa nga pyetjet që do të mundohemi t’i shtjellojmë gjatë këtij vështrimi.

Partitë politike shqiptare në përgjithësi i karakterizon stihia organizative, mungesa e strategjisë politike, e vizionit për të ardhmen, e projekteve afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata, e planeve dhe programeve të qarta nacionale, e profilizimit të tyre politik, si dhe kanë disa anomali, të cilat partitë simotra evropiane i kanë tejkaluar më herët. Këto parti nuk dihet se në çfarë baza ideologjike veprojnë, a janë majtiste, të djathta, të qendrës, apo të ndonjë ideologjie tjetër. Politika e tyre është heterocentrike, e pakoordinuar, kanë mungesë të një Trupi Qendror, i cili do të shërbente si mbikëqyrës i veprimtarive të tyre politike dhe kombëtare.

Mungesa e një “Organi Mbikëqyrës”ka ndikuar në parcializimin e këtij faktori, kështu që për dështimet e tyre deri më tani nuk i kanë dhënë askujt llogari. Këto parti kanë bërë politika të varura, kryesisht nga interesat e huaja (të vendeve të ndryshme), si evropiane, por edhe të SHBA-së. Lidershshipin e tyre e karakterizon një servilizëm ndaj faktorit të huaj dhe kështu me fajin e vet kanë mundësuar defaktorizimin e tyre si element i politik bërjes në rajon dhe më gjerë. Nuk ka dyshim, se sot e kësaj dite jemi dëshmitarë të një servilizmi të “tepruar” të këtij faktori dhe kjo bëhet në radhë të parë për shkaqe të interesave të tyre personale, grupore dhe më pastaj për interesa të tjera. Sot, elitat politika shqiptare janë në gjendje të bëjnë lloj lloj pazaresh vetëm e vetëm të ruajnë pozicionet e tyre në pushtet, që të mbijetojnë dhe përfitojnë. Rasti më i freskët është vizita e kryeministrit grek Karamanlis në Tiranë, me ç’rast kryeministri shqiptar as nuk guxoi të përmend njohjen e Kosovës nga Greqia, si dhe problemin çam. Mungesa e një plani unik shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare ka ndikuar që të kemi platforma të ndryshme, qasje të ndryshme ndaj çështjes kombëtare. Nuk ka faj as Amerika, as vendet tjera, e as Serbia pse nuk kemi një plan unik kombëtar, pse nuk jemi të organizuar mirë që të përballemi me sfidat e kohës nëpër të cilat po kalon kombi.

Partitë e muskujve të fortë dhe xhepave të thellë

Partitë politike shqiptare kanë ideologji jo të qartë politike, janë elemente shumë të përziera dhe tejet heterogjene. Kështu, në Shqipëri PS-ja, shtiret se është e majtë, por në fakt nuk është e tillë, ndërsa PD-ja se është e djathtë, por as ajo nuk është e tillë. Majtistët janë element i përzier, njohin pronën shtetërore dhe private, tregun e lirë, janë për një ekonomi të kontrolluar dhe synojnë shtetin ku shpërndarja e të mirave materiale bëhet më e planifikuar. Ata mbrojnë shtresën e varfër dhe të mesme të popullit. Ndërsa, djathtistët janë nacionalistët e kombit, njohin të gjitha rregullat e tregut të lirë dhe pronën private, si dhe mbrojnë interesat e shtresës së pasur (borgjezisë). Partitë shqiptare nuk i kanë ende këto elemente, përkundër disa transformime të vogla. Këto parti nuk e kanë qytetarin në fokus të interesit të tyre, por interesin e grupit, apo të ndonjë shtrese tjetër.

Partitë politike shqiptare më shumë kanë “ideologji” të muskujve të fortë dhe të xhepave të thellë, se sa majtiste apo djathtiste. Për 18 vjet në pushtet të këtyre partive politike lufta e tyre zhvillohej vetëm për pushtet, e jo për shtet. Viti 1997 në Shqipëri tregon më së miri në rrënimin e shtetit shqiptar. Po ashtu, fakti tjetër qëndron në pajisjen e qytetarëve shqiptarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, sepse këto parti rrafsh 18 vjet nuk kishin kohë të pajisin qytetarët e vet me dokumente si e gjithë bota. Loja me këto dokumente në mes pozitës dhe opozitës shqiptare tregon jo transparencën dhe shkallën më të ultë të manipulimit me qytetarët e saj. Pra, elektorati shqiptar është i zhgënjyer nga loja e tyre joserioze dhe për këtë arsye shumica e tyre nuk dalin në zgjedhje. Tani kur kemi të bëjmë me integrime evropiane dhe kushtet të cilat duhet plotësuar ky vend, dy liderët e saj sillet shumë të papërgjegjshëm, akuzat e njëri ndaj tjetrit janë shumë të rënda, fjalori i tyre politik është shumë arrogant dhe fyes, kjo nuk i takon një lidershipi të përgjegjshëm të një vendi, i cili synon integrime në demokracitë e zhvilluara.

Sindroma PS-së dhe PD-së ka filluar të shfaqet edhe në Kosovë, sidomos në mes dy partive rivale, të ashtuquajtur krahu i luftës, PDK-së dhe AAK-së. Këto dy parti shtyhen me bërryla se cila është më meritore për luftën e zhvilluar, ndërsa harrojnë në punën rreth programeve dhe projekteve të ndryshme për Kosovën. Sondazhet politike tregojnë se lufta politike në të ardhmen do të zhvillohet në këtë drejtim, në mes dy monarkëve politik. Këtu në Kosovë nuk ka parti qytetare, e cila për objektiv të saj do të ketë qytetarin, jetën e tij, përmirësimin e kushteve të tij, perspektivën e tij. Për këtë arsye kemi edhe një gjendje të mjerë ekonomike, rreth 90 për qind e këtij populli është i varfër. Gjithashtu, edhe opinioni publik kritik është shumë i cekët, nuk ka elita kritike, masë kritike, e cila do t’i kundërshtonte veprimet e tyre, do të ndëshkonte këto parti gjatë zgjedhjeve. Këtu kemi të bëjmë me një elektorat pasiv, një shoqëri shumë konservative, e cila frikësohet nga ndryshimet. Vetëm në zgjedhjet e fundit kemi pasur një rënie drastike të këtij elektorati në votime. Mbi 50 për qind e tyre nuk votuan. Këto parti kanë krijuar elitat (rrethet) e tyre të ngushta të interesit dhe nuk janë të interesuara shumë të punojnë për një progres më të madh shoqëror e kombëtar.

Partive politike, si në Shqipëri, Kosovë dhe gjetiu i mungon: strategjia, programi i qartë, objektivat, ekipet, ideologjia, etj. Lufta e tyre bëhet vetëm për pushtet dhe privilegje, assesi për shtet, projekte, zhvillim demokratik shoqëror dhe prosperitet ekonomik.

Këto parti janë në gjendje që brenda natës të ndërrojnë ekipet dhe njerëzit për përfitime personale. Ato angazhojnë njerëz pa kurrfarë karizme, ndikimi, vlere që do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre, të elektoratit të tyre. Në mungesë të realizimit të projekteve konkrete për qytetarët merren me improvizime politike. Fenomeni i “Librezomanisë” së këtyre partive, tregon qartë objektivin e tyre se me çfarë merren ato, pra merren vetëm me vetë veten. Këta harrojnë se kjo lojë në zgjedhjet e ardhshme mund t’i kushtojë shtrenjtë, t’i kthehet si bumerang, sepse irritojnë simpatizantët, elektoratin dhe masën e gjerë. Këto parti kanë krijuar rrethe njerëzish të cilët i ka kaluar koha, janë njerëz të shpenzuar, nuk kanë asgjë për t’i dhënë qytetarit dhe këtij vendi. Nëpër këto parti mbahen njerëz për interesa të tyre personale. Ato kanë mungesë të madhe të elitave të profilizuara, të specializuara që do të merren me zhvillimin e projekteve konkrete për qytetarët, shoqërinë dhe kombin.

Krahinorizmi i partive politike

Në Kosovë partitë politike, si LDK-ja, LDD-ja, AAK-ja, të cilat theksojnë se janë të djathta, ndërsa PDK-ja dhe AKR-ja të Qendrës, nuk kanë lidhje me këto orientime ideologjike. Këto parti kanë më shumë karakter krahinor, se sa që i lidh ndonjë ideologji, apo qëllim i caktuar politik. LDK-ja tani nga një Lëvizje e madhe që ishte në të kaluarën është shndërruar në parti të krahinës së Llapit. LDD-ja është krah i ndarë nga LDK-ja dhe është element i nomenklaturës së vjetër Rugoviste, ndërsa AAK-ja simbolizon partinë e luftës dhe krahinën e Dukagjinit. PDK-ja është parti e luftës dhe në fillim kishte karakter të krahinës së Drenicës, por në zgjedhjet e fundit bëri shtrirje pak më masovike dhe fitoi zgjedhjet si parti më e madhe në vend. AKR-ja është një parti e re në skenën politike kosovare, e cila ka një lider më shumë biznesmen se sa politikan dhe ka një elektorat më shumë në krahinën e Gollakut.

Pra, profilizimi i tyre si parti krahine tregon një niveli të ulët të pjekurisë së tyre programore dhe demokratike. Shoqëria kosovare është larg një demokracie të zhvilluar, ku konkurrenca, puna dhe vlerat duhet të jenë kriter i vlerësimit, përparimit, e jo krahinat dhe fiset.

Edhe në viset tjera shqiptare kemi të bëjmë me parti politike të nivelit rajonal dhe se qëllimi i tyre i fundit është pushteti dhe përfitimet për grupet e tyre të interesit. Edhe këto parti, deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë shembull se kanë ndonjë vizion të qartë për realizimin e ndonjë projekti madhor shoqëror e kombëtar. Puna e tyre sillet në rreth, nuk kanë projekte të qarta për problemet që ka shoqëria shqiptare.

Formimi i elitave të reja politike do të jetë kusht për ecjen e demokracisë dhe zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të shoqërisë shqiptare. Gjeneratat e reja do të jenë më të kompletuara politikisht për një zhvillim më të shpejt demokratik të shoqërisë sonë, duke marrë për bazë se ky popull ka një rini të mirë, të shëndetshme dhe të shkolluar, e cila në të ardhmen do të bëhet pjesë e sfidave të mëdha, së pari projektit të bashkimit të kombit dhe më pastaj të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar. Kjo është rruga që duhet të ndiqet nga politikanët e rinj, në mënyrë që të kemi një të ardhme të sigurt dhe më të mirë.

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori